STATISTIKA EKONOMIKE DHE SOCIALE
(SES)
Dr. Pasko VAKO
Parashqevi AVDULAJ (VAKO)1)
Me zhvillimin e marrëdhënieve të tregut, në mënyrë objektive rritet edhe roli i statistikës ekonomike dhe sociale (SES) si instrument diagnostikues
e veprues i analizës së fenomeneve dhe proceseve ekonomiko-sociale dhe si faktor i rëndësishëm i përsosjes operative efektive. Në këto marrëdhënie
ajo është një prej orientuesve më të rëndësishëm për përcaktimin e politikës ekonomike.
SES është shkenca e burimit dhe sigurimit të të gjithë informacionit sasior dhe cilësor mbi nivelin dhe mundësitë e zhvillimit të vendit si nga ana ekonomike e demografike, ashtu edhe nga ana sociale. Ajo është edhe një instrument diagnostikimi i veprimtarisë funksionale, i nevojshëm për njohjen e gjendjes, për hartimin e politikave ekonomike dhe marrjen e vendimeve e masave adekuate politike të drejtimit dhe menaxhimit të vendit.
1) Parashqevi Avdulaj (Vako) kreu studimet me rezultate të shkëlqyera në degën e Financës në Fakultetin e Ekonomisë (UT). Me eksperiencën e saj mbi 30-vjeçare në fushën e financë-bankës dhe pagesave pranë Bankës së Shqipërisë dhe Opportunity Albania, të mësimdhënies dhe administrimit pranë Kolegjit Universitar “LOGOS” ka dhënë ndihmesë të veçantë në disa pjesë të librit.
Ajo është pasqyra ku pasqyrohet organizmi i gjallë ekonomiko-social, ndonjëherë i tëri, ndonjëherë pjesët e tij përbërëse. SES është një dritare e re për të njohur më mirë vendin e botën dhe zbatimi praktik i saj bën tënjihet më mirë edhe rajoni e sektori, ndërmarrja e biznesi. Veç njohjes, ajo shërben sidomos si orientues dhe është mjeti i vetëm për orientim dhe për të analizuar praktikisht ekonominë dhe shoqërinë.
SES ka si qëllim zbulimin e ligjësive statistikore të gjendjes e të zhvillimit të njësive të vrojtuara të bashkësive të ndërlikuara si dhe ligjësitë e ndikimit të faktorëve në ndryshimin e vetive të bashkësive në studim në kohë e në hapësirë. Ajo synon gjithashtu edhe zhvillimin e mendimit statistikor ekonomik duke aplikuar parime, rregulla, metoda, metodologji e mjete të reja e tregues të matjes dhe analizës sasiore të fenomeneve ekonomiko-shoqërore. E madhe është ndihma e saj për njohjen dhe futjen e standardeve botërore, për zgjerimin e gamës së treguesve statistikorë dhe për përsosjen e metodologjisë së llogaritjes së tyre, për shtimin e informacionit statistikor dhe kënaqjen e nevojave me të, për kontrollin e realizimit të programeve dhe të detyrave në treguesit kryesorë të ndërmarrjes, degës dhe për gjithë ekonominë e vendit.
Për nevojat e politikës ekonomike të stabilizimit, SES llogarit vazhdimisht indikatorët e “Katërkëndëshit magjik”, që janë rritja ekonomike, niveli i punësimit, stabilizimi i çmimeve të konsumit dhe përafrimi i eksportit me importin në tregtinë e jashtme. Po kështu vepron edhe për llogaritjen në vazhdimësi të treguesve përkatës, që u nevojiten llojeve të tjera të politikave ekonomike. Ajo, pra, është jo vetëm e domosdoshme dhe bashkëkohore, por edhe shumë e dobishme. Në themelin e saj qëndron shkrirja organike e praktikës më të mirë me trajtimin aktual shkencor dhe standardet bashkëkohore ndërkombëtare dhe fund e krye përshkohet nga ideja e lidhjes sa më të ngushtë të teorisë me praktikën statistikore. Me anë të sistemit të llogarive kombëtare ajo ka bërë të mundur lidhjen më të mirë midis statistikës dhe kontabilitetit, si dhe lidhjen e problemeve ekonomike me ato financiare e bankare, të atyre ekonomike me ato sociale e demografike.
Metodologjia ndërkombëtare, bazuar në SLLK, e aplikuar në praktikën tonë, sjell ndryshime të rëndësishme në përmbajtjen e nocioneve dhe kategorive, të klasifikimeve dhe grupimeve që përdoreshin më përpara, ajo kërkon futjen e metodave dhe treguesve të rinj, të cilët ky tekst i trajton.
Ndryshimet e bëra në praktikën statistikore kërkojnë dhe lejojnë të formohet praktikisht një statistikë e re, që t’u përgjigjet kushteve të ekonomisë së tregut dhe të jetë në përputhje me parimet themelore të statistikës zyrtare të miratuara nga Komisioni i Statistikës i OKB-së dhe Eurostatit.
Duke trajtuar nocione dhe përkufizime të qarta bashkëkohore, me anën e treguesve statistikorë është paraqitur shumë më mirë edhe ndërlidhja reciproke e thelbit të fenomeneve e proceseve (ana cilësore) me përcaktimin numerik të tyre (ana sasiore), çka i shërben shumë mirë edhe analizës së tyre.
Statistika ekonomike dhe sociale është gjuha universale e informacionit, që lejon komunikimin ndërmjet ekonomistëve të të gjitha vendeve dhe të të gjitha drejtimeve, të veprimtarëve shtetërore, të politikanëve, studiuesve, juristëve, sociologëve, financierëve, ekonomistëve, statisticienëve, biznesmenëve, menaxherëve të ndërmarrjeve dhe të firmave, investitorëve, gazetarëve etj. Me ndihmën e kësaj gjuhe në teorinë ekonomike përpunohen “metodat organizative dhe sistematike të argumentimit”.
Në anën tjetër të saj, SES është grumbullim hipotezash konsistente që numërojnë vetitë esenciale të ligjësive të realitetit të ndërlikuar. Ajo jep nocionet kryesore që studiojnë ligjësitë sasiore të fenomeneve dhe proceseve ekonomike e shoqërore mbështetur në përcaktueshmërinë dhe përmbajtjen e tyre cilësore.
SES është një kompleks dijesh sistematike e metodash statistikore mbi fenomenet dhe proceset ekonomike e shoqërore që ekzistojnë realisht.
Ajo na njeh me nocionet, rregullat, metodologjinë aktuale dhe standardet ndërkombëtare si dhe me treguesit bashkëkohorë të statistikës, duke krijuar hapësirën e informacionit adekuat për përgatitjen e ekonomistëve analizues, të aftë që të përcaktojnë drejtimet prioritare të zhvillimit ekonomik e social në kushtet e ekonomisë së tregut.
Meritë e SES është fakti që në strukturën e saj përmbahen nocionet, metodat, treguesit dhe metodologjia bashkëkohore e llogaritjes së tyre, të cilët përdoren si nga statistika makroekonomike dhe nga ajo mikroekonomike, d.m.th si në nivel vendi e dege, ashtu dhe për ndërmarrjen.
Drejtimi analitik është karakteristik e SES dhe përfshin metoda të ndryshme statistikore, si atë të indekseve në analizën faktoriale të madhësive mesatare, atë të analizës së korrelacionit e regresionit, atë për vlerësimin e lidhjeve të ndërsjella, llogaritje të sakta të treguesve statistikorë etj. Pra,
SES është syri (sepse vrojton gjithçka) dhe truri (i specialistit që analizon) i shoqërisë.
Ajo përdor Sistemin e Llogarive Kombëtare dhe Metodën e Vlerësimeve të Argumentuara (MVA), që është një metodë specifike e prioritare për SES, e cila ka si qëllim përfitimin e treguesve përgjithësues makro-ekonomikë. Po ashtu, ajo ka përpunuar mirë treguesit ekonomikë, financiarë, demografikë dhe socialë etj. në shërbim të analizës statistikore për të nxjerrë në dukje ligjshmëritë statistikore dhe ndikimin e faktorëve në funksion të një interpretimi shkencor të tyre me qëllim që t’i shërbejnë marrjes së vendimeve sa më të drejta e shkencore dhe hartimit të politikave ekonomike e sociale sa më të mira. Rëndësia e llogaritjeve makroekonomike mbi bazën e treguesve të sistemit të llogarive kombëtare dhe mungesa e literaturës dhe e specialistëve të kualifikuar krijojnë domosdoshmërinë e ngutshme të zhvillimit të kësaj disipline, e cila përbën një vlerë të re tështuar për përgatitjen e studentëve, kryesisht të fakulteteve ekonomike dhe atyre sociale.
Botimi i SES dhe përfshirja në programet mësimore do të ndihmojë që tekstet teorike të statistikës t’i afrohen e të barazohen me praktikën statistikore të vendit tonë, e cila aktualisht është më përpara nga teoria statistikore. Qëllimi i saj është që t’u bëjë të njohur studentëve bazat e analizës sasiore të fenomeneve e proceseve ekonomike e sociale, që janë karakteristike të sistemit ekonomik e social dhe t’u mësojë të interpretojnë drejt ndryshimet e ligjshmërive që ndodhin në ekonomi dhe në jetën sociale. Si rezultat i përvetësimit të tekstit, studentët do të njohin sistemin e treguesve statistikorë, do të munden të analizojnë të dhënat, të nxjerrin konkluzionet përkatëse dhe të bëjnë propozimet e duhura. Ndërsa në botë ajo zhvillohet në disa qindra universitete, te ne mungon prej mbi 30 vite.
Mungesa e saj për një kohë kaq të gjatë ka krijuar një boshllëk në mirëpërgatitjen e studentëve tanë. Duke mbushur këtë boshllëk, botimi i saj është risi që i jep njëkohësisht edhe një vlerë të re të shtuar fondit të literaturës ekonomike.
Sot qëndron tepër i mprehtë problemi i rritjes së dijeve të ekonomistëve.
Kalimi në ekonominë e tregut dhe zhvillimi i mëtejshëm i SES varen shumë nga cilësia e përgatitjes së teksteve të statistikës dhe të vetë ekonomistëve.
Dihet se të gjitha fenomenet e proceset janë të ndërlidhura reciprokisht, prandaj ato duhet të shihen si nga ana ekonomike, ashtu dhe nga ana sociale, problem ky që realizohet me këtë tekst. SES është e prekshme dhe e kuptueshme për të gjithë përdoruesit e saj.
Në tekst paraqiten çështjet e përmbajtjes së SES në kushtet e ekonomisë së tregut, ekspozohet rëndësia e sistemit të llogarive kombëtare (SLLK) në studimin statistikor të proceseve ekonomiko-sociale; jepet përmbajtja e SLLK, nocionet kryesore e përkufizimet, klasifikimet dhe rregullat e evidentimit e të aplikimit të SLLK; parimet e përgjithshme të ndërtimit të tij; llogaritë kryesore; metodat e llogaritjes së PBB si treguesi kryesor i SLLK; treguesi i rritjes ekonomike; jepen tabelat e burimpërdorimeve; statistikat e popullsisë dhe të tregut të punës; statistikat e pasurisë kombëtare dhe bilanci i aktiveve dhe pasiveve; ajo e shkencës dhe inovacionit; e sipërmarrjes, e ndërmarrjeve dhe e investimeve; e të ardhurave, shpenzimeve, e konsumit dhe mbrojtjes sociale të popullsisë, ku theksohen për herë të parë shtatë ligjshmëritë e konsumit të buxhetit të familjeve, metodat e matjes së pabarazisë në të ardhurat dhe treguesit e varfërisë; statistikat e degëve të sferës sociale dhe e kushteve të jetesës së popullsisë; statistikat juridike; e çmimeve e tarifave dhe inflacionit; e financave dhe ato bankare; e lidhjeve të jashtme ekonomike, statistikat doganore, e rregullimit të valutës dhe e kontrollit të saj, e bilancit të pagesave; e treguesve të efektivitetit ekonomik të faktorëve të prodhimit; e modelimit dhe e prognozimit ekonomiko-social të fenomeneve, ku përdoren bashkërisht metodat e statistikës dhe ato të statistikës matematike për qëllimet e një analize më të thellë, ku me aplikimin e këtyre metodave një vëmendje e veçantë i kushtohet prognozimit të proceseve ekonomikosociale.
Teksti që botohet për herë të parë pas 32 vitesh përmban material statistikor të paktën sa të 4 teksteve (statistikë ekonomike, statistikë sociale, financiare-bankare, statistikë e popullsisë etj. Zhvillimi i SES në universitete shton edhe numrin e personelit akademik të profilizuar përkatësisht.
Në tekst jemi përpjekur që secili përdorues i tij të ketë mundësinë e marrjes së sqarimeve të plota mbi përmbajtjen dhe mundësitë analitike të treguesve statistikorë, të metodologjisë së llogaritjes së tyre, të metodave të interpretimit e sidomos në drejtimet e analizës statistikore etj. Lidhja e
treguesve të analizës së prodhimit, të fuqisë punëtore, të gjendjes financiare me treguesit e efektivitetit ekonomik në ndërmarrje, degë dhe në tërë
vendin e paraqet plotësisht gjendjen dhe ndihmon marrjen e vendimeve tëdrejta e shkencore.
SES trajton shumë pjesë, kapituj, çështje e tregues të rinj. Kështu, mbi 10 kapituj janë krejt të rinj, si: sistemi i llogarive kombëtare; nocionet kryesore ekonomike, përcaktimet, klasifikimet, njësitë dhe sektorët institucionalë; statistika e shkencës dhe inovacionit; ajo e shoqërisë së informacionit, statistika e nivelit të jetesës së popullsisë; statistika politike; ajo e turizmit; statistika juridike; statistika e çmimeve, tarifave dhe e inflacionit; ajo e financave të ndërmarrjeve; ajo e bilancit të pagesave dhe e rregullimit e kontrollit të valutës; efektiviteti ekonomik nga përdorimi i faktorëve të prodhimit etj. SES jep gjithashtu metoda të reja të statistikës, si: metodën e vlerësimeve të argumentuara, atë të burime-përdorimeve, atë të klasifikimeve, metodën e treguesve përgjithësues etj., të cilat ndihmojnë dhe lejojnë shfaqjen e lidhjeve të ndërsjella, përmasat e fenomeneve e proceseve dhe përcaktojnë ligjshmëritë statistikore të zhvillimit të tyre.
Janë shumë nënkapituj e paragrafë të rinj me treguesit përkatës. Ka disa dhjetëra tregues të rinj, jo vetëm në kapitujt e rinj, por edhe në çështjet që janë trajtuar edhe para 1990. Në veçanti theksojmë treguesit e rinj të efektivitetit ekonomik nga përdorimi i faktorëve të prodhimit; të rentabilitetit në financat e ndërmarrjeve, të vrojtimit të besimit të biznesit dhe të konsumatorëve; treguesit e bilancit të pagesave; treguesit e statistikës juridike; të shkencës dhe inovacionit; të statistikës politike; të statistikës së turizmit e shumë të tjerë, ashtu si në ndërmarrje dhe në çdo veprimtari përfshihet numri maksimal i treguesve të njohur.
Në veçanti në këndvështrimin e statistikës trajtohen të gjitha çështjet kryesore të statistikës financiare e bankare, si ato të buxhetit të shtetit, të tatimeve e taksave, të rezultateve financiare në subjektet e ndryshme, të qarkullimit monetar dhe të kreditit, të depozitave, të sigurimit të pasurisë
dhe të jetës etj., duke e plotësuar kuadrin e çështjeve dhe të problemeve të statistikës financiare e bankare në përputhje të plotë me kushtet e ekonomisë së tregut.
Thënë shkurt, SES na mundëson njohjen e zbatimit të metodave dhe të treguesve statistikorë bashkëkohorë në të gjitha fushat kryesore të veprimtarisë njerëzore, në sipërmarrje, degë, rajon dhe nivel qendror.
Theksojmë se për përgatitjen e tekstit të SES u mblodhën dhe u shfrytëzuan shumë burime të statistikës bashkëkohore, të huaja dhe vendëse, enciklopedi e termave të statistikës me 8 volumet e saj, fjalorë të statistikës, manuale dhe dokumente statistikore metodologjike të botuaranga OKB, EUROSTAT, BB, FMN, PNUD, ILO, UNESCO, OBSH, OBT etj., metodologji e udhëzime bashkëkohore për shumë tregues statistikorë nga vende anëtare të BE-së, të EUROSTAT-it, vjetarë statistikorë tëINSTAT-it, buletine e studime të ndryshme ekonomike e sociale etj.
Rëndësia e ndihma që jep, çështjet që trajton dhe përmbajtja e tyre si dhe literatura e gjerë shkencore bashkëkohore e shfrytëzuar për përgatitjen
e SES, e bëjnë atë një tekst statistike bashkëkohor dhe të kompletuar. Për grumbullimin dhe mbledhjen e literaturës së mësipërme, që arrin në disa
mijëra faqe, për përkthimet e materialeve nga gjuhë të ndryshme, për përzgjedhjen e përshtatjen e çështjeve që nevojiteshin si dhe për shkrimin, si dorë e parë, dhe rishikimet e duhura disa herë, na është nevojitur një kohë shumë e gjatë, disavjeçare.
Teksti u drejtohet studentëve të fakulteteve ekonomike e sociale të universiteteve dhe IAL-ve publike e private, në qendër dhe në rrethe, që studiojnë statistikë dhe informatikë, ekonomiks, menaxhim, financë, kontabilitet, bankë, marketing-turizëm, biznes, agrobiznes, shkenca sociale, gazetari, logjistikë etj. Atë mund ta përdorin gjatë punës së tyre edhe punonjësit e aparatit shtetëror, sidomos ata të statistikës në ministri, qarqe, bashki e njësi administrative, punonjësit e ndërmarrjeve dhe të bizneseve, studiuesit, punonjësit shkencorë, punonjësit e medies së shkruar televizive e elektronike etj. Ai u mëson përdoruesve si bëhet analiza statistikore e fenomeneve ekonomike-sociale, si të interpretojnë drejt ligjësitë statistikore, të njohin sistemin e treguesve që duhen dhe të zgjerojnë njohuritë mbi statistikën. Për arsye të vëllimit të madh që do të zinte dhe të çështjeve të shumta që trajton, SES-it i mungojnë mjaft ushtrime, që do ta bënin më të plotë atë. Për këtë jemi të ndërgjegjshëm.
Por këtë boshllëk, edhe sipas traditës sonë, duhet ta plotësojë një tekst tjetër i posaçëm vetëm me ushtrime.
Falënderojmë prof. dr. Fatmir Memën, zëvendësdekan dhe shef katedre në Fakultetin e Ekonomisë të UT dhe drejtorin e statistikave ekonomike në INSTAT, z. Elton Aliko (kapitujt II-IX), për recensionet tyre, që përmes vërejtjeve, sugjerimeve dhe vlerësimeve të tyre, të cilat u reflektuan të gjitha, na ndihmuan për ta përmirësuar më tej tekstin.
Vërejtjet e studiuesve dhe sidomos ato të specialistëve dhe të studentëve i mirëpresim për ta përmirësuar më tej tekstin në të ardhmen.