PËRVOJA JETËSORE
Luan SHAHOLLARI
Vitet e para të daljes në jetë Gusht 1973 - emërimi në rrethin e Kukësit1)
Dalja në jetë pas përfundimit të një cikli të shkollor, apo pas arritjes së një moshe të caktuar shënon një ngjarje të rëndësishme në jetën çdo njeriu.
Për këtë arësye ajo le mbresa të pshlyeshme që mbeten gjallë e kujtohen me emocione të veçanta. Këtu, në vijim po hedh disa mbresa nga fillimet edaljes time në jetën e punës,por më parë, po e nis me pak të dhëna jetësore.
Datëlindja ime është 1 mars 1952 dhe vendlindja Lumalasi, njëfshat i vogël rreth pesë km pa hyrë në qytetin e Korçës, rrëzë një kodre,pranë rrugës automobilistike kombëtare që e lidh atë me Tiranën. Sipas regjistrimit të parë të popullsisë në Shqipëri, më 1923 fshati kishte vetëm14 shtëpi dhe 98 banorë. Sigurisht, një shtëpi ka pasur dy e më shumë kurorë, apo familje. Deri në fund të vitit 1990 ka pasur rreth 70 familje me 300 banorë. Gjatë këtyre viteve tranzicion janë larguar por edhe kanë ardhur më shumë familje të tjera. Të shohim se sa do të ketë nxjerrë censi i popullsisë i vitit 2023.
Si fshat me pak banorë e sigurisht me pak nxënës, deri në vitet 1970 kishte një shkollë fillore me klasa kolektive, ku jepnin mësim një mësues dhe një mësuese që vinin çdo ditë me biçikleta nga qyteti i Korçës. Fillova klasën e parë fillore në shtator 1958, gjashtë muaj para afatit të detyruar të
kohës prej 7 vjeç. Ndikim në këtë “shkelje” ka pasur babai që pat bisedua me mësuesin e shkollës që të hyja si “dëgjues”pasi e “kisha qejf” shkollën.
Viti kaloi dhe unë mora një dëftesë me pesat atyre viteve... Hyrja në shkollë para moshës 7 vjeç, ndjekja e sistemit 7-vjeçar dhe e gjimnazit 11-vjeçar
më dhanë mundësinë t’i përfundoj studimet e larta (pa stazhin) 21 vjeç e pak muaj.
1) Ndarja administrative e Shqipërisë deri në vitin 1990 ka qenë e përbërë nga 26 rrethe. Në këto vite, në rrethin e Kukësit ka bërë pjesë edhe territori i sotëm i Bashkisë së Hasit.
Mba vesh, Luan, po s’të kanë emëruar në Kukës!
Nga fundi i qershorit 1973, pasi kishim dhënë provimet e vitit të katërt dhe të fundit, ishim duke kryer zborin (stërvitjen ushtarake). Gjatë këtyre ditëve, shpesh, ulur apo shtrirë në lëndinat e Institutit të Lartë Bujqësor (nga viti 1991 Universiteti Bujqësor), hamendësonim se ku mund të ishim emëruar. Në një rast Lutfi Noka, një shok i kursit nga Kukësi, ia shkrep:
- Mba vesh, Luan, po s’të kanë emëruar në Kukës!
- Po ky? - Ç’dua unë në Kukës, kur ka nevojë Korça? - ia ktheva i sigurt.
- Mirë, mirë, - tha Lutfiu, - po Kukësi ka më shumë nevojë!
Lutfiu vërtet “ia fuste kot“, siç thuhet rëndom në raste të tilla, megjithatë nuk u desh më shumë se një javë që emërimi “kot“t’ dilte “plot“! Madje atë vit në Kukës u emëruam vetëm ne të dy - unë nga Korça dhe Lutfiu vendali, nga Kalisi!
Njoftimi i parë, përmes një bisede telefonike me punonjësen e zyrës së kuadrit në Ministrinë e Bujqësisë nuk m’u duk bindës, prandaj i thashë ta shikonte edhe një herë se ndoshta ishte bërë ndonjë gabim, se të dy rrethet me “K“ fillonin...Por ngulmimit tim për ta riparë, duke e kuptuar gjendjen
time, ajo m’u përgjigj: “Në Kukës, more djalë, në Kukës!”
Më vonë këto emërime na erdhën edhe zyrtarisht, duke mos harruar të na porositnin për t’u paraqitur sa më shpejt në detyrë!
Nuk e prisja. Ky ishte zhgënjimi i dytë pas atij të katër vjetëve më parë; kur mbarova gjimnazin “Th. Gërmenji”, e më caktuan të studioja në një degë që nuk e kisha kërkuar. Ndodhi që në vitin e tretë na kaluan në krijimin e fakultetit të Ekonomisë Agrare. Tani mendoja se do të emërohesha së paku në vendlindjen time në Lumalas, që ishte qendra e një prej ekonomive bujqësore më të mëdha të rrethit e madje në shkallë vendi. Kisha arsye për ta menduar këtë, pasi, edhe pse e tillë, këtu ende nuk kishte një ekonomist ekonomist plani me arsim të lartë! Kështu do të kisha mundësi të ndihmoja edhe prindërit, të cilët kishin bërë sakrifica për shkollimin tim, të dy vëllezërve, e motrës pas meje.
Por ja që dosja ishte dërguar në Kukës, në drejtim të kundërt me dëshirën time. Tani do të ishin organet partiake dhe të pushtetit në rreth ato që do të vendosnin për emërimin në ndonjë ndërmarrje, kooperativë apo institucion ku kishte nevojë për ekonomist plani.
Mbërritja në Kukës
Nga Korça mbërrita në Tiranë një ditë para nisjes për në Kukës. Ditën tjetër, më 27 korrik 1973, u nisëm me një autobus të zakonshëm të linjës interurbane. Udhëtoja për herë të parë në Kukës. Autobusi ishte plot me studentë e studente që do të merrnin emërimet atje.
Rruga m’u duk e gjatë dhe e lodhshme, siç ishte në të vërtetë, ndonëse ndaluam për kafe në Rubik, për drekë në Fushë-Arrëz dhe për t’u freskuar
në Ujin e Ftohtë. Pjesa e rrugës nga Qafa e Malit në Kukës ende nuk ishte asfaltuar dhe në autobusin me dritare hapur hynte një ajër i nxehtë i përzier me re pluhuri që i linin gomat pas.
Në Kukësin e vjetër mbërritëm në mbrëmje. Kukësi i vjetër kishte dy hotele: Njëri quhej “Gjalica” dhe vlerësohej si më i miri. Ai ndodhej në hyrje të qytetit, sapo dilje nga ura e Drinit të Zi, në krah të djathtë. Në katin e parë ishte restoranti, që mbahej edhe ky si më i miri. Hoteli tjetër ishte “Përparimi”, rreth njëqind hapa më afër qendrës. Ngjitur me të ishte edhe kinemaja, kurse përballë Komiteti Ekzekutiv, gjimnazi, pallati i kulturës, biblioteka e ndonjë objekt tjetër që nuk ishte transferuar ende në Kukësin e ri. Zbritëm nga autobusi dhe u drejtuam në hotel Gjalica. U krijua njëfarë rrëmuje në fillim, pasi nuk kishim lajmëruar më parë, por Rizai (apo Xakja, siç e thërrisnin shkurt) na “sistemoi” të gjithëve.
Kukësi – një kantier i madh ndërtimi
Një pjesë e rrethit të Kukësit në mesin e viteve 1970 ngjante me një kantier të madh ndërtimi, pasi, krahas me ngritjen e qytetit të ri, po punohej edhe për pastrimin e kupës së liqenit që do të krijohej nga ngritja e digës së hidrocentralit të Fierzës. Liqeni zinte një sipërfaqe prej 1288 ha, që shtrihej në brigjet e Drinit të Zi e të Bardhë, e takoheshin pikërisht në qytetin e vjetër. Me aksion po punohej në ndërtimin e qytetit të ri, në qytezat e Gostilit, Fushë-Dukagjinit, Kalimashit, Fajzave si dhe të 29 fshatrave që po ndërtoheshin tërësisht apo pjesërisht të reja.
Hyrja nga ura mbi Drinin e Zi në Kukësin e Vjetër, para se të përmbytej nga liqeni i
Fierzës. Hotel “Gjalica” ndodhet në ndërtesën e parë dykatëshe në krahun e djathtë të fotos.
Qyteti i ri dhe i vjetër në këtë kohë lidheshin midis tyre me një rrugë të përkohshme të asfaltuar prej rreth katër km. Qyteti i vjetër ishte më i kufizuar në hapësirë, më i vogël në numër banorësh, por më i mbledhur dhe më i organizuar brenda territorit të tij. Por tani ishte në tkurrje të vazhdueshme.
Kurse qyteti i ri shtrihej në një sipërfaqe më të gjerë, të hapur nga shpyllëzimet, mbi bazën e një planimetrie e cila nuk parashikonte ngritjen e shtëpive private. Por qyteti i ri ishte ngritur në një vend të ekspozuar ndaj erërave të forta dhe të ftohta në dimër.
Të dy pjesët e qytetit të Kukësit në këtë kohë kishin rreth 8 500 banorë.
Themelet e pallatit të parë të qytetit të ri ishin hedhur qysh më 1962 dhe deri në vitin 1973 ishin ngritur ndërtesat e disa institucioneve kryesore të qeverisjes qendrore e lokale si: ajo e Radio Kukësit, spitalit, Komitetit të Partisë, degës së Punëve të Brendshme etj. Ndërkohë vazhdonin punimet për ndërtimin e Komitetit Ekzekutiv, të Bankës së Shtetit, pallatit të kulturës, shkollës së mesme të përgjithshme dhe disa objekte socialkulturore. Përballë komitetit të partisë dhe komitetit ekzekutiv po ngrihej hoteli i ri që do të mbante përsëri emrin e malit të Gjalicës.
Kukësi i ri në vitet e para të ndërtimit
Dhjetor 1973. Në Kukësin e vjeter.
Emërimi zyrtar: kryetar i degës së planit në kooperativën bujqësore Klos të Fanit!
E pata lënë çështjen e emërimit brenda rrethit të Kukësit në “rrjedhje të lirë”, siç kisha bërë edhe për të drejtën e studimit pas përfundimit të gjimnazit në Korçë dhe të caktimit nga Ministria e Bujqësisë! Për shkak se nuk kishin dalë ende emërimet, në ditët e para të gushtit ne bënim xhiro në qytetin e vjetër nga hotel “Gjalica” te “Përparimi” duke ndalur për të pyetur te Komiteti Ekzekutiv. Në një nga këto ditë na thirrën në seksionin e bujqësisë për të na njohur me vendimet e emërimit. Mendoja që do të më kishin caktuar “aty afër”, pasi ishim të parët që kishim marrë një diplomë të veçantë për planifikimin dhe organizimin e ekonomive bujqësore. Por në seksionin e bujqësisë inspektori A. Hallaçi më komunikoi se isha emëruar kryetar i degës së planit në kooperativën bujqësore me qendër në Klos të Fanit!
Nuk e dija ku binte kjo kooperativë, por pasi dola, pyeta dhe u interesova, e kuptova se isha caktuar në një nga skajet e rrethit të Kukësit, në kufi me rrethin e Mirditës, ose më mirë të themi në Mirditën e sotme!
Organeve të partisë dhe pushtetit në rreth u ishin dukur pak dy ditë rrugë Korçë-Tiranë-Kukës, prandaj më kishin larguar edhe një ditë tjetër, pasi
Klosi ishte më afër Rrëshenit sesa Kukësit! Edhe Lutfiun e kishin caktuar larg familjes: nga Kalisi në Zapod!
Nuk ke me shku në Klos të Fanit!
Kështu m’u drejtua Azem Kërxhaliu, zv/kryetar i Komitetit Ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit të Kukësit në një takim që u zhvillua në një nga ditët e para të gushtit me ne stazhierët, për të na dhënë porositë e rastit para se të shpërndaheshim në ndërmarrjet dhe kooperativat ku ishim emëruar. Komiteti Ekzekutiv ishte ende në një ndërtesë dykatëshe në qytetin e vjetër, e cila para çlirimit kishte qenë prefekturë. Pranë tij në vitin 1939 ishte ngritur një monument i heroit tonë kombëtar Skënderbeut me vështrim nga Kosova, vepër e “Skulptorit të Popullit” Odhise Paskali. Ato ditë kishim “eksploruar” zyrat e katit të parë ku ndodhej seksioni i bujqësisë dhe disa seksione të tjera ku na kishin njohur me emërimet.
Tani ndodheshim në korridorin e katit të dytë, ku kishin zyrat drejtuesit kryesorë. Ky kat ishte më i mirëmbajtur, ndonëse edhe këtu dërrasat kishin
filluar të kërcisnin. Dukej që në këtë ndërtesë kishte vite që nuk ishte vënë dorë dhe dihej arsyeja: në qytetin e ri po ngrihej një ndërtesë e re katërkatëshe ku u vendos Komiteti Ekzekutiv i këshillit popullor të rrethit dhe që prej vitit 1992 aty është Bashkia e Kukësit.
Duke na përshëndetur, na ftoi të hynim në zyrën e tij të madhe. Nuk më kujtohet kush, por në atë takim ishte edhe një punonjës tjetër, ndoshta nga seksioni i kuadrit, për të mbajtur shënime. Ndonëse kishte “hije të rëndë”, Azemi na krijoi një atmosferë me humor, veti të cilën vendësit e dinin, por ne të tjerët tani po e mësonim. Ai filloi të na pyeste me radhë, sikur të na merrte në intervistë. Dukej se shumica ishim specialistë të rinj të bujqësisë: agronomë, ekonomistë, zooteknikë, veterinerë, por kishte edhe nga degë të tjera.
Po ndiqja pyetjet e Azemit dhe përgjigjet e studentëve stazhierë apo atyre që kishin përfunduar diplomimin. Po intervistohej një student që ishte diplomuar për mjek veteriner.
- Po ty E ku t’kan ç’u?
Fakti që i foli me emër, tregonte se kishte njohje të mëparshme.
- Në kooperativën bujqësore të Kolshit, - iu përgjigj E.
- E ç’a ke mbaru ti?
- Mjek veteriner, shoku Azem, - iu përgjigj ai.
- Hë, - qeshi Azemi, - pse nuk thua doktor magjarësh, po mjek veteriner!
Qeshën edhe disa të tjerë, edhe ne pasi “përkthyem” fjalën ”magjar”.
Kaluan pa ndonjë “problem” tre-katër “të intervistuar” të tjerë. Po më vinte radha mua:
I thashë emrin dhe mbiemrin.
- Nga të kemi ty?
- Nga Korça.
- Nga Korça mrena?
- Aty afër, nga Lumalasi, - shtova unë, - rreth pesë km larg…
- Hëm. E po kështu thuaj de, se e njoh mirë Korçën unë.
Më vonë mora vesh se ai kishte punuar në vitet 1960 në Korçë me
rendin dhe i njihte mirë kuadrot kryesorë të rrethit.
- Ehë, po ku të kanë caktu ty?
- Shef plani në kooperativën bujqësore të Klosit, në Fan, - iu përgjigja.
Atij i bëri përshtypje emërimi im, pasi vazhdoi:
- E kush ta tha ty ktë?
- Inspektori i seksionit të bujqësisë, A. Hallaçi, - iu përgjigja. Kishim filluar të fiksonim edhe emrat e parë, me të cilët ishim takuar ato ditë.
- Heu bre, - tha, - kush drejton kuadrot e nalta të bujqësisë! - Ai përmendi diçka për nivelin arsimor të tij… Pastaj gjithë seriozitet shtoi:
- Nuk ke me shku aty!
Nuk fola, por, sidoqoftë, më erdhi mirë. Pasi u “intervistuan” edhe të tjerët, Azemi na porositi për të njohur vështirësitë e bazës, për të përfituar nga përvoja, duke dhënë ndonjë porosi sipas rastit, pasi i njihte mirë problemet dhe kuadrot e rrethit.
Ky ishte takimi i parë me një përfaqësues të pushtetit ekzekutiv në rreth. Humori, e folura në dukje e ashpër, por e sinqertë ishin karakteristika
të Azemit, me të cilat do të mësohesha gjatë periudhës në Kukës, por edhe në ndonjë takim të rastit në vitet 1990 në Tiranë.
Stazhi më “transferon” nga Klosi në Kolsh!
Ne ishim studentët e parë që, sipas udhëzimit të miratuar një vit më parë, duhej të kryenim një stazh
(praktikë profesionale) në një qendër pune para se të diplomoheshim. Stazhi synonte që studenti të
lidhte më mirë dijet e fituara në shkollë me praktikën e punës. Kjo periudhë zgjaste një vit shkollor dhe
konsiderohej si vazhdim i procesit mësimor.
Stazhi duhej të bëhej detyrimisht pranë një specialisti përkatës me arsim të lartë. Krahas stazhit
merrnim edhe një emërim përfundimtar. Në këtë detyrë do të kalonim pasi të diplomoheshim dhe pasi
të kishim kryer stërvitjen ushtarake 5-6 mujore. Paga e një stazhieri ishte baras me atë të një
specialisti të mesëm. Nuk kishte ndonjë shtesë për ata që caktoheshin jashtë rrethit të tyre.
Pak ditë më vonë doli se organet e rrethit nuk kishin zbatuar udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për
kushtet e emërimit të studentëve stazhierë. Nuk shkova në Klos të Fanit, pasi aty mungonte ekonomisti
i lartë ku unë duhej të merrja përvojë!
Pas dy ditësh më njoftuan se më kishin caktuar stazhier në degën e planit në kooperativën bujqësore
të Kolshit, e cila ishte afër qytetit të vjetër, në hyrje të tij, në krah të majtë të rrugës automobilistike për
Tiranë.
Qendrën kooperativa e kishte në Myç-Mamëz, në një zonë kodrinore rreth gjysmë ore larg Kukësit.
Këtu, prej pesë vjetësh, në detyrën e kryetarit të degës të planit ishte Myrto Gërbeti, një ekonomist i
lartë për industri nga Kozmaçi i Shkodrës. Myrtua e priti me gëzim, pasi te kjo lëvizje pa jo thjesht një
stazhier që do ta ndihmonte në punë, por më tepër një shpresë që të transferohej pranë familjes.
Kërkesave të tij tani nuk mund t’i përgjigjeshin se:
“nuk kemi me kë të zëvendësojmë”. Mund të priste edhe një vit derisa të mbroja diplomën, të kryeja
stërvitjen ushtarake (zborin) dhe të kthehesha për të marrë emërimin përfundimtar. Megjithatë, kjo
nuk ishte e garantuar, pasi bëhej fjalë vetëm për stazhin, emërimin zyrtar e kisha ende në Klos
të Fanit...
Përfundimi i stazhit, prill 1974
Pas përfundimit të stazhit ne duhej të pajiseshim me një karakteristikë pune të firmosur nga sekretari i partisë i kooperativës. Sekretari B. Vata shkruan se “nga data 15 gusht 1973 deri më 20 mars 1974 në kooperativën bujqësore “29 Nëntori” Kolsh, pranë degës së planit, kreu stazhin studenti i Fakultetit të Ekonomisë Agrare Luan Shahollari. Gjatë kohës së qëndrimit të tij ai punoi me ndërgjegje të lartë për mbarëvajtjen e punëve të ndryshme të kooperativës. Ka marrë pjesë aktive në zgjidhjen e shumë problemeve që kanë dalë në degën e planit si dhe ka kontribuar në problemet e tjera...
Është i përgatitur nga ana profesionale. Sjellja e tij ka qenë shembullore. Ne mendojmë se nga Fakulteti juaj ka dalë një kuadër i cili, pasi kreu me
sukses stazhin në kooperativën tonë, është plotësisht në gjendje të mbrojë temën e diplomës. Kolsh, 1.4.1974.
Sekretari i Komitetit Ekzekutiv të KR të Rrethit, Dali Tota, në fund të saj ka vënë shënimin: “Ky dokument të vendoset në dosjen e tij”.
Me këtë karakteristikë, e cila pason atë të përfundimit të studimeve, fillon seria e vlerësimeve të punës, të lidhura në dosjen time të kuadrit që vazhdon deri në vitin 1989.
Metoda bilancuese, bazë për ngritjen e nivelit shkencor të planifikimit në bujqësi
Në përfundim të studimeve, gjatë vitit të stazhit, ne kishim dy mundësi për t’u diplomuar: t’i nënshtroheshim një provimi formimi ose të mbronim një temë diplome. Shumica zgjidhnin alternativën e parë, pasi ishte me më pak telashe. Një pjesë e vogël, përgjithësisht ata që kishin dëshirë për t’u marrë me punë studimore, zgjidhnin alternativën e dytë.
Kështu, së bashku me dy shokë të kursit, Skënder Gjatën dhe Daman Sinanin, zgjodhëm temën me titull: “Zgjerimi dhe përsosja e metodës balancuese - bazë për ngritjen e nivelit shkencor të planifikimit në bujqësi”.Temën e morëm në linjën e katedrës të organizimit të Fakultetit të Ekonomisë Agrare, kurse udhëheqës kishim prof. Besim Bardhoshin,
shef i katedrës së planifikimit të Fakultetit të Ekonomisë në UT. Tema ishte e njëjtë për të tre ne, por do të trajtohej në analizën e të dhënave të tri ekonomive bujqësore ndryshme ku po kryenim stazhin, përkatësisht: të Kolshit (Kukës), të Vaqarit (Tiranë) dhe të Shirgjanit (Elbasan).
Temat e diplomës i mbrojtëm më 15 maj 1974, në prani të komisionit si dhe disa pedagogëve e studentëve të interesuar. Secili nga ne, duke përdorur shembuj nga ekonomitë në studim, arritëm në përfundime dhe rekomandime të përafërta për ngritjen e nivelit shkencor të planifikimit në bujqësi. Mirëpo drejtimi i temës nga një profesor i jashtëm (nga Universiteti i Tiranës) kishte ngjallur xhelozi në ndonjë pedagog të brendshëm të ILB, që krahas pyetjeve dhe ndonjë “sugjerimi”, përpiqej të ndikonte në vlerësimin e komisionit, por kjo nuk ka rëndësi.
Rëndësi ka fakti që përmbajtjen e temës ne e kthyem në artikull për gazetën “Zëri i popullit”. Disa ditë para se të mbronim diplomat, na lindi ideja që një përmbledhje të saj ta botonim në shtypin e ditës, duke synuar gazetën më të rëndësishme të kohës. Fillimisht hartova një draft prej 4 faqesh me shkrim dore, të cilin e diskutuam bashkërisht të tre. Në foton që kemi paraqitur këtu, kemi dalë të ulur në stolin e gurtë mbi lulishten e atëhershme, pranë monumentit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke diskutuar për shkrimin. Pas diskutimeve mora rrugën drejt redaksisë së gazetës, në ish-bulevardin “Stalin”, tani “Zogu i Parë”.
Te hyrja më thanë të takohem me një gazetar që mbulonte problemet e bujqësisë e që quhej Ibrahim Baçi.
U ngjita në katin e tretë, trokita dhe hyra në zyrën e tij, me dy tavolina në formë T-je. Pasi u përshëndetëm, i zgjata shkrimin, të cilin ai filloi ta lexojë pa zë. Pas leximit ai ngriti kokën dhe tha se shkrimi trajtonte një problem të kohës, siç është rritja e nivelit shkencor të planifikimit. Ka edhe shembuj konkretë nga ekonomitë bujqësore ku keni punuar ju, - shtoi më pas. Ai tha se shkrimi mund të botohet, por nuk dha ndonjë datë, pasi, siç u shpreh, kishte edhe shefa më lart. Shkrimin e kishim nënshkruar me emrat tanë si “ekonomistë agrarë (stazhierë) në Fakultetin e Ekonomisë Agrare të Institutit të Lartë Bujqësor”. Shkrimi u botua një ditë pas diplomimit, më 16 maj, me mbititullin me shkronja të mëdha: “Probleme të drejtimit të ekonomisë”. Kjo shënoi ngjarje për ne, pasi në ditët më pas në fakultet, jo vetëm shokët, por edhe pedagogët na uronin për të. Këtu po sjell edhe pjesën e gazetës që përmban shkrimin e botuar.
Botimi i shkrimit ishte një nxitje e re për mua, pasi deri atëherë kisha botuar në gazetën tonë “Studenti i Bujqësisë”, në gazetën “Përpara” të Korçës, në “Drita”, në revistën “Nëntori”, por tani kisha mbërritur tek organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar. Aq më tepër me një shkrim problemor për planifikimin në ekonomitë bujqësore. Meritë për këtë pati edhe Ibrahimi, i cili e vlerësoi pa na paragjykuar se ishim ende të rinj për të dalë në faqet e kësaj gazete.
Stërvitja ushtarake: 1 korrik 1974 - 27 nëntor 1974
Pas diplomimit dhe disa ditëve pushime në familjet tona, më 1 korrik 1974 filluam stërvitjen ushtarake. Stërvitja ushtarake (apo zbori) përbënte brinjën e tretë të trekëndëshit të detyrueshëm të kohës (pas mësimit dhe punës në prodhim) që mbyllte procesin mësimor universitar. Ajo zgjaste si rregull 6 muaj, por ne bëmë një program 5-mujor në repartin ushtarak nr. 4896 në Drojë-Mamurras, një qendër e përshtatur për studentët e shkollave të larta. Atë vit ishim një numër i madh studentësh të sapodiplomuar, ndoshta rreth 400 nga Universiteti i Tiranës, Instituti i Lartë Bujqësor dhe Instituti i Lartë i Arteve. Stërvitjen e kryem në llojin e armës së këmbësorisë, e cila ishte mjaft e
vështirë nga ana fizike. Toga jonë përbëhej prej rreth 20 vetash. Si këmbësorë ishim të pajisur
me armatim të lehtë: automatik tip kallashnikov, lopatë xheniere, vezme me fishekë, çantat e shpinës me
takëmet e nevojshme etj.
Mjaft gjallëri i jepnin kampit ushtarak studentët e Institutit të Lartë të Arteve. Aty kemi ndjekur recitimet
e aktorëve të rinj, si: Piro Malaveci, Zehrudin Dokle, Sotiraq Bratko, Besnik Kurti etj., kemi dëgjuar
muzikën e Aleksandër Lalos dhe Osman Mulës… Në kujtesë më kanë mbetur disa artistë të rinj, të cilët në
kohën e lirë krijonin “banda frymore”, ku në vend të veglave muzikore përdornin lugë, garuzhde dhe u binin
kapakëve të tenxhereve...
Kryetar i degës së planit në kooperativën bujqësore të Kolshit Ndërkohë që vazhdoja ende stazhin në
kooperativën e Kolshit, vendin e kryetarit të degës së planit në Klos të Fanit e kishte zënë A. Baruti. Kështu
që, ndonëse ende nuk më kishin vënë në dijeni për ndonjë ndryshim, logjikisht unë duhej të zëvendësoja
Myrton në Kolsh e ky të transferohej në Shkodër. Dhe kështu ndodhi. Po shkonte në vend «premtimi» i A.
Kërxhaliut, mendova me vete. Klos me Kolsh kanë ndryshim vetëm një “h”, por në terren janë goxha larg:
Klosi në skaj në Mirditë, kurse Kolshi ngjitur me Kukësin!
Punuam së bashku me Myrton ca ditë të muajit dhjetor për të përgatitur raportin vjetor statistikor dhe pas
kësaj ai u largua. Punën e fillova me pasion dhe me ambicie profesionale për të bërë përmirësime në
mbajtjen e dokumentacionit bazë, në evidentimin më të mirë të punës së kryer nga kooperativistët, në
zhvillimin e analizave ekonomike që t’i shërbenin rritjes së vlerës së ditës së punës. Fillova të hyj më thellë
në problemet e kooperativës, të përgatis raportet e analizat për kryesinë e kooperativës, në të cilat gjeja
mirëkuptimin e kryetarit Xhemë Visha.
Në zgjedhjet e organizuara në prill të atij viti më zgjodhën edhe sekretartë komitetit të rinisë të kooperativës, kurse konferenca më zgjodhi anëtar të plenumit të BRPSH-së të rrethit. Po më tërhiqte puna me rininë, prandaj po përpiqesha për ta gjallëruar jetën e organizatave duke aktivizuar edhe të rinj nga sektorët e arsimit, shëndetësisë etj.
Në punë e sipër po përfitoja përvojë, e cila do të më ndihmonte në karrierën time profesionale të mëvonshme. Këtu fillova të botoj për herë të parë edhe në gazetën lokale «Kukësi i Ri». Pra, e kisha marrë shtruar, memendimin për të mbushur «afatin» tim këtu, në këtë ekonomi dhe pastaj tëtransferohesha… në Korçë. Kjo ishte dëshira ime në këtë kohë.
Por, përkundër këtij mendimi, nga fundi i muajit qershor Komiteti iPartisë kishte kërkuar karakteristikën time. Po përse kaq shpejt, kur nuk ikisha mbushur ende 6 muaj si kryetar i degës së planit? Në karakteristikën e firmosur nga B. Vata viheshin në dukje përpjekjet nga dhjetori 1974 deri në qershor 1975 për të ngritur nivelin e punës në degën e planit, për zhvillimin e ekonomisë kooperativiste. Përmbajtja e saj ishte në frymë pozitiviste.
Sinan Demhasa, sekretari i Komitetit të Partisë të rrethit, që mbulonte kuadrin, në fund ka vënë shënimin: “Dakord, të vihet në dokumentet e tij si kuadër”.
Inspektor në Inspektimin e Shtetit?
Disa ngjarje të ndodhura gjatë vitit 1974 e kishin rënduar gjendjen e përgjithshme social-ekonomike e shoqërore në rreth. Për të përmirësuargjendjen, në rreth u dërguan grupe ndihme e kontrolli nga qendra. Kalam Apostoli, kryetar i Inspektimit të Shtetit, në një takim me kuadrot drejtues të ndërmarrjeve ekonomike nxori mjaft shkelje dhe propozoi masa përpërgjegjësit.
Nuk kam pasur fare dijeni për kërkesën që është bërë për të më emëruar inspektor në Inspektimin e Shtetit me qëndrim në rrethin e Kukësit! Me këtë fakt për herë të parë u njoha kur dosja e punës ra në dorën time në qershor 1992. Në dosje është edhe një karakteristikë e firmosur nga Sekretari i Komitetit të Partisë S. Demhasa më datën 27 qershor 1975. Kjo do të thotë që karakteristika e firmosur nga Baftjari është bërë para kësaj date, ndoshta në datat 22-25 qershor. Disa shprehje të njëjta për të dy karakteristikat tregojnë që Baftjari i është përgjigjur një kërkese të sekretarit të Komitetit të Partisë. Në karakteristikën e firmosur nga S. Demhasa, mes të tjerave, shkruhet: …. «Si kuadër i ri është shquar edhe për preokupacion e dashuri për profilin e punës. I sjellshëm me masën e kooperativistëve dhe duke punuar bashkë me ta, gjë për të cilën ka fituar respektin e tyre…Duke parë përbërjen e tij, punën dhe perspektivën, mendojmë të emërohet inspektor i Inspektimit të Shtetit me qëndrim në rrethin tonë, detyrë të cilën me ndihmën që mund t’i jepet, i ka të gjitha kushtet për ta kryer mirë”.
Po përse nuk u emërova në këtë detyrë? Në faqen mbrapa të karakteristikës, inspektori i kuadrit në Komitetin Ekzekutiv të KP të rrethit Ndue Marku ka vënë shënimin: “U gjënd në arkiv e pa sistemuar”. Kukës, 9.10.1985. Pra, është sistemuar pas dhjetë vjetësh! Tani e kam të qartëpërse nuk jam emëruar aty: Ishte më e ngutshme zgjidhja e problemit të NB-së së Krumës!
Gjyqi ndaj drejtuesve të NB-së së Krumës
Nga fillimi i muajit korrik 1975 na njoftuan për të marrë pjesë në një gjyq që do të zhvillohej ndaj ish-drejtorit të NB-së së Krumës si dhe disa kuadrove e specialistëve të kësaj ndërmarrjeje. Gjyqi bëhej në pallatin e kulturës në qytetin e vjetër, por kishin vënë megafona që të dëgjohej edhe jashtë sallës. Me disa shokë të mi e ndoqëm procesin nga jashtë. Akuza e prokurorit dhe pyetjet e gjyqtarit të shtinin frikën, pasi çështja penale kishte kaluar nga “shpërdorim detyre” në “sabotim në përpjesëtime të mëdha të ekonomisë socialiste”. Ky nen të çonte në dënim të rëndë, sido që nuk na e merrte mendja se do të kishte dënime kaq të rënda....
Gjyqi na la një shije të hidhur dhe na tronditi edhe ne që sapo kishim dalë në jetë. Por nga ana tjetër ishte një paralajmërim për më tepër kujdes në raportimet e vlerave materiale e financiare, pasi këto mund të na ndodhnin në ekonomitë ku punonim. Sidoqoftë, atëherë unë e ndieja veten larg ngjarjeve të NB-së së Krumës…
Kryetar i degës së planit në NB-në e Krumës!
Nga mesi i muajit korrik më njoftojnë që të paraqitem në Komitetin e Partisë. Ndërtesa ishte në qytetin e ri dhe ishte hera e parë që po shkoja atje, pasi lidhjet ne i kishim me seksionet e Komitetit Ekzekutiv e sidomos me ato të bujqësisë dhe të planit. Më thanë se më priste Filip Boçi, sekretar i Komitetit të Partisë për bujqësinë. Në pritje ishte edhe S. Sulejmani, përgjegjës i zyrës së kuadrit, gjë që nënkuptonte ndonjë lëvizje kuadri të re.
Filipi e filloi bisedën në formë shoqërore, pastaj shpejt vijoi me vendimin që kishte marrë Sekretariati i Komitetit të Partisë për të më emëruar kryetar
të degës së planit në NB-në e Krumës, e cila ishte ekonomia bujqësore mëe madhe në zonën e Hasit por edhe e rrethit të Kukësit.
Unë jam i ri, shoku…. Por pa e mbaruar mirë fjalën, ai tha se vërtet isha i ri, por kisha edhe përvojën e Kolshit, prandaj kishin besim se do ta kryeja me sukses këtë detyrë. Ai tha se partia kishte dërguar aty kuadrotmë të mirë (këtu përmendi I. Dyrmishin dhe V. Gjokollarin) me qëllim që ta nxjerrim Krumën nga prapambetja. Po kështu, NB Kruma po plotësohej edhe me kuadro dhe specialistë të tjerë. Veç kësaj, ai shtoi se duhej të paraqitesha sa më shpejt, pasi vendi i shefit të planit ishte bosh prej tremuajsh.
Mungon karakteristika për emërimin në NB-në e Krumës
Nga shqyrtimi i dosjes, del se aty mungon një karakteristikë e veçantë me propozim për t’u emëruar në NB-në e Krumës, siç ka pasur në rastet e mëparshme apo të mëvonshme. Në fletën e llojit të punëve që keni bërë, del thjesht vendimi i Sekretariatit të Komitetit të Partisë të rrethit me numër 266, datë 7.7.1975, që më emëronte kryetar të degës së planit.
Pse nuk është sistemuar në kohë karakteristika e S. Demhasës, kur dihet se procedurat për emërim e lëvizje të kuadrove nga organet partiake apo
shtetërore nuk mund të bëheshin pa një karakteristikë pune?
Në dosje nuk gjen shpjegime. Shpjegimi mund të jetë ky: plotësimin e vendit bosh të kryetarit të degës së planit në NB-në e Krumës Sekretariati i Komitetit të Partisë e ka vlerësuar si më prioritare ndaj kërkesës së Inspektimit të Shtetit! Sigurisht, në këtë vendim do të ketë ndikuar edhe kërkesa e përsëritur e drejtorit Izet Dyrmishi. Këtë do ta kuptoja më mirë kur do të shkoja ta takoja vetë aty... Si do të kishte shkuar jeta ime nëse do të isha emëruar qysh më 1975 aty? Shumë hamendje mund të krijohen tani, po më mirë që nuk e kam ditur atëherë, pasi u përkushtova tërësisht në detyrën time të kryetarit të degës së planit në NB-në e Krumës.
GUSHT 1975 - SHTATOR 1979 - KRYETAR I DEGËS SË PLANIT NË NB-NË E KRUMËS
Dita e parë në Krumë
Më 1 gusht 1975 u nisa për në Krumë me autobusin e linjës, (një 30-vendësh), i ulur andej nga fundi. Po e bëja këtë udhëtim atje për herë të parë dhe me kurreshtje pasi historikisht . Kruma ka qenë kryeqendra e zonës së Hasit. Ndërsa me emërimin në Klos të Fanit e kisha drejtimin për në brendësi të vendit,tani po shkoja më në veri, përkrah kufirit të at’hershëm me Kosovën, afër me rrethin e Tropojës.
Me vete kisha një valixhe (prej kartoni), ku kisha vendosur “gardërobën” time, përfshirë edhe një radio-transistor me bateri “Iliria”, prodhim i URT, Durrës. Me siguri do të kem lënë përshtypjen e një “jabanxhiu”, ndoshta të ndonjë arsimtari, pasi ata ishin më të shumtë në atë kohë. Pyetjeve të rastit u ktheja përgjigje të shkurtra, më tepër meditoja.
Rruga prej 32 km, e ndërtuar me aksion më 1969, ishte e paasfaltuar, por jo dhe fort e keqe. Pamjet që dilnin para dhe anash dritareve të hapura
gjithashtu nuk dukeshin aq të ashpra sa i kisha menduar. Madje, pasi dolëm në Tregtan, nuk pashë më ndonjë shkëmb, por kodra me bimësi pyjore e toka ara të sapokorrura nga gruri apo të mbjella me misër e foragjer. Pas më shumë se një ore, autobusi ndaloi aty ku kishte stacionin, afër postë-
telegrafës, përballë një ndërtese dykatëshe, ku i sipërmi ishte hotel, kurse kati i parë restorant.
Kjo ishte “qendra” e qytetit (apo qytezës) të vjetër të Krumës.
Ishte mesditë e vapë. Pasi zbrita dhe po kërkoja dikë për ta pyetur për zyrat e drejtorisë së ndërmarrjes bujqësore u përballa me një djalë të ri, të shëndoshë, të nxirë nga dielli. Ai, duke e ndier se do të isha ndonjë specialist i ri i ndërmarrjes, u tregua i gatshëm për të më shoqëruar atje.
Adem Muneka, kështu quhej, ishte fillrojtës i zonës.
Pas nja 10 minutash në një rrugë këmbësore në arën e korrur nga gruri, arritëm te ndërtesa e drejtorisë e NB-së së Krumës. Trokitëm dhe hymë pasi dikush nga brenda na dha lejen. Zyra e planit ishte një dhomë mesatare, me dy tavolina të kryqëzuara me sistem T-je, me tri karrige, me një dritare me hekura e drejtim nga veriu.
“Shefi planit tuj”, iu drejtua Ademi personit që dukej se ishte ulur nëkrye të T-së që duhej të ishte karrigia e shefit, një mesoburrë me mustaqe, ndërkohë që unë i zgjata dorën. Ky lëvizi pak, më dha dorën dhe më ftoitë ulesha në karrigen bosh. Ndërkohë Ademi, duke e konsideruar të kryer
detyrën e tij, na mori leje të largohej.
- Pa hë, bre burrë, përse kini ardhë?
Mbeta i befasuar nga kjo pyetje, por mendova se vendimi për emërimin tim nuk do të kishte ardhur ende, prandaj aty për aty iu përgjigja:
- Do të bisedojmë më vonë, por më parë dua të takoj shefin e kuadrit.
Lashë valixhen aty dhe dolëm në korridor ku “mesoburri me mustaqe” më orientoi me dorë të gjeja zyrën e shefit të kuadrit që ishte në anën e kundërt të zyrës së planit. Ai u fut përsëri brenda, kurse unë nga më drejtoi ai. Sapo u prezantova, Ibrahim Peçaku, kështu quhej përgjegjësi i kuadrit, më tha se vendimi kishte ardhur, e kishte mbi tavolinë dhe m’i lexoi ata pak rreshta me numër, datë, paga mujore etj. Ndërkohë që ne po bisedonim, ia behu “burri me mustaqe”.
- Po më fal, bre burrë, se nuk jena marr’ vesh. Kujtova se ishit shefi i planit t’ujrave.
- Nuk ka problem, gjëra që ndodhin, këtu do të jemi tani, - iu përgjigja.
Kishte ndodhur një keqkuptim, të cilin Shaban Haxhia, kështu quhej
“burri me mustaqe”, ekonomisti i furnizimit në degën e planit, ma shpjegoi
kur hymë në zyrë duke më drejtuar te karrigia e shefit dhe ai duke u ulur
në karrigen e vet .
- M’u dëgjua se ishit “shefi i planit i ujrave”.
Shqiptimi: “t’ujrave” kishte “hyrë në ujë” dhe ishte bërë “t’uj”. Ademi që ishte ende te dera e daljes nga zyrat, e kishte pyetur: - Hë, si t’u duk shefi i ri?
- Ç’thua, more, po a nuk ishte ai shefi i planit i ujrave?
- Ama, ç’jena marr vesh! - i kishte thënë Ademi duke tundur kokën.
Maj 1974.
Me Damian Sinanin dhe Skënder Gjatën
duke diskutuar për artikullin
Pamje e qytetit të Krumës në fillim të viteve 1970
Takim me drejtorin
Izetin e takova në kafen në “qendër” të Krumës, në pasditen që mbërrita. Ai ishte duke biseduar me nëndrejtorin e ndërmarrjes, Gjergj Kolën, agronom nga Fani. Pasi i përshëndeta dhe më ftoi të ulesha, shprehja e parë ishte: “Po ku je, o Luan, se po të presim!”. Posti kishte rënë, por diçka
kishte mbetur nga autoriteti i sekretarit të parë, prandaj nuk fola. Fakti që “po më prisnin” tregonte se jo vetëm kishte dorë në emërimin tim, por edhe padurim pse po vonoja. Kjo më kujtoi edhe porosinë e F. Boçit kur më komunikoi vendimin e emërimit për t’u paraqitur sa parë në detyrë. Më
pas, gjatë bisedës së tyre, fillova të njihem me detyrat më të ngutshme të atyre ditëve, të dëgjoj për herë të parë emra kuadrosh e specialistësh dheemërtime sektorësh të ndërmarrjes.
Organizimi dhe drejtimi i NB-së së Krumës
Një nga mangësitë e para që vërejta kur fillova punën në NB-në e Krumës ishte mungesa e një rregulloreje për organizimin dhe funksionimin e saj. Pra, nuk kishte përshkrim për detyrat që duhej të kryenin drejtori, zv.drejtori, kryeagronomi, kryetarët e degëve, si të prodhimit, planit, financës, kuadrit apo personelit, përgjegjësit e sektorëve e nivele të tjera më të ulëta. Këto ishin organizuar sipas praktikave të trashëguara më parë.
Por duke u thelluar më tej më doli se nuk ekzistonte as ndonjë rregullore tip për NB-të në shkallë vendi, siç ishte miratuar në atë kohë për kooperativat bujqësore. Si e kishte lejuar këtë mangësi Ministria e Bujqësisë? Kjo duhej korrigjuar, pasi mungesa e rregullores për detyrat dhe përgjegjësitë e personave drejtues, degëve e sektorëve linte shtigje për mbivendosje kompetencash e mungesë përgjegjësie. Kjo kishte sjellë sipasojë edhe disa nga shkeljet që kishin ndodhur në rastin e administrimit të prodhimit të misrit dy vjet më parë.
Pasi nuk gjeta ndonjë praktikë të shkruar në ndërmarrje dhe në
drejtorinë e NB-ve në Ministrinë e Bujqësisë, fillova të interesohem në
NB-të e tjera. Më dërguan pjesë rregulloresh për degë të veçanta nga NBja e Thumanës, që kishte përvojë në organizim si dhe ndonjë tjetër.
Mbi këtë bazë si dhe nga rregullorja tip e kooperativave bujqësore, brenda tre-katër muajve të parë arrita të përshtat një rregullore për ndërmarrjen tonë. Drejtori, Izeti, e lexoi, bëri disa vërejtje, të cilat i korrigjova dhe më pas e firmosi. Kështu kjo rregullore u bë e detyrueshme për të gjitha degët brenda drejtorisë dhe sektorët e ndërmarrjes. Një kopje të rregullores e nisa edhe në drejtorinë e NB-ve në Ministrinë e Bujqësisë, që shërbeu si nxitje për të hartuar një rregullore tip në shkallë vendi.
Rregullorja pati ndikimin e saj që të dilte më në pah përgjegjësia e secilit dhe të parandaloheshin ato shkelje që ishin bërë në vitet e mëparshme.
Dua të vë në dukje me këtë rast se të punuarit me përgjegjësi të përcaktuara qartë për degë, sektorë apo poste m’u bë një “ves” që më ka shoqëruar në detyrat e mëvonshme. Një metodë e tillë është paksa burokratike, por ndikon në shmangien e shkeljeve ligjore dhe të korrupsionit.
Ekipi drejtues i NB-së së Krumës në qendër
Ekipi drejtues kur fillova punën në NB-në e Krumës përbëhej nga kuadro të njohur e me përvojë, specialistë të përgatitur e të përkushtuar për detyrat e ngarkuara. Më i riu isha unë, me vetëm dy vjet përvojë pune, por i shqetësuar për detyrën si gjithë të tjerët.
Drejtori Izet Dyrmishi
I. Dyrmishin e gjeta sekretar të parë të Komitetit të Partisë të rrethit kur shkova për herë të parë në Kukës në gusht 1973. Ai ishte në këtë detyrë prej dhjetorit të vitit 1968, pasi më parë kishte pasur të njëjtën detyrë në rrethin e Tropojës dhe një përvojë të shkurtër në aparatin e KQ të partisë.
Në fillimet e tij kishte pasur detyra partiake edhe në Skrapar e Berat.
Opinioni në atë kohë ishte i ndarë lidhur me emërimin e Izetit në NBnë e Krumës: shumica e besonin vërtet se atë e kishin dërguar aty për të nxjerrë ndërmarrjen nga prapambetja. Ata e kishin dëgjuar se e kishte pritur mirë emërimin këtu pas shkarkimit si sekretar i parë. Ata e shikonin që ai përpiqej, por vetë Kruma ishte një “kafshatë që nuk kapërdihej”.
Por ndërkohë qarkullonte edhe një mendim tjetër që Izetin e kishin sjellë këtu për “ta djegur”. Drejtuesit e partisë dhe pushtetit në rreth, por edhe në qendër, jo vetëm nuk po e ndihmonin, por po e shkurajonin në punën e tij të re. E kishin emëruar drejtor, por në të njëjtën kohë e kishin “hequr” si deputet në Kuvendin Popullor dhe anëtar të byrosë së partisë të rrethit. Kjo shfaqej edhe në ndonjë detaj si pa rëndësi.
Kryeagronomi Vangjel Gjokollari
Vangjeli ishte njohës i mirë i bujqësisë, me një përvojë të gjatë pune. Kishte filluar studimet për agronomi në Zagreb, por pasi u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, i vazhdoi në Tiranë. Ishte në grupin e studentëve të parë që krijuan ILB më 1951. Ai i kishte kaluar të gjitha hallkat e karrierës: agronom sektori, kryeagronom në NB-në e Thumanës, zv/kryetar i komitetit ekzekutiv të kp të rrethit të Krujës për bujqësinë.
Kishte qenë kërkesa e Izetit, si sekretar i parë, për ta “marrë” Vangjeli detyrën e zv/kryetarit të komitetit ekzekutiv në rrethin e Kukësit në vitin 1972. Më 1975, pasi u “godit” Izeti, e “pësoi” edhe Vangjeli. Kur Izeti u transferua në NB-në e Krumës, Vangjeli e ndoqi në rolin e krahut të djathtë, të kryeagronomit të ndërmarrjes. Kur Izeti u shkarkua, Vangjeli pësoi një ulje nga kryeagronom në kryetar i degës së prodhimit. Më pas, në vitin 1978, Vangjelit “ulja’ i doli për mbarë, pasi u transferua në detyrën e shefit të seksionit të bujqësisë të rrethit të Tiranës.
Në dosjen time kam një karakteristikë që mban datën 10.5.1977, të shkruar me dorë nga Vangjeli, në cilësinë e sekretarit të organizatës së partisë të administratës, ku në fund shprehet për mua se “është shok me perspektivë”. Ruaj mbresat më të mira për bashkëpunimin profesional e shoqëror me Vangjelin nga puna në Krumë, por edhe më vonë.
Në detyrën e kryeagronomit Vangjelin e zëvendësoi Ramazan Muça, një specialist i ri vendës, agronom në sektorin e Fajzave. Rama e vlerësonte
përgjegjësinë e detyrës, i njihte mirë terrenin dhe njerëzit. Ishte i ndershëm, por mjaft i ndjeshëm ndaj kritikave. Kështu e përjetoi ai një kritike të I.
Subashit, sekretar i Komitetit të Partisë që mbulonte ekonominë, i cili na kritikoi të dyve për mosrealizim detyrash në një nga numrat e gazetës “Kukësi i ri” të muajit qershor 1978. Unë i thosha me shaka se Islami kishte të drejtë, pasi tani ne kishim mbetur “më të vjetrit”.
Zv/drejtori Gjergj Kola
Gjergji ishte agronom nga zona e Fanit, por familjarisht banonte në Krumë. Si zv/drejtor ai mbulonte aktivitetet e tjera përveç bujqësisë, të cilat drejtoheshin nga kryeagronomi dhe degët përkatëse. Gjergji e njihte mirë bujqësinë dhe NB-në e Krumës dhe për më tepër kishte marrëdhënie të mira me kuadrot kryesorë në rreth. Nuk është e rastit që ishte pikërisht ai që zëvendësoi Izetin pas largimit të tij. Gjergji, ndryshe nga Izeti që e “zhveshën” nga mbështetjet politike pas marrjes së detyrës së drejtorit, u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Me Gjergjin drejtor punova derisa u transferova në Kukës, në shtator 1979.
Kur Gjergji u “gradua” drejtor, vendin e zëvendësit e zuri Isa Brasha, inxhinier mekanik, me origjinë nga një familje e njohur Helshani, pra nga Hasi. Isai ishte kuadër me përvojë, pasi më parë kishte drejtuar SMT–në e rrethit. Ai dha një kontribut efektiv për mbarëvajtjen e sektorit të mekanikës, i cili luante një rol përcaktues për fushatat e mbjelljeve dhe korrje-shirjeve të drithërave të bukës e bimëve të tjera bujqësore.
Kryetari i degës së prodhimit Aqif Hoxha
Aqifi ishte agronom nga Ujmishti. Ai erdhi në Krumë familjarisht, me të shoqen nga Vlora. Aqifi ishte një specialist metodist, që kishte njohuri edhe në problemet ekonomike dhe financiare. Me ndihmën e degës së prodhimit arritëm të hartonim për herë të parë kontot kulturale, të cilat ishin një kombinim i proceseve të punës për çdo bimë, të shoqëruara me efektet ekonomike dhe financiare përkatëse të tyre. Në këtë mënyrë arritëm që të disiplinonim shpenzimet pa kriter. Më vonë Aqifi kaloi përgjegjës i sektorit të parë, atij të Krumës.
Në këtë degë bënte pjesë edhe Nikoll Çupi, agronom për mbrojtjen e bimëve, nga Fani, me të cilin kishim mbaruar ILB-në në të njëjtin vit. Ishte një specialist i ri i përgatitur. Të dy më vonë u transferuan në Kukës dhe më pas në Tiranë, ku edhe i kam takuar në raste të ndryshme.
Kryetarët e degës mekanike
Sektori i mekanikës ishte vendosur në sektorin e dytë, në atë të planit, por i shërbente të gjithë ndërmarrjes. Mekanika luante një rol vendimtar për zbatimin e afateve të vendosura për proceset e punës, veçanërisht për mbjelljen, korrje-shirjen dhe grumbullimin e drithërave të bukës, të cilat përbënin edhe drejtimin kryesor të ndërmarrjes.
Fillimisht kryetar i degës mekanike ishte inxhinieri mekanik Agim Omuri, me origjinë nga Kukësi, por me banim në Tiranë, i cili më parë kishte punuar në NB-në “29 nëntori” të Lushnjës. Ishte punëtor dhe i drejtë, por mekanika haste në vështirësi në tokat e rënda të Krumës. Veç kësaj, ankohej edhe për ndonjë problem shëndetësor, prandaj u transferua shpejt.
Agimin e zëvendësoi Xhemali Elezi, edhe ky inxhinier mekanik nga Kukësi, që kishte punuar më parë në SMT. Përvoja e punës që kishte fituar më parë e ndihmonte të kapte e zgjidhte më shpejt problemet e shumta të mekanikës në ndërmarrje, që vinin edhe për shkak të mungesës së pjesëve
të këmbimit, veçanërisht të importit.
Vendin e Xhemaliut, që u transferua në Kukës, e zuri Esat Dogjani, edhe ky inxhinier mekanik nga Kukësi (Bicaj), i cili kishte qenë më parë kryetar i degës mekanike, por kishte kaluar inxhinier në kuadrin e masave që ishin marrë për drejtues e specialistë të ndryshëm të ndërmarrjes. Prej Esatit kam karakteristikën kur jam transferuar nga Kruma, me cilësinë e sekretarit të organizatës së partisë.
Dega e kuadrit
Kryetari i degës së kuadrit Ibrahim Peçaku ishte vendali dhe kishte qenë më parë kryetar i këshillit popullor të qytetit të
Krumës. Ibrahimi ishte korrekt në detyrën e shefit të kuadrit, por edhe më i afrueshëm me ne të rinjtë. Me Ibrahimin,
kur dilnim nëpër sektorë, bënim edhe ndonjë qitje në natyrë me pistoletën që mbante me leje. Më vonë ai u
zëvendësua nga Ymer Cenalia nga Vranishti, një veprimtar shoqëror mjaft i njohur në këtë zonë. Pas Ymerit erdhi Esat
Cahani, arsimtar nga Cahani, një fshat malor pjesë e ndërmarrjes, tepër korrekt në zbatimin e detyrës.
Dega e planit
Dega e planit në qendër përbëhej nga 3 punonjës: kryetari, që isha unë; një ekonomist për evidencat statistikore ditore
dhe periodike dhe një tjetër me furnizimin materialo-teknik.
Petrit Nenada, një ekonomist i mesëm nga Kruma, rreth të dyzetave, ishte i ngarkuar me statistikat. Petriti kishte një
kaligrafi (shkrim) të rregullt, evidencat i paraqiste në kohë dhe me kujdes. Me anë të këtyre të dhënave drejtori dhe
kuadrot e tjerë të ndërmarrjes orientoheshin për ecurinë e punëve në ndërmarrje, p.sh. për mbjelljet, korrjet, për
prodhimin e grurit, misrit, drithërave në tërësi, perimeve, të qumështit, të vezëve etj.
Petriti, për fat të keq, u nda shpejt nga jeta, nga një sëmundje e rëndë, pasi isha transferuar në Kukës.
Shaban Haxhia, ekonomisti i furnizimit, që përmenda pak më lart, ishte nga Tropoja, me shkollë të mesme. Ai kishte
drejtuar ndërmarrjen e shërbimeve komunale, por më vonë, nuk e di pse, e kishin transferuar në Krumë.
Shabani ishte korrekt në ndjekjen e kontratave, ndonëse në këtë kohë shpeshherë ndienim mungesën e karburanteve, plehrave kimike, veglave të punës etj.
Në korrik 1977 në degën e planit u Apostol Jorgji nga Vergoi i Sarandës, i cili kishte mbaruar Fakultetin e Ekonomisë Agrare dhe do të bënte stazhin pranë meje. Në maj 1978 ai mbrojti diplomën dhe u kthye, por tani me emërim përfundimtar. Po më vinte edhe mua rasti për transferim, pasi po binte argumenti se “nuk kemi më kë të transferojmë”.
Kryetar i degës së planit i NB Krumë,
vitet 1975-1979.
Ekonomistët dhe normistët e sektorëve
Dega e planit kishte në vartësi ekonomistët dhe normistët në të gjithë sektorët. Ata kishin përgjegjësi për plotësimin e rregullt edhe të raporteve të
punës nga brigadierët që përbënin edhe bazën e plotësimit të dokumentevetë tjera. Në kohën kur shkova aty, nuk kishte ndonjë ekonomist me arsim të lartë. Pas një viti në sektorin e parë u emërua Lumnije Dogjani, ekonomiste e lartë nga Tropoja, bashkëshorte e inxhinierit Esat Dogjani nga Bicaj,
kryetare e degës së planit, që kishte kaluar “në prodhim” si pasojë e masave që u morën në atë kohë.
Ekonomistët e tjerë ishin me arsim të mesëm ekonomik, bujqësor, apo thjesht me përvojë praktike. Kështu, në sektorin e planit ekonomiste ishte S. Laçi, vajzë nga një fshat aty afër, në sektorin e mekanikës ishte Bali Sokoli nga Vlahna, që ishte edhe i moshuari, kurse më i riu, Halim Cenalia, ishte nga Fajza. Ai nuk e kishte arsimin e mesëm në atë kohë, por e arrinte atë nivel me një punë të kujdesshme. Në sektorin e mekanikës normist kishim Hysen Didën, një rapsod i talentuar dhe i njohur jo vetëm në Has e në Kukës, por edhe në Kosovë e diasporë.
Pak muaj pasi fillova punën, mobilizova të gjithë ekonomistët dhe normistët për rishikimin e normave të punës dhe njësimin e tyre në shkallë ndërmarrjeje. Rishikimi dhe vendosja e tyre mbi bazën e përvojës së përparuar të vetë ndërmarrjes ndikoi në rritjen e rendimentit të punës,në disiplinimin e fondit të pagave dhe uljen e rasteve të shpërblimeve të pamerituara. Në analizat mujore përpiqesha të përhapja edhe përvojën midis sektorëve. Në marrëdhënie me vartësit, në plan të parë vija edukimin,
trajnimin, kërkesën e llogarisë, për rrjedhojë, nuk m’u dha shkas të propozoj masa për ndëshkimin e ndonjërit prej tyre.
Katër humbjet e kohës
Pak pasi fillova të njoh më mirë punën, terrenin fizik dhe atë shoqëror të ndërmarrjes po vëreja se kishte rrezik të bija në humbje kohe nëse nuke programoja atë dhe e lija në rrjedhje të lirë. Rreziku i parë ishte rënia në plogështi e në mungesë perspektive kur shikoje që specialistë të ardhur nga rrethe të tjera, jo vetëm të bujqësisë, por edhe të degëve të tjera, si arsimtarë, inxhinierë (sidomos të minierave), mjekë, oficerë kishin vite e s’kujtohej njeri për ta.
Kishte prej tyre që ishin të dhënë më shumë se ç’duhej pas pijeve alkoolike, sidomos atyre me ngjyrë që shkonin me të ftohtin e dimrit, tëtjerë që kishin filluar duhanin, që ndiqnin me orë e pa orë radion e sidomos televizorin, ishin të pasionuar pas motoçikletave etj.
Ndërkohë nga filozofia e dija se koha ka një veti karakteristike: është e pakthyeshme. Populli me të drejtë thotë se “koha është flori”. Prandaj duhej përdorur me kujdes koha. Një nxitje më erdhi edhe nga botimi në një numër të revistës “Ylli” të vitit 1975 (nuk më kujtohet muaji), mes disa kurioziteteve, e katër mënyrave të humbjes së kohës, që ishin:
• Duke mos bërë asgjë!
• Duke e bërë gabim!
• Duke mos bërë atë që duhet!
• Duke mos e bërë në kohën e duhur!
Tani që “mësova” katër mënyrat e humbjes së kohës, pyetja që dilte para meje ishte: a do të isha në gjendje ta shmangia rënien në një nga këto katër humbjet e kohës? Aq më tepër që në konceptin e kohës nuk përfshija vetëm atë pjesë për të cilën isha emëruar e paguhesha, por edhe atë që mbetej e lirë pas kohës të gjumit. Sidoqoftë, më pëlqeu ky formulim kaq i qartë, prandaj e ngulita mirë në kokë. Por shpesh, sidomos gjatë ditës,
nga problemet e shumta që dilnin, pa dashur bija në ndonjë prej këtyre “humbjeve”. Prandaj, me qëllim që t’i kisha parasysh, i shkrova me bojë tushi të zi në një gjysmë letre format dhe e futa poshtë xhamit të trashë të tavolinës.
Tani dita ime e punës fillonte me kujtesën për të mos humbur kohën!
Pas pak më shumë se katër vjet në NB Krumë, mora një emërim të ri, por përsëri...brenda rrethit të Kukësit...
Një analizë e shkurtër treguesve kryesorë të NB-së së Krumës në vitet 1975-1985
Tabela me të dhëna për veprimtarinë e NB-së së Krumës për vitet 1975-1985, e përgatitur nga Seksioni i Bujqësisë dhe Banka Bujqësore, Kukës në vitin 1986 në vijim krijon mundësi për të bërë një analizë të shkurtër të treguesve ekonomikë dhe financiarë të saj. Këto të dhëna janë deri në vitin 1985, kur kjo ndërmarrje u nda në dy: NB e Krumës dhe NB e Fajzave, që më parë ishte sektor.
Tabela përmban tregues kryesorë të numrit të familjeve, të banorëve, sa në moshë pune, të punonjësve gjithsej e punëtorëve në veçanti, të fondit
të pagave, të numrit të sektorëve e brigadave, të të ardhurave, shpenzimeve, të humbjes financiare, të investimeve, të plehrave kimike të përdorura, për mekanikën bujqësore, për prodhimin e përgjithshëm bujqësor të ndarë sipas degëve, bimë të arave, pemëtari, blegtori, për sipërfaqen e tokës së punuar, në tokën arë, pemëtore, vreshta, për hapjen e tokave të reja.
Po kështu, vijon me sipërfaqet e mbjella, rendimentet dhe prodhimet e realizuara në drithëra buke, ndarë në grurë, misër, thekër, në perime, patate, tagjira e foragjere, në pemë frutore.
Të dhëna paraqiten edhe për numrin e krerëve, rendimentet dhe prodhimet e mishit, qumështit, leshit, vezëve.
Nga këto të dhëna del se në territorin e NB-së së Krumës ka pasur nga 560 familje më 1975, në 1100 më 1980 dhe 1415 më 1985. Pra, gjatë 11 vjetëve numri i familjeve në këtë ndërmarrje bujqësore është rritur 2.5 herë. Kjo rritje ka ardhur si rrjedhojë e ndarjes së familjeve të mëdha, por edhe e hyrjes së familjeve të reja nga fshatrat, veçanërisht nga familjet e zhvendosura nga fshatrat e përmbytura nga liqeni i Fierzës, nga Bruti e Ramhasi e deri në Vaspas.
Numri i banorëve është rritur nga 4460 më 1975 në 6960 më 1980 dhe 8819 në vitin 1985, ose gati 2 herë më shumë se më 1975. Në vitin 1975 një familje ka pasur mesatarisht 8 anëtarë, në vitit 1980 dhe 1985, rreth 6 anëtarë.
Në vitin 1975 ndërmarrja ka pasur 1490 punonjës, nga të cilët 1380 punëtorë dhe 110 personel drejtues, në vitin 1980 ky numër ka arritur në 2185 dhe në vitin 1985 në 2459 ose 65 për qind më shumë se më 1975.
Fondi i pagave është rritur nga 8770 mijë lekë në vitin 1975, në 11634 mijë në vitin 1980 dhe 12974 më 1985, ose 48 për qind më shumë se 11 vjet më parë.
NB-ja e Krumës ka pasur 6 -7 sektorë dhe 34 brigada më 1975, 50 më 1980 dhe 55 më 1985.
Të ardhurat në vitin 1979 kanë shënuar një rritje prej 4883 mijë lekë ose 55 për qind kundrejt vitit 1975, duke qenë gjithashtu 3129 mijë lekë ose 30 për qind më shumë edhe ndaj vitit 1985. Këto të dhëna tregojnë që veprimtaria e ndërmarrjes ka qenë me luhatje të ndjeshme në treguesin e të ardhurave, madje duke u keqësuar në vite.
Nga ana tjetër, ndërsa në të ardhura janë krijuar mosrealizime, në shpenzime janë shënuar vetëm rritje. Kështu, shpenzimet nga 12276 mijë lekë në vitin 1975 janë rritur në 18302 mijë lekë më 1980, 6026 mijë lekë më shumë ose 49 për qind. Kurse në vitin 1985 shpenzimet kanë arritur në 21160 mijë lekë ose 72 për qind më shumë se më 1975.
Rritja e të ardhurave me një ritëm më të ulët se shpenzimet ka sjellë si rezultat rritjen e humbjes financiare të ndërmarrjes, nga rreth 3000 mijë lekë më 1975 në 5184 mijë lekë më 1980, 2184 mijë lekë më shumë ose rreth 73 për qind. Në vitin 1985 humbja ka arritur në 8716 mijë lekë ose 2.9 herë më shumë.
Nivel më i ulët i humbjes është shënuar në vitin 1975 dhe në vitin 1976 dhe sidomos në vitin 1979 prej 2 301 mijë lekë, që është më ulëta e 11 vjetëve në analizë. Vitet 1975-1979 kanë qenë vitet më të vështira, por edhe më efektivet e stafit drejtues të NB-së së Krumës.
Në treguesit e tjerë NB-ja e Krumës zinte një peshë të rëndësishme në shkallë rrethi për prodhimin e drithërave të bukës, që përbënin edhe drejtimin kryesor të veprimtarisë së saj. Referuar vitit 1985, për të cilin ka të dhëna të botuara krahasuese, NB-ja e Krumës ka prodhuar rreth 30 përqind të prodhimit të drithërave të bukës në shkallë rrethi, ku gruri zinte peshën më të madhe.
Rezultati më i lartë i prodhimit të drithërave të bukës është regjistruar në vitin 1979 prej 47877 kv, nga i cili, grurë 28604 kv ose 59.7 për qind, misër 19108 kv ose rreth 40 për qind dhe një sasi e vogël thekre prej 165 kv ose 0.3 për qind.
Zhvillimi i bujqësisë në NB-në e Krumës ka qenë i karakterit ekstensiv, që do të thotë se prodhimi i drithërave të bukës është bazuar kryesisht në rritjen e sipërfaqes dhe më pak në rendimentin e grurit apo misrit.
Rendimentet në këto kultura kanë qenë të ulëta, në rastin më të mirë, 21 kV/ha për grurin dhe rreth 30 kv/ha për misrin.
Hapja e tokave të reja ka qenë me ritme më të larta në vitet e para dhe ka ardhur duke u ulur në vitet e mëvonshme nga 53, 40, 84, 26, 45 ha në
vitet 1975-1979 në 15, 21, 23, 48, 3, 23, në vitet 1980-1985. Kështu toka e punuar dhe toka arë nuk kanë pësuar rritje të ndjeshme.
Investimet, plehrat kimike, mekanizimet kanë pasur rritje me ritme të ulëta gjatë këtyre viteve të analizuara. Defektet e traktorëve me zinxhirë kanë qenë të shpeshta e të kushtueshme dhe zëvendësimi me traktorë me goma i ngadaltë. Në vitet e fundit pati një rritje të numrit të autokombajnave,
nga 4-5 në vitet 1975-1977, në 13 në vitet 1983-1985.
Në NB-në e Krumës janë mbjellë sipërfaqe të vogla me patate: 10 deri 20 ha dhe vetëm në vitin 1985 janë mbjellë 55 ha. Rendimenti dhe prodhimi ka qenë i ulët. Tradita për mbjelljen e patates ka pasur (dhe ka) zona e Shishtavecit që furnizon edhe një pjesë të tregut vendës.
Gjatë këtyre viteve ka pasur një rritje të ndjeshme të prodhimit të perimeve, kryesisht si rezultat i rritjes së rendimentit më shumë se rritjes së sipërfaqes. Kështu, prodhimi i perimeve në vitin 1975 ishte vetëm 1842 kv, kurse në vitin 1979 4294 kv dhe në vitin 1985 7368 kv ose 4 herë më shumë se më 1975. Kurse rendimenti është rritur nga 54 kv/ha në 147 ose 2.7 herë.
Një rritje e ndjeshme është shënuar edhe në prodhimin e tagjirave e foragjereve, që si dhe në rastin e perimeve, rritja më e ndjeshme ka ardhur kryesisht nga rritja e rendimentit.
Pemëtaria, si nga numri i tyre, rendimenti për rrënjë e prodhimi nuk ka ecur mirë; në të kundërtën, këta tregues kanë ardhur në rënie. Kështu, ndërsa në vitin 1975 kishte 28615 pemë në prodhim me një rendiment 5.8 kg për rrënjë dhe prodhim 1862 kv, në vitin 1985 këta tregues ishin përkatësisht 30660 rrënjë 2.8 kg për rrënjë dhe 874 kv!
Në përgjithësi, ka pasur një rritje nga njëri vit në tjetrin në treguesit e blegtorisë, si në numrin e krerëve, të rendimentit e të prodhimit të qumështit, mishit, leshit e vezëve.
Numri i lopëve është dyfishuar gjatë këtyre viteve, nga 213 më 1975 në 436 në vitin 1985, delet janë rritur 1.2 herë, dhitë 3.8 herë.
Pozitiv është fakti që bashkë me numrin e krerëve është rritur edhe rendimenti i tyre: qumësht nga një lopë nga 1277 kg më 1975 në 1931 kg më 1985 ose 51 për qind më shumë, qumësht nga një dele, nga 20 kg në 48 kg, 2.4 herë më shumë, qumësht nga një dhi, nga 71 kg, në 101 kg ose
42 për qind. Si rrjedhojë e rritjes së dy treguesve, numrit dhe rendimentit, është rritur edhe prodhimi i qumështit, nga 3381 kv më 1975, në 12029 kv më 1985 ose 3.5 herë.
Po kështu, me ritme të shpejta është rritur edhe prodhimi i mishit, nga 425 kv, në rreth 1500 kv ose 3.5 herë si dhe i leshit, nga 21 kv në 55 kv ose
2.6 herë. Ndërsa në prodhimin e vezëve ka pasur rënie, që ka ardhur për rënie të numrit të krerëve dhe të rendimentit për krerë.
Disa tregues kryesorë të NB-së së Krumës për vitet 1975-1985
2) Fondi i pagave, të ardhurat, shpenzimet, humbja, dëmet, investimet, prodhimi bujqësor janë në mijë lekë.
3) Dëmet nga fuqi madhore, të cilat rimbursoheshin nga sigurimet shtetërore.
4) Prodhimi i Përgjithshëm Bujqësor.
5) Numri i krerëve të lopëve foragjere është mesatar vjetor, ndërsa numri i krerëve të
deleve dhe të dhive është gjendje në fillim të çdo viti dhe numri i krerëve të të leshtave
dhe të dhirtave është gjendje në fund.