PROMOVIME
Një jetë me statistikat
Pak ditë më parë, më 29 maj 2024 dr. Pasko S. Vako mbushi plot 90 vjet.
Ai u lind më 29 maj 1934 në fshatin Potkozhan, që bën pjesë në Bashkinë e Pogradecit.
Shkollën fillore dhe shtatëvjeçare i kreu në vendlindje me rezultate shumë të mira në vitin 1950. Në këtë vit
i del e drejta e studimit dhe ndjek teknikumin tregtar “Nako Spiru” në Tiranë, të cilin e përfundoi me sukses në
vitin 1954. Në po këtë vit i miratohet e drejta e studimeve të larta për statistikë në Universitetin e Sofjes -
kryeqytet i Bullgarisë, të cilat i përfundoi më 1959 me rezultate shumë të mira.
Në fillim dhe për gati 10 vjet punoi në Drejtorinë e Statistikës pranë Komisionit të Planit të Shtetit, ku fitoi një përvojë
shumë të vlefshme për detyra të tjera të mëvonshme.
Për mbi 25 vite ka qenë pedagog i statistikës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ku ka dhënë
leksione të statistikës ekonomike, statistikës së industrisë, teori statistike dhe statistikë demografike. Krahas
Fakultetit Ekonomik të UT-së, ai ka dhënë leksione për statistikën para dhe pas vitit 1990 edhe në Universitetin
e Mjekësisë, si dhe në kolegjin universitar “LOGOS”, e po ashtu edhe në filialet e rretheve.
Dr. Pasko Vako është autor i 2 monografive mbi zgjatjen mesatare të jetës në Republikën e Shqipërisë dhe
faktorët që kushtëzuan rritjen e saj, mënyrat e llogaritjes, prirjet dhe problemet.
Dr. Pasko Vako është gjithashtu bashkautor i 8 teksteve mësimore teorike dhe ushtrimore të botuara në vitet
1976-1986. Në vitet 1960-1989, dr. Pasko Vako ka qenë pjesë e grupit të punës për përgatitjen e dokumentacionit udhëzues në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe relator i procesit të regjistrimit të popullsisë në zona të ndryshme të vendit.
Ka marrë pjesë në realizimin e studimit për llogaritjen e minimumit jetik në Shqipëri në vitin 1999 për llogari të Këshillit të Sindikatave të Shqipërisë.
Ka shkruar dhjetëra artikuj dhe studime për ekonominë dhe demografinë në revistat Ekonomia Popullore, Demografia dhe Studime Demografike.
Me përkushtim të pashembullt, pas një pune disavjeçare, në vitin 2023, dr. Pasko Vako, në bashkëpunim me Parashqevi Avdulajn, përgatitën dhe
botuan monografinë “Statistika ekonomike dhe sociale (SES)” parathënien e së cilës po e botojmë në vijim.
Dr. Pasko Vako është anëtar i kolegjiumit të revistës “Studime Demografike”.
Në këtë përvjetor të rrallë, redaksia e revistës “Studime Demografike” i uron dr. Pasko Vakos shëndet të plotë dhe krijimtari të pandërprerë!
Redaksia e revistës “Studime Demografia"