EKUILIBRI NUMERIK I POPULLSISE,

LIDHJA ME TRANZICIONIN DHE

ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË SAJ

 

Prof.Dr. Nevruz  KOÇI

lektor në Universitetin “Luarasi”, Tiranë

 Abstract

This paper deals with some problems of population integration and its sustainable development, trying to explain the relationship between population growth and sustainable economic development and the transition of its numerical development from the ancient natural balance to a balance of modern times at the end of the demographic transition of all the countries of the world.

Just as economic and social factors affect the formation of population characteristics, the demographic structures also affect the economic trends of a country. In population structure according to age, gender, profession, branches, etc., is combined the action of a large complex factors, such as biological and socio-economic factors, depending on the level of development of each country. On the other hand, the engagement in productive

activities and services of the workforce and the effective use of these resources play an important role in economic growth.

It is understandable that entire population of a country, and especially its active part, is involved in the economic and social life of the country. It is involved in both roles, as a producer of material goods and services, and as a consumer of them. In this sense, we can say that we distinguish a double role of the population, because at the same time she is both a producer and a consumer. Therefore, in the analysis of interrelationships between population and development, a special place is occupied by the analysis of structures such as the structure of the population according to working age, the structure of employment of the active population according to gender, according to productive sectors (primary and secondary), according to professions etc. This paper also deals with the stages through which population integration - development moves.

But population-development integration is also connected to another concept, which is the environment, the ecosystem. They are interdependent because a high level of development creates financial opportunities and favors a better quality of the environment.

Ecosystem means resources and the space, while sociosystem means individuals and population on one hand, and on the other hand the organization of society in social, economic, cultural and technical terms. A special place in this presentation is occupied by the demographic transition, its stages and types in our country and in the world.

As it is known, demographic transition means the transition from a traditional regime of demographic balance with high mortality and high birth rates to a modern balance regime with low mortality and low birth rates during the general modernization process.

This is a process that the population of every country goes through. In the pre-transitionperiod, both birth and death rates are high and generally independent of people’s will.

Being both high they tend to balance the demographic processes. The analysis of this problem is also related to the large numerical changes in the population in the world and the demographic balance on a national and global scale. Referring to the book of Dr.

Hans Rosling “The Force of Fact”, there are attempts to explain the erroneous perception of the incessant increase in the number of the population as well as the measures that should be taken to ensure a modern balance of the population.

The emphasis has been made on the extreme poverty, which produces a greater number of offspring. Therefore, the best way to keep population growth under control is to eradicate extreme poverty and improve people’s quality of life by including education, education and especially increasing investments for the well-being of children. Most parents are choosing to have fewer children. This trend has spread throughout the world and has reduced child mortality everywhere.

These measures will realise the demographic transition as quickly as possible for each country, as well as on a global scale, moving the countries to new and modern population balances as well as to the overalle balance of the world population, removing our “fear” from the unprecedented growth of the world’s population.

 

 

 

Abstrakt

Në këtë punim trajtohen disa probleme të integrimit të popullsisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të saj, duke u përpjekur për të shpjeguar lidhjen e rritjes së popullsisë me zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe kalimin e zhvillimit numerik të saj nga ekuilibri natyror i lashtësisë në një ekuilibër të kohëve moderne në përfundim të tranzicionit demografik të mbarë vendeve të botës.

Ashtu si faktorët ekonomikë e socialë ndikojnë në formimin e veçorive të popullsisë, edhe strukturat demografike ndikojnë në rrjedhat ekonomike të një vendi. Në strukturën e popullsisë sipas moshës, gjinisë, profesionit, degëve etj. ndërthuret veprimi i një kompleksi të madh faktorësh, si faktorët biologjikë dhe ata socio–ekonomikë, në varësi me shkallën e zhvillimit të çdo vendi. Nga ana tjetër, angazhimi në veprimtari prodhuese e në shërbime i forcave të punës dhe përdorimi me efektivitet i këtyre burimeve luajnë rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike.

Është e kuptueshme se e gjithë popullsia e një vendi dhe sidomos pjesa aktive e saj përfshihet në jetën ekonomike e shoqërore të vendit. Ajo përfshihet në të dy rolet, si në atë të prodhuesit të të mirave materiale dhe shërbimeve, ashtu edhe në atë të konsumatorit të tyre. Në këtë kuptim mund të themi se dallojmë një rol të dyfishtë të saj, sepse njëherësh ajo është edhe si prodhuese edhe si konsumatore. Prandaj, në analizën e lidhjeve të ndërsjella popullsi-zhvillim, vend të veçantë zënë analizat e strukturave të tilla si, struktura e popullsisë sipas moshës së punës, struktura e zënies me punë të popullsisë aktive sipas gjinisë, sipas sektorëve prodhues (primar e dytësor), sipas profesioneve etj.

Po ashtu, në material trajtohen edhe etapat nëpër të cilat kalon integrimi popullsi – zhvillim.

Por integrimi popullsi – zhvillim është i lidhur edhe me një koncept tjetër që është mjedisi, ekosistemi. Ato janë të ndërvarura sepse niveli i lartë i zhvillimit krijon mundësi financiare dhe favorizon një cilësi më të mirë të mjedisit. Ekosistemi nënkupton burimet dhe hapësirën, ndërsa socio-sistemi nënkupton individët dhe popullsinë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër organizimin e shoqërisë në aspektin social, ekonomik, kulturor e teknik. Një vend të veçantë në punim zë tranzicioni demografik, fazat dhe tipat e tij në vendin tonë dhe në botë. Siç dihet, me tranzicion demografik kuptohet kalimi nga një regjim tradicional i ekuilibrit demografik me vdekshmëri e lindshmëri të lartë në një regjim ekuilibri modern me vdekshmëri e lindshmëri të ulët gjatë procesit të modernizimit të përgjithshëm. Ai është një proces që kalon popullsia e çdo vendi. Në periudhën para tranzicionit si koeficientet e lindjeve dhe ato të vdekjeve janë të larta dhe përgjithësisht të pavarura nga vullneti i njerëzve. Duke qenë të dyja të larta, ato kanë tendencë të baraspeshojnë proceset demografike. Analiza e këtij problemi lidhet edhe me ndryshimete mëdha numerike të popullsisë në botë dhe ekuilibrat demografikë në shkallë vendi dhenë shkallë botërore. Duke iu referuar librit të dr. Hans Rosling “Forca e faktit”, bëhen përpjekje për të shpjeguar perceptimin e gabuar për rritjen e pandërprerë të numrit tëpopullsisë si dhe jepen masat që duhet të ndërmerren për të siguruar një ekuilibër modern të numrit të saj.

Theksi vihet te varfëria e skajshme, e cila, siç dihet, prodhon një numër më të madh pasardhësish. Prandaj mënyra më e mirë për të mbajtur nën kontroll rritjen e popullsisë është të zhdukim varfërinë e skajshme dhe të përmirësojmë cilësinë e jetesës së njerëzve duke përfshirë edukimin, arsimimin dhe sidomos shtimin e investimeve për mirërritjen e fëmijëve. Pjesa më e madhe e prindërve po zgjedhin të lindin më pak fëmijë, prirje e

përhapur në të gjithë botën duke ulur ngado vdekshmërinë e fëmijëve.

Këto masa do të bëjnë që të realizohet sa më shpejt tranzicioni demografik për çdo vend, si dhe në shkallë botërore, duke i kaluar vendet në ekuilibra të rinj e modernë të popullsisë si dhe në ekuilibër të popullsisë botërore duke na e hequr “frikën” nga rritja e pareshtur e popullsisë së botës.

 

 

1. Ndërvarësia e popullsisë dhe zhvillimit

Shoqëria njerëzore është përballur me dëshmi të ndryshme mbi qenien dhe evoluimin e njeriut në tokë. Duke iu referuar periudhave që nga lashtësia e vazhdimisht, shohim se informacioni mbi numrin e popullsisë ka ardhur gjithnjë më i plotë dhe më i besueshëm. Dihet që të dhëna mbi numrin e popullsisë janë grumbulluar që në kohë të lashta. Madje statistikae popullsisë përbën degën më të vjetër të statistikës. Kështu, evidentimi dhe parashikimi i numrit të popullsisë ka shërbyer sidomos për qëllimeushtarake dhe fiskale. Ndërsa elemente të analizës demografike të bazuara në statistika administrative hasen në shekullin XVII. Ndër të parët qe anglezi J. Graunt, i cili në vitin 1662 analizoi vdekshmërinë e popullsisë së Londrës në bazë të fletëregjistrimeve të vdekjeve. Më vonë fenomenet elëvizjes së popullsisë dhe të efekteve ekonomike të saj tërhoqën vëmendjen e shumë ekonomistëve dhe sociologëve të njohur si A. Smith, T. Malthus,S. Simons, D. Rikardo, J. M. Kejns, J. B. Say etj.

Shoqërinë njerëzore e kanë shqetësuar vazhdimisht jo vetëm problemet e numrit të përgjithshëm të popullsisë, por edhe lëvizjet e saj natyrore, të brendshme dhe të jashtme, evoluimi i numrit në kohë, ndryshimet në strukturat social-ekonomike, ekuilibrat dhe dizekuilibrat numerikë, zhvillimi i saj i qëndrueshëm, modelet demo-ekonomike të zhvillimit të saj, tranzicioni demografik, etapat dhe tipat e tij etj. Në këtë trajtim mendojmë të ndalemi në problemet e integrimit të popullsisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të saj, duke u përpjekur të shpjegojmë lidhjen e rritjes së popullsisë me zhvillimin ekonomik dhe kalimin e zhvillimit numerik të saj nga ekuilibri natyror i lashtësisë në një ekuilibër të kohëve moderne në përfundim të tranzicionit demografik të mbarë vendeve të botës.

Integrimi i popullsisë dhe zhvillimit do të thotë që në studimet e ndryshme demografike të mbahen parasysh lidhjet e ndërsjella të zhvillimeve demografike dhe atyre social-ekonomike. Kjo, për faktin se zhvillimet ekonomike dhe strukturat prodhuese janë të lidhura me zhvillimet demografike. Ato janë të lidhura p.sh. me lëvizjen natyrore të popullsisë, me lëvizjen migruese të saj, si dhe me fenomenin e ndryshimeve në strukturat social-ekonomike të popullsisë. Nga ana tjetër, edhe shkalla e ndryshimeve në strukturat sociale dhe ekonomike të popullsisë varet nga veçoritë dhe karakteristikat e strukturave prodhuese.

Përvojat e vendeve me prapambetje ekonomike dhe ku sektori ekonomik dominues është ai bujqësor dëshmojnë për një nivel të ulët të prodhimit të brendshëm bruto për banorë dhe për koeficiente të larta të lindshmërisë, rrjedhimisht edhe për nivel të ulët të jetesës së popullsisë.

Këto dukuri shpjegohen jo vetëm pse kontrolli i lindjeve në këto vende është relativisht i ulët, por edhe pse ekonomia agrare e tyre kërkon që të angazhohen më shumë forca pune në veprimtaritë bujqësore, sepse praktikisht rendimenti i punës në këtë sektor është më i ulët.

Në këto vende ku treguesit e nivelit të jetesës janë të ulët, buxheti për konsum i familjes determinohet nga shpenzimet për ushqim. Si pasojë, ky tip i strukturës prodhuese është i shoqëruar me struktura të caktuara demografike, ku p.sh. fëmijët dhe të rinjtë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të saj. Në këto vende me prapambetje ekonomike dallohen lehtë disa tipare të strukturave demografike, që mund të përmblidhen si më poshtë:

Së pari, në vendet në zhvillim, struktura e popullsisë sipas moshës ka si karakteristikë që fëmijët dhe të rinjtë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të saj. Pra, mbizotërojnë moshat e reja dhe popullsia e këtyre vendeve konsiderohet si popullsi e re në moshë.

Së dyti, në strukturën e popullsisë sipas gjinisë në këto vende dallon përqindja e lartë e meshkujve.

Së treti, në strukturën e popullsisë sipas degëve ku punojnë forcat e punës, peshën më të madhe e zënë forcat e punës në bujqësi, sepse në këto vende dega kryesore e punës është bujqësia.

Së katërti, në strukturën e popullsisë sipas shkallës arsimore, një peshë jo të vogël zënë analfabetët, madje për disa vende kjo pjesë është e konsiderueshme.

Së fundi, në këto vende është karakteristike zgjatja e jetës në lindje relativisht më e ulët.

E kundërta ndodh në vendet e zhvilluara. Në këto vende të ardhurat dhe prodhimi i brendshëm bruto për banorë janë mjaft më të larta. Treguesit e lindshmërisë dhe të vdekshmërisë janë në nivele pothuajse të qëndrueshme e me tendencë në rënie. Disa nga karakteristikat e strukturave të popullsisë në këto vende janë:

Në strukturën e popullsisë sipas moshës rritet pesha e personave të moshës së tretë.

Në strukturën e popullsisë sipas veprimtarive rritet përpjesa e forcave të punës të zëna me veprimtari jobujqësore.

Në strukturën e popullsisë sipas shkallës arsimore rritet pjesa e arsimuar, d.m.th. ajo me arsim të mesëm e të lartë, rritet numri i viteve të shkollimit të saj;

Në strukturën e popullsisë sipas kualifikimit dhe profesioneve rritet pesha e personave më të kualifikuar dhe ajo e profesioneve bazë të veprimtarive jobujqësore;

Ndërsa në strukturën e popullsisë sipas vendbanimit fshat–qytet rritet përqindja e popullsisë urbane; Në këto vende, ndryshe nga ato në zhvillim, është karakteristike një zgjatje e jetës në lindje relativisht më e lartë.

Në formimin e strukturave të popullsisë kanë ndikimin e vet faktorë të tillë si: përparimi i teknikës dhe teknologjisë, rritja e produktivitetit të punës dhe konkurrenca e suksesshme në prodhim e tregti, rritja e përpjekjeve për arsimin, kulturën dhe kujdesin shëndetësor e të tjerë faktorë demografikë,

ekonomikë e socialë.

Ashtu si faktorët ekonomikë e socialë ndikojnë në formimin e veçorive të popullsisë, edhe strukturat demografike ndikojnë në rrjedhat ekonomike të një vendi. Në strukturën e popullsisë sipas moshës, gjinisë, profesionit, degëve etj. ndërthuret veprimi i një kompleksi të madh faktorësh, si faktorët biologjikë dhe ata socio – ekonomikë, në varësi me shkallën e zhvillimit të çdo vendi. Nga ana tjetër, angazhimi në veprimtari prodhuese e në shërbime i forcave të punës dhe përdorimi me efektivitet i këtyre burimeve luajnë rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike.

Është e kuptueshme se e gjithë popullsia e një vendi dhe sidomos pjesa aktive e saj e zënë me punë në sektorët e ndryshëm të ekonomisë përfshihet në jetën ekonomike e shoqërore të vendit. Ajo përfshihet në të dy rolet, në atë të prodhuesit të të mirave materiale dhe shërbimeve, si dhe në atë të konsumatorit të tyre. Në këtë kuptim mund të themi se dallojmë një rol të dyfishtë të saj, sepse njëherësh ajo është edhe si prodhuese edhe si konsumatore. Si përfundim, në analizën e lidhjeve të ndërsjella popullsi - zhvillim vend të veçantë zënë analizat e strukturave të tilla si struktura e popullsisë sipas moshës së punës, duke e ndarë atë sa është nën moshën e punës, në moshë pune dhe mbi moshën e punës, struktura e zënies me punë të popullsisë aktive sipas gjinisë, struktura e zënies me punë në sektorin prodhues (primar e dytësor) dhe sektorin e shërbimeve (terciar), struktura e punonjësve sipas profesioneve etj.

Është evidente që struktura e popullsisë në tërësi, me të gjitha veçoritë e saj ekonomike e sociale, ka një rol përcaktues në vëllimin dhe strukturën

e nevojave për konsum. Kështu rritja e pjesës së grupmoshës 0-15 vjeç dikton nevoja të tjera specifike për konsum, në raport me grupmoshat e tjera të popullsisë, si në konsumin e artikujve ushqimorë e të veshmbathjes, investimeve për arsim e shëndetësi, si për çerdhe, kopshte, shkolla etj. Pra, popullsia luan rol të rëndësishëm në formimin e dimensioneve demografike të tregut të brendshëm. Po ashtu, ajo ndikon edhe në krijimin e tregut ekonomik dhe sektorëve të tjerë prodhues e joprodhues, pasi ajo me punën e saj siguron të ardhurat që nga ana e tyre ndikojnë në fuqinë blerëse si dhe në vëllimin dhe strukturën e blerjeve dhe të prodhimit.

 

 

2. Etapat e integrimit popullsi – zhvillim

Integrimi popullsi – zhvillim mund të përmbledhë katër etapa, që konkretisht janë:

Etapa e parë ose integrimi teknik, i cili i përket përfshirjes së variablave demografikë në programet e planifikimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Etapa e dytë ose integrimi shkencor presupozon përfshirjen e studimeve të popullsisë dhe të kërkimeve shkencore dhe përputhjen e tyre me kushtet social-ekonomike të zhvillimit. Ky lloj integrimi bën të mundur nxitjen e debatit shkencor për mënyra të reja të analizës si dhe strategji të reja veprimi.

Etapa e tretë ose integrimi politik nënkupton integrimin e politikave demografike dhe të politikave ekonomike e sociale në strategjitë e zhvillimit. Ky lloj integrimi duhet të realizohet duke harmonizuar në nivelet më të larta interesat e të gjithë sektorëve.

Etapa e katërt ka të bëjë me integrimin human dhe atë social-kulturor. Ajo nënkupton integrimin aktiv të popullsisë në procesin e zhvillimit, duke e lidhur këtë të fundit me zhvillimin e të gjithë sektorëve socialë, arsimorë e kulturorë. Integrimi popullsi - zhvillim është një proces tërësor që lidhet me harmonizimin e të katër këtyre etapave. Ato veprojnë njëherësh, prandaj ato asnjëherë nuk duhen parë të shkëputura nga njëra-tjetra. Pra, integrimi i plotë popullsi - zhvillim nuk mund të ketë vend pa përfshirjen e të gjitha etapave të ndryshme të integrimit në zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Integrimi i ndërlidhjeve popullsi – zhvillim, në njëfarë mënyre shpreh lidhjen demografi – ekonomi. Kjo lidhje ka përbërë një preokupim të hershëm për shumë studiues, duke filluar nga Malthus, Sauvy, Simons, Marksi etj., të cilët në veprat e tyre kanë shprehur konsiderata edhe për këtë integrim. Kështu, ata duke trajtuar këto probleme kanë dhënë shpjegime për koncepte të tilla si demografia ekonomike, ekonomia e popullsisë etj. Megjithatë, të para këto në kushtet konkrete të vendeve të veçanta, as demografia ekonomike, as ekonomia e popullsisë nuk kanë dhënë shpjegime të plota dhe nuk u janë përgjigjur plotësisht shpresave në këtë fushë. Këtë e provon fakti se kërkimet e thelluara rreth raporteve popullsi – zhvillim mungojnë ose janë shumë të rralla si në vendet e tjera ashtu edhe te ne.

Shpesh studimet demografike bëhen të ndara nga ato ekonomike. Kjo ndarje rrjedh dhe për shkak të veçorive që i largojnë këto disiplina nga njëratjetra. Kështu, demografët preferojnë individin më shumë se grupin, ata përdorin kryesisht moshën dhe gjininë si variabël diferencimi, më shumë

se statusin socio-ekonomik dhe interesohen më shumë për dinamikën e popullsisë për një kohë të gjatë sesa për fluktuacionet afatshkurtra e afatmesme. Një pikë tjetër ndarëse midis demografëve dhe ekonomistëve është edhe horizonti kohor i studimit të fenomeneve. Demografi sheh më

larg, ndërsa ekonomisti preokupohet më shumë për fenomenet që veprojnë në afate të shkurtra, dhe kjo jo nga dëshira e tyre, por nga domosdoshmëria

e zgjidhjes së mjaft problemeve akute që shtron ekonomia. Ekonomisti interesohet kryesisht për probleme që e shtrijnë veprimtarinë e tyre brenda

1 viti ose më së shumti 5 vjet dhe rrallë herë 10 vjet, që është zakonisht afati maksimal i parashikimit. Në të kundërtën, shumica e parametrave si

prodhimi, investimet, konsumi, çmimet ndryshojnë shpejt, nganjëherë në përmasa të papritura, jashtë çdo parashikimi.

Përgjithësisht individët i përcaktojnë vetë sjelljet e tyre demografike.

Megjithatë sjelljet e individëve varen edhe nga vendimet e marra në familje.

Familjet shpesh jo vetëm ndikojnë në sjelljen e anëtarëve të tyre, por ato janë njëherësh edhe qendra të marrjes së vendimeve të rëndësishme për sa i përket konsumit, kursimeve, aktivitetit ekonomik, lëvizjes migruese etj. Për të shpjeguar mekanizmat e zhvillimit duhet të kuptohet se mbrapa dinamikës së popullsisë, që duket shpesh e thjeshtë, qëndron dinamika e lëvizjeve sociale, të cilat shpesh janë të pakapshme, shumë më të ndërlikuara dhe komplekse. Ata që ndërtojnë perspektivat guxojnë të bëjnë edhe studime afatgjata, në të cilat linearja vihet përballë jolineares, e vazhdueshmja përballë jo së vazhdueshmes dhe ku dilemat e forta janë pjesë përbërëse e situatave normale. Megjithëse shkencat e demografisë

dhe të ekonomisë kanë objektet e tyre të veçanta, mendojmë se nuk ka një ndarje të prerë të fenomeneve demo-ekonomike. Popullsia është një nga elementet e sistemit shoqëror që përmbledh njëherësh përshtatjen e saj në hapësirë, marrëdhëniet me mjedisin, riprodhimin dhe ndarjen e burimeve, këmbimet dhe strukturat sociale etj.

Lidhjet e popullsisë dhe zhvillimit kanë qenë objekt debati për studiues nga vende të ndryshme të botës. Por kur këto debate u thelluan për sa i përket ndërvarësisë së lidhjeve midis tyre, atëherë shtetet, politikanët, organizmat ndërkombëtarë u angazhuan edhe më shumë për instrumentalizimin e problematikës së kësaj fushe. Gjatë 50 vjetëve të fundit janë mbajtur 5 konferenca botërore për popullsinë dhe zhvillimin: në vitin 1974 në Bukuresht, në vitin 1984 në Meksiko, në vitin 1990 në Kajro dhe në vitin 1995 u zhvillua në Kopenhagë samiti botëror për zhvillimin social. Në këto konferenca ndërkombëtare kanë marrë pjesë mbi 170 shtete dhe janë hartuar një sërë programesh aksioni për popullsinë dhe zhvillimin për vitet e ardhshme. Ja disa nga mesazhet e dhëna nga konferencat:

Varfëria si dhe pabarazitë midis grupeve sociale kanë një ndikim të madh mbi parametra demografikë të tillë si rritja, ekuilibrat numerikë, struktura, shpërndarja e popullsisë dhe anasjelltas. Rritja ekonomike e pandërprerë në kuadrin e zhvillimit afatgjatë kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetës për gjeneratat e sotme dhe të ardhme si dhe favorizon drejtësinë sociale dhe eliminon varfërinë.

Për të bërë të mundur realizimin e zhvillimit afatgjatë do të duhet që faktorët dhe të dhënat demografike të vihen në shërbim të përdorimit racional e të efektshëm të të gjitha burimeve, natyrore, materiale, monetare, mjedisore dhe ekosistemeve. Integrimi i faktorëve demografikë në zhvillim lehtëson vendosjen e ekuilibrave midis treguesve demografikë dhe objektivave socialë, ekonomikë dhe të ruajtjes së mjedisit.

Një mesazh tjetër i rëndësishëm i këtyre konferencave ka qenë krijimi i një klime të favorshme për vlerësimin e shërbimeve të planifikimit familjar dhe të shëndetit riprodhues të një cilësie të mirë. Masat që rekomandohen kanë pasur për qëllim të ndihmojnë çiftet dhe individët për të arritur objektivat e tyre lidhur me riprodhimin, për të penguar shtatzënitë e padëshiruara, për të vënë në dispozicion të atyre që kanë nevojë dhe dëshirojnë shërbime informimi e këshilla lidhur me programin e familjes etj.

Një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë amnore në shumë vende në zhvillim janë ndërlikimet gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Për këtë shkak, rreth gjysmë milioni gra vdesin çdo vit, ku 99 për qind e tyre u përkasin vendeve në zhvillim. Mosha në shtatzëninë e parë e të fundit, intervali ndërmjet lindjeve, numri gjithsej i shtatzënive si dhe mungesa e interesimit për cilësinë e mjedisit social-kulturor dhe ekonomik ndikojnë në sëmundshmëri dhe koeficientet e larta të vdekshmërisë amnore.

Në konferenca është theksuar se aborti nuk duhet nxitur në asnjë rast si metodë e planifikimit familjar. Në të kundërtën, duhet të bëhen të qarta pasojat e abortit të praktikuar, veçanërisht në kushtet e një pasigurie shëndetësore. Aborti duhet trajtuar në kuadrin e sistemit të shëndetit dhe në përputhje me procedurat legjislative të çdo vendi.

Procesi i urbanizimit ishte një fenomen tjetër që është trajtuar në konferenca. Ai është parë i pandarë nga zhvillimi ekonomik e social i çdo vendi. Ky proces duhet të arrijë objektivin për një shpërndarje të popullsisë në mënyrë të tillë që të nxisë zhvillimin afatgjatë, të qëndrueshëm e të pandërprerë si në zonat origjinë ashtu edhe në zonat destinacion, të favorizojë një zhvillim ekologjikisht racional, barazinë ekonomike e sociale. Vendet duhet të përshtatin strategji që favorizojnë rritjen e qendrave të vogla e të mesme urbane, si dhe zhvillimin e zonave rurale duke inkurajuar investimet që çojnë në integrimin urban dhe në rritjen e produktivitetit në këto zona.

Arsimi gjithashtu është trajtuar si një faktor çelës i zhvillimit afatgjatë e të pandërprerë për çdo vend. Nëpërmjet tij fitohen njohuritë dhe bëhet i mundur përmirësimi i nivelit të jetesës. Arsimimi i popullsisë kontribuon në përsosjen e kompetencave të popullsisë aktive, në rritjen e pjesëmarrjes

së gruas në jetën sociale dhe ekonomike si dhe në zhvillimin e demokracisë së çdo vendi. Progresi në arsim ndikon gjithashtu në uljen e koeficienteve

të fertilitetit, në uljen e sëmundshmërisë e vdekshmërisë, rrit pavarësinë dhe shkallën e emancipimit të shoqërisë në tërësi dhe të vajzave e grave

në veçanti.

Në këto konferenca është theksuar me forcë se studimet në fushën e popullsisë e të zhvillimit është e nevojshme që të vihen në funksion të zhvillimit afatgjatë e të pandërprerë të çdo vendi. Për organizimin e tyre duhet të bashkëpunojnë dhe racionohen forcat shkencore, duke përfshirë në grupet e punës krahas demografëve edhe ekonomistë, sociologë, arkitektë etj. Konferenca e Kajros p.sh. transmetoi mesazhin se popujt e botës duhet të veprojnë së bashku për mirëqenien e brezave të sotëm e të ardhshëm.

Ndërsa samiti botëror për zhvillimin social që u zhvillua në Kopenhagë, me përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së, duke u mbështetur

edhe në orientimet e konferencës së Kajros, e vuri theksin në tri drejtime kryesore si: reduktimi i varfërisë, forcimi i solidaritetit human dhe krijimi i mundësive për punësim. Por që integrimi popullsi – zhvillim të përbëjë një realitet, është e nevojshme të ndërmerren studime të përbashkëta ku të

bashkëpunojnë e bashkëveprojnë njëherësh demografë, ekonomistë dhe kërkues të tjerë sipas kritereve metodologjike e shkencore.

 

 

3. Popullsia, zhvillimi dhe lidhja e tyre me mjedisin

Zhvillimi dhe popullsia, për të cilat u fol në paragrafët e mëparshëm, ishin dy koncepte të rëndësishme. Por ato janë të lidhura pazgjidhshmërisht edhe me një koncept të tretë që është mjedisi. Ato janë të ndërvarura sepse niveli i lartë i zhvillimit krijon mundësi financiare dhe favorizon një cilësi më të mirë të mjedisit. Mjedisi është një eko–socio–sistem. Ekosistemi nënkupton burimet dhe hapësirën, ndërsa socio-sistemi nënkupton individët dhe popullsinë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër organizimin e shoqërisë në aspektin social, ekonomik, kulturor e teknik.

Nuk mund të arrihet një shkallë e lartë zhvillimi pa rritjen ekonomike.

Por rritja ekonomike dhe zhvillimi nuk janë koncepte të njëjta. Rritja ekonomike nënkupton rritjen e produktivitetit, të fitimeve dhe të rentabilitetit, pra një rritje sasiore që synon përmirësimin e nivelit të jetesës së njerëzve, por kurrë rritja ekonomike nuk përbën qëllim në vetvete. Përkundrazi, koncepti i zhvillimit ka një përmbajtje më sociale. Ai nënkupton një cilësi më të mirë jetese për të gjithë dhe për një kohë të gjatë.

Kjo cilësi jetese është në funksion të shkallës së plotësimit të nevojave dhe aspiratave të njerëzve. Këto nevoja dhe aspirata janë të natyrës jo vetëm

ekonomike, por dhe intelektuale e shpirtërore si arsimimi, drejtësia, liritë e individit, kënaqësia estetike, kultura, sporti, me një fjalë, gjithçka që është

specifike për botën humane. Disa autorë mendojnë se sa më i ulët të jetë niveli i zhvillimit, aq më shumë presion ushtrohet mbi mjedisin. Por presion mbi mjedisin bën edhe zhvillimi, i cili shoqërohet me më shumë mbetje teknologjike, me më shumë rrezatime etj. E rëndësishme është se niveli i lartë i zhvillimit ekonomik krijon edhe mundësi financiare për të marrë masa me investime për ruajtjen e mjedisit. Veçanërisht rritja demografike ushtron presion mbi mjedisin në vendet me zhvillime më të ulëta. Në këto vende ushtrohet një presion më i fortë sidomos mbi burimet natyrore, si mbi pyjet, ujin, tokat e kultivueshme etj.

Popullsia e botës në vitin 1825 numëronte 1 miliard banorë, në vitin 1930 kalon në 2 miliardë dhe në vitin 1987 kaloi në 5 miliardë. Në vitin 2000 popullsia arriti më shumë se 6 miliardë dhe në vitin 2025, sipas hipotezës së rritjes mesatare nga OKB, parashikohet të jetë rreth 8,5 miliardë veta.

Pra, për rreth 200 vjet popullsia e botës rritet në 8,5 herë.

Në saje të progresit të teknikës e të teknologjisë, sot prodhohen 7 herë më shumë (L. Goffin) produkte industriale se në vitin 1950, gjë që do të thotë më shumë lëndë të para, më shumë energji, por edhe më shumë mbetje e më shumë ndotje. Rritja e prodhimit industrial është shoqëruar me një rritje të konsumit, ndonëse shkalla e konsumit nuk është e barabartë midis vendeve dhe as midis shtresave sociale. Në planin ndërkombëtar, 20 për qind e popullsisë së vendeve të pasura të Veriut dhe të Perëndimit ndajnë më shumë se 80 për qind të të ardhurave botërore. Ndërsa në vitin 1960, 20 për qind e banorëve më të pasur të botës dispononin të ardhura 30 herë më të larta se 20 për qind e më të varfërve, në vitin 2020 këto të ardhura ishin 90 herë më të larta, d.m.th. tri herë më shumë.

Në kushtet e një rritjeje kaq të pabarabartë, ajo që del më shumë në dukje është keqzhvillimi sesa zhvillimi. Në fillim të viteve ‘70 u përpunua koncepti i eko-zhvillimit. Ky konceptim nënkuptonte një zhvillim të vetë popullsive duke përdorur më mirë burimet natyrore dhe duke ia përshtatur një mjedisi, i cili duhet të transformohet, por pa e shkatërruar atë. Sot termi më i përhapur i përket zhvillimit afatgjatë, i qëndrueshëm e i pandërprerë.

Sipas këtij koncepti, zhvillimi duhet t’u përgjigjet nevojave të sotme pa kompromentuar kapacitetet e nevojshme për gjeneratat e ardhshme.

Edhe për problemet e mjedisit dhe zhvillimit global të lidhura me etikën e zhvillimit janë mbajtur 3 konferenca botërore dhe dy mbledhje të Forumit

Ndërkombëtar të Punës. Konferenca e parë e Kombeve të Bashkuara është mbajtur në Stokholm në vitin 1972, konferenca e dytë në vitin 1982 në

Nairobi dhe konferenca e tretë e quajtur “Samiti i planetit Tokë” u mbajt në vitin 1992 në Rio-de-Zhanejro në praninë e përfaqësuesve të 177 shteteve.

Ndërsa konferenca II e Forumit Ndërkombëtar të Punës u mbajt në Delhi në vitin 2005. Në të gjitha këto konferenca është synuar:

Së pari, në rritjen ekonomike në funksion të një zhvillimi afatgjatë që garanton cilësinë e nivelit të jetesës dhe që respekton njëherësh pasuritë natyrore të planetit.

Së dyti, në solidaritet më konkret e më efikas ndërmjet vendeve të pasura e të varfra në vend të dominimit ekonomik e politik të të parave ndaj të dytave.

Disa nga objektivat e konferencave të mjedisit ishin:

• vëmendje e veçantë për rritjen ekonomike, duke e orientuar atë në plotësimin e nevojave bazë të popullsive, si ushqim, shëndet, siguri, ujë, punësim.

• zotërim i rritjes demografike.

• ruajtje dhe përdorim racional i burimeve natyrore.

• trajtim i rreziqeve teknologjike dhe natyrore.

• ulje sidomos e varfërisë ekstreme.

• realizimi i arsimit fillor dhe 8-vjeçar për të gjithë fëmijët.

• luftimi i disa sëmundjeve të rënda të shekullit të kaluar si sida, tuberkulozi, malaria etj.

Për të realizuar këta objektiva u tha se është e nevojshme të zbatohen disa strategji si vijon:

Në planin ekologjik dhe mjedisor. Zhvillimi dhe rritja e veprimtarive prodhuese, nëse nuk merren masa mbrojtëse, çojnë në ndotjen e mjedisit, në degradimin e ajrit, ujit dhe nëntokës nga hedhjet dhe mbetjet teknologjike e kimike, në mbishfrytëzimin e burimeve të mineraleve, pyjeve, shtretërve të lumenjve etj. Prandaj, në këtë kuadër, u kërkua të merren masa për mbrojtjen e atmosferës, angazhimin e shoqërisë dhe bizneseve për përsosjen e mënyrave të shfrytëzimit të tokës e nëntokës, forcimin e luftës kundër shpyllëzimeve, aplikimin e masave nxitëse për zhvillimin rural e bujqësor, për mbrojtjen e zonave malore, për ruajtjen e diversitetit biologjik, kontrollin e veprimit të substancave kimike e toksike, pastrimin e ujërave të përdorura, kontrollin dhe trajtimin e hedhjeve dhe mbeturinave në tërësi dhe atyre radioaktive në veçanti, trajtimin e ujërave të ëmbla, deteve dhe oqeaneve etj.

Në planin ekonomik. Për vendet në zhvillim është shtruar problemi që ato të ndihmohen me qëllim që t’i përdorin vetë burimet e tyre natyrore, të marrin masa për të stabilizuar çmimet me vlerën e vërtetë të produkteve, për nxitjen e këmbimit të lirë, zvogëlimin e borxhit të jashtëm, krijimin e kompetencave teknike dhe decentralizimin e pushtetit etj. Për vendet e industrializuara shtrohet detyra që të përsosen mënyrat e konsumit dhe të prodhimit me qëllim që të kufizohen rreziqet e shterimit të burimeve natyrore të parikthyeshme, si burimet minerale dhe energjetike, tokat e kultivueshme dhe uji. Nga ana tjetër, prej tyre kërkohet dhënia e një asistence teknike dhe ndihme të drejtpërdrejtë ndaj vendeve në zhvillim etj. Studiues të ndryshëm mendojnë se për ruajtjen e mjedisit produkti i brendshëm bruto duhet korrigjuar me një shumë monetare që u korrespondon degradimeve dhe tejshfrytëzimeve të burimeve. Mosmarrja parasysh e degradimit të ujërave ose të ajrit ka bërë që për një kohë të gjatë të mbivlerësohen rezultatet e rritjes ekonomike në vendet e zhvilluara. Në të kundërtën, nëse përpjekjet për të evituar degradimet nuk do të përfshihen

si shumë monetare në produktin e brendshëm bruto, atëherë interesi për mbrojtjen e mjedisit do të ulet.

Ekonomistët janë të mendimit që degradimet e mjedisit të maten me terma monetarë dhe të përfshihen në buxhetet e vendeve të ndryshme.

Në të kundërtën, disa mbrojtës të mjedisit e kundërshtojnë idenë e këtyre vlerësimeve, sepse, sipas tyre, bën që problemet e mjedisit të përfshihen në kornizën e diktaturës konceptuale “gjithçka në para”.

Për vendet e zhvilluara është e rëndësishme që të bëhet riciklimi, rikuperimi si dhe përdorimi i ekoprodukteve. Gjithashtu do të duhej që nga ana e tyre të realizohej transformimi dhe transferimi i teknologjive të përshtatshme edhe për situatat e vendeve në zhvillim, pasi kërkimi shkencor të jetë orientuar drejt objektivave të cilësisë së jetesës.

Në planin social. Në konferenca është theksuar që lufta kundër varfërisë ekstreme përbën një prioritet dhe si e tillë kërkohet të vihet theksi mbi kërkimet për sigurimin e produkteve bazë ushqimore. Për shumë vende, siç u vu në dukje nga Samiti i planetit Tokë, rritja demografike përbën një mbingarkesë të madhe për mundësitë e ruajtjes së ekosistemeve dhe për kapacitetet ekonomike dhe teknike të shoqërive. Prandaj në këto konferenca është theksuar vazhdimisht nevoja e planifikimit familjar, përdorimi i metodave të ndryshme për parandalimin e lindjeve të padëshiruara etj.

Në planin politik. Për arritjen e këtyre synimeve, krahas politikave të shëndetit, të punësimit, të arsimimit dhe të kushteve të urbanizimit, me rëndësi do të jetë edhe përfshirja e programit të politikave të planifikimit familjar si pjesë përbërëse e politikave të zhvillimit global. Politikanëve në pushtet u është kërkuar të favorizojnë pjesëmarrjen aktive të shtetasve në marrjen e vendimeve jo vetëm brenda familjes, por edhe në kuadrin e gjithë shoqërisë.

Veçanërisht e nevojshme është të tërhiqet mendimi i grupeve të caktuara sociale, si: gratë, të rinjtë, punëtorët e industrive, fshatarët, migrantët në

zonat origjinë dhe zonat destinacion. Gjithashtu, një informim dhe edukim relativ për mjedisin për të gjithë duhet të jetë në mënyrë të domosdoshme

i vazhdueshëm dhe nxitës.

 

 

4. Tranzicioni demografik, fazat dhe tipat e tij në vendin tonë dhe në botë

Me tranzicion demografik kuptohet kalimi nga një regjim tradicional i ekuilibrit demografik me vdekshmëri e lindshmëri të lartë, në një regjim ekuilibri modern me vdekshmëri e lindshmëri të ulët gjatë procesit të modernizimit të përgjithshëm. Ai është një proces që e kalon popullsia e çdo vendi. Në periudhën para tranzicionit si koeficientet e lindjeve dhe ato të vdekjeve janë të larta dhe përgjithësisht të pavarura nga vullneti i njerëzve. Duke qenë të dyja të larta, ato kanë tendencë të baraspeshojnë proceset demografike.

Gjatë fazës së parë të tranzicionit, koeficientet e vdekjeve ulen, ndërsa ato të lindjeve qëndrojnë të larta. Si rrjedhojë, ka një rritje të shpejtë të koeficienteve të rritjes natyrore. Në fazën e dytë, koeficientet e vdekshmërisë dhe të lindshmërisë zvogëlohen, megjithatë këto të fundit janë akoma të larta. Për këtë rritja demografike vazhdon me një koeficient të lartë dhe relativisht të qëndrueshëm. Me avancimin e tranzicionit demografik koeficientet e vdekjeve ulen deri në një nivel të caktuar dhe nuk ndryshojnë më, ndërsa koeficientet e rritjes fillojnë të ulen.

Gjatë fazës së tretë, siç shihet edhe në figurën 4.1, koeficientet e vdekjeve e të lindjeve ulen më shumë dhe kanë tendencë të baraspeshojnë rishtas proceset demografike.

Figura 4.1 Paraqitja grafike e fazave të tranzicionit demografik

Burimi: Dumani B.; Stringa A. Elemente të demografisë, Tiranë, 1997, faqe 108.

Midis dy regjimeve të ekuilibrit dallojmë fazën e rritjes natyrore e cila fillon në Ta dhe është aq më e shpejtë sa më e fortë të jetë ulja evdekshmërisë, si dhe fazën e zvogëlimit të rritjes demografike që mund të fillojë në Tb ose më vonë në varësi nga rënia e koeficienteve të lindshmërisë dhe vdekshmërisë. Shtesa që pëson popullsia gjatë periudhës së tranzicionit lidhet me tre faktorë: nivelin e rritjes në fillim; evoluimine lindshmërisë dhe vdekshmërisë midis dy uljeve (nga TaTb); dhe shpejtësitë respektive të uljes së vdekshmërisë dhe lindshmërisë.

Praktika botërore ka kaluar shumë situata të tranzicionit demografik. Ajo njeh disa tipa të tij dhe konkretisht:

Në tipin e parë bëjnë pjesë vendet e zhvilluara europiane. Përgjithësisht këto vende kanë një evoluim të ngjashëm e klasik, që grafikisht kanë formën e një kambane. Karakteristike për to janë: Koeficienti i rritjes natyrore është nën 2 për qind për çdo vit dhe tranzicioni demografik zgjat nga 75 deri 200 vjet. Në këtë tip dallohen tri modele: modeli nordik, modeli perëndimor dhe modeli jugor. Këto modele dallohen nga njëri-tjetri nga ritmet e rritjes (brenda 2-përqindëshit). Kështu modeli nordik ka ritmet më të ulëta të rritjes natyrore, modeli perëndimor ritmet mesatare dhe ai jugor ritmet më të larta.

Në tipin e dytë përfshihen vendet me popullsi të imigruar si SHBA-ja, Kanadaja, Australia, Zelanda e re, Argjentina, Uruguai. Profili i tranzicionit demografik të këtyre vendeve nuk është i formës klasike (kambanë), por i një vije në rënie që nga ana formale paraqet një gjysmëtranzicion (ngaqë

migrimet mbartin në vetvete një seleksionim të moshave). Ky seleksionim çon në njëfarë vjetrimi të strukturave demografike. Kjo sepse migracioni

lidhet më shumë me të rinj në moshë pune.

Në tipin e tretë bëjnë pjesë vendet në zhvillim, të cilat karakterizohen nga një koeficient i lartë i rritjes natyrore nga 2-4 për qind në vit dhe nga një tranzicion relativisht i shkurtër që zgjat nga 40-80 vjet.

Duke qenë se ndryshimi i popullsisë si rezultat i lindjeve, vdekjeve dhe migrimit konsiderohet i vazhdueshëm, herësi i tranzicionit zakonisht llogaritet si raport i numrit të popullsisë në fazën e fundit të tranzicionit          me numrin e saj në fillim të fazës së parë          me formulën që vijon:

Ku: H- është herësi i tranzicionit;

r - është koeficienti i rritjes natyrore;

n - është periudha midis rënies së koeficientit të vdekshmërisë e të lindshmërisë.

 

Në botë tranzicioni demografik ka kaluar nëpërmjet dy revolucioneve demografike. Kështu, vlerësohet se revolucioni i parë demografik ka ndodhur midis viteve 800 dhe 600 p.e.s., që përkon me kohën kur njerëzit filluan të merreshin me bujqësi. Punimi i tokës dhe rritja e bagëtive çoi në vendosjen e popullsisë me banim të qëndrueshëm në rajone të caktuara dhe filloi në njëfarë mënyre organizimi i jetës, gjë që shënoi edhe premisa për rritjen e numrit të popullsisë. Kjo periudhë karakterizohej me një lindshmëri e lartë (rreth 45-50 lindje për 1000 banorë) dhe vdekshmëri po ashtu tepër të lartë (40-45 për 1000 banorë).

Revolucioni i dytë demografik, i cili lidhet edhe me ndryshimet e mësipërme të evolucionit të popullsisë, ka filluar rreth vitit 1700. Ai lidhet me revolucionin industrial, mendohet të ketë filluar në Francë e Angli dhe karakterizohet nga të tria fazat klasike të tranzicionit demografik që shpjeguam në fillim të këtij paragrafi.

Në Shqipëri, tranzicioni demografik ka disa karakteristika. Ecuria e tij për nga forma përkon me profilin më tipik (në formë kambane) si dhe me mjaft vende të Europës, por këndi demografik është i ndryshëm dhe ngjason me atë të vendeve në zhvillim. Ai është një tranzicion i shkurtër dhe i shpejtë.

Faza e parë e tranzicionit demografik në Shqipëri, që mund të konsiderohet periudha 1920-1955, shënon një fazë të gjatë për rreth 35 vjet. Gjatë kësaj faze vihet re një rritje e koeficienteve të rritjes natyrore të popullsisë. Kështu, ritmi mesatar vjetor i rritjes së popullsisë për periudhën 1920-1940 ka qenë 1,5 për qind, ndërsa në periudhën 1940-1950 ai zbritinë 1.1 për qind dhe pastaj filloi të rritej në vitet 1950-1955 e më vonë edhe mbi 2 për qind. Në tërësi ritmi mesatar vjetor i rritjes së popullsisë në këtë fazë (1920-1955) ka qenë 1,7 për qind.

Faza e dytë përfshin periudhën 1956-1970, kur koeficienti i vdekjeveulet në mënyrë sistematike dhe koeficientet e lindshmërisë, megjithësekanë filluar të ulen, përsëri vazhdojnë të jenë në nivele të larta. Në këtë fazë koeficienti vjetor i rritjes së popullsisë ka qenë 2,96 për qind.

Faza e tretë përfshin periudhën 1970 e në vazhdim. Pas viteve 1970, koeficientet e lindjeve dhe të vdekjeve janë ulur vazhdimisht, pothuajse pa

rimarrje të vlerave të tyre. Kështu, në 10-vjeçarin 1970-1980 ritmi mesatar vjetor i rritjes së popullsisë u ul në 2.5 për qind dhe në vitet 1980-1990 ai ra në 2.1 për qind. Në vitin 2010 ai ka arritur në 1.6 për qind. Ndërsa në vitet2011-2023 ai ul edhe më tej. Madje si rezultat edhe i emigracionit në këtëperiudhë u ndeshëm me rënien e numrit absolut të popullsisë. Evoluimetdemografike në këtë fazë shpjegohen në kuadrin e të gjitha zhvillimeve

sociale dhe ekonomike të vendit.

Numri i popullsisë së dalë nga procesi i tranzicionit varet jo vetëm nga zgjatja e periudhës, por edhe nga “lartësia”, d.m.th., nga koeficienti i rritjes natyrore të popullsisë. Kështu, popullsia e Shqipërisë për rreth 100 vjet tranzicion demografik parashikohet të rritet 5 herë, ndërkohë që popullsia e Meksikës për 80 vjet tranzicion demografik rritet 7 herë, ndërsa popullsia e Suedisë për 150 vjet tranzicion është rritur vetëm 3,8 herë etj.

Nga shfaqja e tij në tokë njeriu ka jetuar dy hope të mëdha demografike që u korrespondojnë dy revolucioneve të mësipërme, që përbëjnë faza vendimtare të evoluimit dhe formimit të tij. Deri nga fundi i mijëvjeçarit të tetë p.e.s. (d.m.th.,10.000 vjet më parë) popullsia e botës kishte një zhvillim

shumë të ngadaltë, ajo mezi arriti deri në 5 milionë banorë. Ndërsa deri nga fundi i mijëvjeçarit të pestë p.e.s, megjithëse ajo u 3-fishua, vazhdoi të kishte një zhvillim shumë të ngadaltë, ajo arriti në 15 milionë banorë. Si rezultat i zhvillimit të bujqësisë në fund të mijëvjeçarit të 4-t d.m.th. pas 1000 vjetësh, ajo u rrit 10 herë dhe arriti në 150 milionë banorë. Ky qe hopi I i zhvillimit demografik, që lidhet me revolucionin e parë demografik. Dinamika e saj tregohet në tabelën 4.1 si më poshtë:

Tabela 4.1 Rritja e popullsisë së botës

Burimi: Përpunim i të dhënave nga botimi i prof. Fiqiri Sherit ‘Popullsia e botës’, Tiranë, më 2006.

Rritja e popullsisë së botës pas erës sonë sipas kontinenteve paraqitet në tabelën 4.2 që vijon:

Tabela 4.2. Popullsia e botës prej viteve 14 deri në vitin 1600 të epokës sonë

Burimi: Përpunim i të dhënave të nxjerra nga botimi i prof. F. Sherit ‘Popullsia e botës’, Tiranë, më 2006, faqe 36-37.

a) Përfshin të gjithë Egjiptin                c) Azia pa pjesën e ish-BS-së

b) Amerika Veriore dhe Jugore           d) Europa me ish-BS-në

Duke filluar që prej fundit të shekullit të 18 me revolucionin industrial, popullsia po përjeton hopin II. Këtë herë 10-fishimi i popullsisë u arrit për 250 vjet dhe jo për 1000 vjet siç u arrit në hopin I, pra 4 herë më shpejt.

Popullsia e botës në vitin 1800 numëronte mbi 900 milionë banorë dhe dyfishimi i saj u bë në vitin 1920. Rritja e popullsisë në vitet 1800-2100 paraqitet në tabelën 4.3.

Tabela 4.3 Rritja e numrit të popullsisë në vitet 1800-2100 (në milionë)

Burimi: Përpunim i të dhënave nga botimi i prof. F. Sherit “Popullsia e botës”, Tiranë,

 më 2006, f. 46 si dhe studimi i dr. Hans Rosling, i paraqitur në librin “Forca e faktit”.

Në vitin 1950, nga 2.5 miliardë banorë që kishte bota, rreth 800 milionë jetonin në Europë, Amerikën e Veriut, Japoni, Rusi, Australi e Zelandën eRe, të cilat kishin ritmet më të ulëta të rritjes së popullsisë. Krahasuar me pjesën tjetër të botës, popullsia e tyre ishte afërsisht në raport 1 me 2.

Ndërkohë që janë dashur shumë miliona vjet që njerëzimi të arrinte në një miliard banorë, nuk u deshën as 250 vjet për të arritur miliardin e dytë,

40 vjet për miliardin e tretë, 15 për miliardin e katërt, 13 për të pestin dhe 12 për miliardin e gjashtë në vitin 2000. Miliardi i shtatë është arritur në

vitin 2011 dhe i teti pas 11 vjetësh të tjerë, d.m.th. në vitin 2022.

Sipas parashikimeve të bëra, në vitin 2050 popullsia e botës mendohet të kalojë mbi 9 miliardë banorë. Rritja e popullsisë së botës e në veçanti e asaj të Europës në shekullin e 19 i lejoi kontinentit të vjetër të rrisë mjaft peshën specifike të tij në popullsinë botërore e të shtrihet gjerësisht edhe tej kontinentit, veçanërisht në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut

si pasojë e emigracionit. Sot, kur në disa vende të Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut po arrihet në rritjen zero dhe në disa prej tyre në pakësimin e numrit të popullsisë, popullsia e vendeve në zhvillim vazhdon të rritet me ritme të larta.

Rritja demografike është veçanërisht e dukshme në qytete, popullsia e të cilave shtohet jo vetëm nga shtesa natyrore, por edhe si pasojë e emigracionit të popullsisë fshatare drejt qytetit, një fenomen masiv ky për shumë vende të botës. Kështu, sot ka një kontrast të madh ndërmjet vendeve të industrializuara dhe atyre që janë në zhvillim. Në vitin 1900 popullsia ishte e ndarë në raportin 1/3 me 2/3 midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim. Procesi i diferencimit të popullsisë u bë sidomos në 50 vjetët e fundit. Në vitin 2000 ajo arriti në 1/4, ndërsa në vitin 2050 mendohet të përbëjë rreth 1/7 e popullsisë së botës.

Urbanizimi i popullsisë në vitin 2011 arriti në 54 për qind, nga 31 për qind që ishte në vitin 1960 dhe në vitin 2050, parashikohet të arrije në mbi 2/3, pra për 90 vjet ajo rritet 2,5 herë.. Në vendet e industrializuara është arritur pothuajse plotësisht procesi i urbanizimit duke arritur në vitin 2011 mbi 80 për qind popullsi qytetare. Në vitin 2023 janë 10 vende që e kanë këtë tregues mbi 90 për qind. Në vitin 1950 në grupin e qyteteve të mëdha me mbi 10 milionë banorë numëroheshin vetëm 2, Nju Jorku dhe Londra kurse 1985 numërohen 18 si: Tokio, Nju Jorku, Meksiko, Los Anxhelos, Kalkutë etj. Në fund të shekullit (viti 2000) ishin 25 qytete të tillë të kryesuar nga Meksiko (me më tepër se 30 milionë banorë), San Paulo, Shangai, Pekini, Tokio, Nju Jorku me mbi 20 milionë banorë etj.

Ndërsa tani numri i tyre ka arritur në mbi 30 të tillë.

Lëvizjet e popullsisë nga fshati në qytet me përmasa të mëdha krijojnë anomali në strukturat demografike të këtyre qyteteve, aq më tepër që popullsia e shpërngulur përbëhet kryesisht nga mosha të reja, të afta për punë. Kjo çon në një mbipopullim të këtyre moshave, shton të papunët dhe krijon shpërpjesëtime ndërmjet gjinive sidomos në grupmoshat 20-29 vjeç.

Proceset aktuale të integrimit popullsi-zhvillim për popullsinë e vendeve të Europës Perëndimore kanë sjellë edhe një shkallë të lartë të plakjes së saj. Një tregues i plakjes së popullsisë së këtyre vendeve është raporti i popullsisë nën moshën 20 vjeç me atë mbi 60 vjeç, i cili aktualisht është 1 me 3. Kjo situatë kushtëzon pakësimin e ofertës së krahut të lirë të punës, fëmijëve dhe punëtorëve të pakualifikuar, duke nxitur tërheqjen e emigrantëve nga vendet e tjera. Në botë rreth 55 për qind e popullsisë ose 2.7 miliardë banorë jetojnë aktualisht me më pak se 2 dollarë në ditë, ndërsa 22 për qind e saj ose 1.3 miliardë banorë me më pak se 1 dollar. Rritja e shkallës së analfabetizmit është një dukuri tjetër, sidomos në vendet në zhvillim. Është shumë shqetësuese, sot në botë janë mbi 1,5 miliardë analfabetë. Pra, ¼ e popullsisë nuk di shkrim e lexim, ndërsa mbi 100 milionë fëmijë s’kanë mundësi ekonomike të shkollohen.

 

 

5. Ndryshimet e mëdha numerike të popullsisë në botë dhe ekuilibrat demografikë në shkallë vendi & në shkallë botërore

E vërteta është se popullsia e botës është rritur dhe vazhdon të rritet. Madje me ritme shumë të shpejta. Sipas studimeve të OKB-së, në 15 vitet e ardhshme pritet që asaj t’i shtohen edhe 1 miliard njerëz të tjerë. Ndërsa në fund të shekullit mendohet që ajo të arrijë në 12 miliardë banorë. Ky është një fakt i vërtetueshëm dhe jo një perceptim i gabuar. Megjithatë, nuk mund të themi se popullsia e botës vetëm po rritet. Fjala “vetëm” nënkupton se nëse nuk marrim ndonjë masë drastike, popullsia do të rritet pambarimisht. Pyetjet që mund të shtrohen janë: A duhet të ketë njëfarë

caku numri i njerëzve që mund të jetojnë në këtë planet, apo jo? Kështu do të vazhdojë rritja e popullsisë edhe në të ardhmen? Vetëm rritje do të

regjistrohen në numrin e saj?

Përgjithësisht njerëzit kanë frikë kur shohin një rritje kaq të vrullshme, ngaqë e dinë se burimet e planetit janë të kufizuara. Mirëpo nga sa duket, popullsia e botës vetëm po rritet me një shpejtësi shumë të lartë. Madje njerëzit, siç thotë dr. Hans Rosling në librin e tij “Forca e faktit”, e perceptojnë këtë rritje të paraqitur grafikisht me një zgjatim drejtvizor, siç paraqitet në figurën 5.1.

Sigurisht, ai është shqetësues. Megjithatë, në jetën moderne nuk është mirë t’i besojmë verbërisht kësaj intuite drejtvizore. Parashikimi intuitiv i rritjes drejtvizore është dukshëm i gabuar në këtë rast. Është dukshëm i gabuar sepse të gjithë e kemi shumë të qartë ritmin e rritjes, sepse e dimë që rritja nuk vazhdon pareshtur, si në figurën 5.1.

Megjithatë, kur kemi të bëjmë me një temë të panjohur, është shumë e vështirë të mos biem pre e instinktit të rritjes drejtvizore. Specialistët e popullsisë të OKB-së parashikojnë një rritje si në figurën 5.2 që vijon:

Figura 5.1 Rritja e popullsisë së botës në 800 vitet e fundit dhe parashikimi i rritjes së saj deri në vitin 2100 (duke e perceptuar si zgjatim drejtvizor)

Burimi: Hans Rosling, libri ‘Forca e faktit’, botim Prishtinë -Tiranë, 2019, faqe 96.

Figura 5.2 Parashikimi i rritjes së popullsisë së botës deri në vitin 2100 (sipas llogaritjeve të specialistëve të popullsisë së OKB-së).

Burimi: Hans Rosling, libri ‘Forca e faktit’, botim Prishtinë -Tiranë, 2019, faqe 98.

Numri i popullsisë së botës në vitin 2019 ishte 7.6 miliardë banorë dhe po ndryshon me shpejtësi. Më 15 nëntor 2022 ajo arriti në 8 miliardë banorë.1)

Megjithatë, ritmi i kësaj rritjeje ka filluar të ngadalësohet. Specialistët e OKB-së janë shumë të sigurt se do të vazhdojë të ngadalësohet në dekadat

në vazhdim. Ata besojnë se vija do të rrafshohet nga fundi i shekullit, kur popullsia të ketë arritur 11 miliardë banorë. Për ta kuptuar më mirë trajtën

e vijës së numrit të popullsisë, duhet të kuptojmë burimin e rritjes së saj, që siç dihet është numri i fëmijëve.

Kombet e Bashkuara kanë parashikuar se në vitin 2100 popullsia e botës do të jetë rritur me 4 miliardë banorë. Por si do të rritet, do të ketë më shumë fëmijë (nën moshën 15 vjeç), do të ketë më shumë të rritur: (mosha 15-74 vjeç), apo do të ketë më shumë të moshuar: (mosha 75 vjeç e lart). Sot në botë numërohen 2 miliardë fëmijë të moshës nga 0 në 15 vjeç. Sipas studimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, po aq mendohet të jetë numri i fëmijëve edhe në vitin 2100. Pra, nuk pritet ndonjë rritje e mëtejshme e tyre.

Numri i fëmijëve që do të lindin në të ardhmen është e dhëna më e rëndësishme për të bërë parashikime mbi popullsinë e botës. Për këtë arsye, ky numër ka rëndësi jetike për çdolloj debati lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm. Nëse gabojmë me këtë numër, atëherë do të gabojmë në shumë llogaritje të tjera.

Është e kuptueshme, ekspertët janë të bindur se popullsia do të vazhdojë të rritet kryesisht ngaqë do kemi më shumë të rritur (mosha 15-74 vjeç), pra, do të shtohet disi popullsia në moshë madhore. Nuk do të shtohen fëmijët dhe as të moshuarit. Në figurën 5.3 paraqitet e njëjta rritje e popullsisë që pamë në figurën 5.2. Ndryshimi qëndron vetëm sepse në figurën 5.3 është bërë ndarja e numrit ndërmjet fëmijëve dhe të rriturve:

Figura 5.3 Parashikimi i rritjes së popullsisë së botës deri në vitin 2100 (sipas llogaritjeve të specialistëve të popullsisë të OKB-së ).

Burimi: Hans Rosling, libri ‘Forca e faktit’, botim Prishtinë -Tiranë, 2019, faqe 99.

1) Burimi: Revista “Studime Demografike”, nr.1, viti 2022.

Po të shihet me kujdes vija që paraqet numrin e fëmijëve në moshën 0-14 vjeç pas rritjes që kanë pësuar në shkallë botërore në vitet 1950-2000, pas kësaj periudhe ai fillon përsëri të rrafshohet. Kjo tashmë, pas viti 2000, ka filluar të ndodhë. Specialistët e OKB-së raportojnë një fakt që po ndodh. Ndryshimi rrënjësor që nevojitet për frenimin e shtimit të vrullshëm të popullsisë është ndalimi i rritjes së numrit të fëmijëve. Në të vërtetë kjo është ajo që po ndodh, numri i fëmijëve nuk po rritet dhe kjo ndodh sepse ka një rënie të pabesueshme të numrit të foshnjave të lindura nga çdo grua. Nëse në vitin 1948 një grua sillte në jetë mesatarisht pesë fëmijë, pas vitit 1965 ky numër filloi të binte si kurrë më parë. Gjatë 50 viteve në vazhdim ra pa pushim derisa arriti mesataren 2.5.

Ky ndryshim drastik ndodhi edhe pse miliarda njerëz dolën nga varfëria e skajshme. Shumica e tyre vendosën të bënin më pak fëmijë. Ata nuk kishin më nevojë për të pasur shumë fëmijë për të punuar ngastrën e tokës së familjes. Përveç kësaj, vdekshmëria e fëmijëve nuk përbën më kërcënim serioz për çiftet, që të mbeteshin pa fëmijë. Nga ana tjetër, si gratë ashtu edhe burrat tani janë më të arsimuar. Ata synojnë që fëmijët e tyre të ushqehen dhe të shkollohen më mirë, pra, të investojnë më shumë për ta. E vetmja rrugëzgjidhje për ta ishte të bënin më pak fëmijë. Në praktikë ky synim nuk ishte i vështirë për t’u realizuar, falë shpikjes së kontraceptivëve modernë që u jepnin prindërve mundësinë të kishin më pak fëmijë, pa qenë e nevojshme të bënin ndryshime në marrëdhëniet seksuale.

Rënia e numrit të foshnjave të lindura për çdo grua do të vazhdojë edhe në të ardhmen, për sa kohë që njerëzit të vazhdojnë të dalin nga varfëria e skajshme. Gratë e arsimuara dhe përdorimi i kontraceptivëve bashkë me edukatën seksuale do të vazhdojnë të përhapen edhe më gjerësisht. Nuk ka nevojë për asnjë masë drastike. Mjafton të qëndrojmë në këtë rrugë që ka nisur. Por, sidoqoftë, nuk është e mundur të parashikohet me saktësi rënia e lindshmërisë në të ardhmen. Kjo varet nga shpejtësia me të cilën do të ndodhin ndryshimet që përmendëm. Gjithsesi, numri i lindjeve në vit në shkallë botërore ka reshtur së rrituri. Kjo do të thotë se periudha e rritjes së popullsisë do të mbarojë shpejt. Atëherë shtrohet pyetja tjetër, si do të rritet popullsia e botës me 4 miliardë banorë?

Le t’i referohemi një grafiku tjetër të ndërtuar nga studiuesi Hans Rosling, i cili në librin e tij “Forca e faktit” e paraqet popullsinë e botës të ndarë në disa grupmosha në vitin 2015 dhe çdo 15 vite, për 60 vjet më pas.

Figura 5.4: Parashikimi i rritjes së popullsisë së botës sipas grupmoshave deri në vitin 2075 (sipas llogaritjeve të specialistëve të popullsisë të OKB-së

Burimi: Hans Rosling, libri ‘Forca e faktit’, botim Prishtinë -Tiranë’ 2019, faqe 101.

Në anën e majtë të grafikut shohim moshat e 7 miliardë njerëzve që jetojnë në vitin 2015. Prej tyre, 2 miliardë u përkasin moshave nga 0 në 15 vjeç; 2 miliardë në moshat nga 15 në 30 vjeç dhe nga 1 miliard i gjejmë në grupmoshat 30-45 vjeç, 45-60 vjeç dhe 60-75 vjeç.

Në vitin 2030 do të ketë 2 miliardë njerëz në grupmoshën 0-15 vjeç. Të gjithë të tjerët do të kenë ecur në moshë. Ata që sot janë në grupin 0-15, do t’i gjejmë në grupin e 15-30-vjeçarëve në vitin 2030. Ndërsa personat që sot ndodhen në grupin 15-30 do të jenë 2 miliardë 30-45-vjeçarët e vitit

2030. Për momentin në botë jetojnë vetëm 1 miliard persona të moshës 30-45.

Kështu pra, pa qenë e nevojshme rritja e numrit të fëmijëve të lindur dhe e jetëgjatësisë në përgjithësi, do të kemi 1 miliard të rritur më shumë. Për tre breza me radhë ky model do të përsëritet. Në vitin 2045, 2 miliardë personat e grupmoshës 30-45 do të jenë tashmë 45-60-vjeçarë dhe do të kemi 1 miliard të rritur më shumë. Në vitin 2060, 2 miliardë personat e grupmoshës 45-60 do të jenë nga 60-75 vjeç. Përsëri do të kemi 1 miliard të rritur. Vini re çfarë ndodh. Që prej 2060-s çdo brez, të cilit i përkasin 2 miliardë njerëz, do të zëvendësohet me një tjetër brez që numëron po 2 miliardë. Duke ndodhur kjo, rritja e vrullshme e popullsisë do të ndalojë.

Rritja e lartë e popullsisë nuk do të ndodhë për shkak të rritjes së numrit të fëmijëve, por sepse të moshuarit do të jetojnë më gjatë. Në të vërtetë, specialistët e OKB-së parashikojnë se në vitin 2100 pritshmëria e jetëgjatësisë në botë do të jetë rritur me rreth 11 vjet. Në këtë kohë 1 miliard banorë do t’i shtohen numrit të të moshuarve duke e shpënë atë në 11 miliardë. Rritja e popullsisë do të ndodhë kryesisht sepse fëmijët e sotëm do të rriten dhe do ta “mbushin” grafikun me 3 miliardë të rritur shtesë. Efekti i “mbushjes” do të shtrihet në tre breza. Sigurisht ky është një lloj shpjegimi në një këndvështrim të përgjithshëm. Sepse shumë njerëz vdesin para moshës 75-vjeçare dhe shumë prindër bëhen me fëmijë pas moshës 30-vjeçare. Megjithatë, edhe përfshirja e këtyre fakteve nuk e ndryshon tablonë e përgjithshme.

Kjo ndodh sepse sigurohet një ekuilibër me natyrën. Kur një popullsi e caktuar nuk rritet për një periudhë të gjatë kohe, do të thotë se çdo brez është i barabartë për nga përmasat me brezin paraardhës. Për mijëra vjet deri në vitin 1800 vija e rritjes së popullsisë ka qenë e rrafshët dhe popullsia jetonte në ekuilibër me natyrën. Deri në vitin 1800 gratë lindnin mesatarisht nga 6 fëmijë. Kjo do të thotë që popullsia duhej të ishte rritur nga brezi në brez. Por shohim se ajo ka pësuar një rritje të vogël ose pothuajse ka qëndruar në vend. “Kujtoni eshtrat e fëmijëve nëpër varret e vjetra, - theksonte dr. Hansi, - mesatarisht katër nga gjashtë fëmijë vdisnin para se ta arrinin moshën për t’u bërë vetë prindër. Vetëm dy mbijetonin për ta shtuar brezin pasardhës. Nëse kishte një ekuilibër, kjo nuk do të thotë se njerëzit jetonin në ekuilibër me natyrën. E vërteta është shumë më ndryshe dhe shumë më e shëmtuar, njerëzit vdisnin në ekuilibër me natyrën”.

“Sot njerëzimi, - thekson Hansi më tej, - po i afrohet dalëngadalë ekuilibrit. Numri i prindërve ka reshtur së rrituri. Ky lloj ekuilibri është shumë më ndryshe nga ai i hershmi. Është shumë më i mirë. Zakonisht prindërit bëjnë nga dy fëmijë dhe asnjëri nuk u vdes. Për herë të parë në historinë e njerëzimit ne jetojmë në ekuilibër”.2)

Popullsia është rritur nga 1.5 miliardë që ishte në vitin 1900 në 6 miliardë në vitin 2000. Kjo ka ardhur si rezultat i ndryshimit shumë të madh nga njëri skaj i peshores në tjetrin, gjatë shekullit të njëzetë. Kjo është e vetmja periudhë në historinë e njerëzimit gjatë së cilës një çift prindërish lindin mesatarisht dy fëmijë, të cilët jetojnë aq sa për t’u bërë vetë prindër.

 

2) Hans Rosling, libri “Forca e faktit”, botim Prishtinë -Tiranë, 2019, faqe 103.

Figura 5.5 Parashikimi i rritjes së popullsisë së botës dhe ekuilibrat e saj sipas dy grupmoshave në vitin 1800-2100

(sipas llogaritjeve të specialistëve të popullsisë të OKB-së)

Burimi: Hans Rosling, libri ‘Forca e faktit’, botim Prishtinë -Tiranë, 2019, faqe 104.

Periudha e prishjes së ekuilibrit është arsyeja që dy brezat më të rinj sot janë shumë më të lartë në numër se të tjerët. Periudha e mosbalancimit të ekuilibrit është arsyeja e mbipopullimit. Megjithatë, mund të thuhet se ekuilibri i ri është arritur me rritjen e ngadalësuar të numrit të lindjeve.

Nëse niveli i varfërisë vazhdon të ulet, ndërkohë që edukata seksuale dhe përdorimi i kontraceptivëve fitojnë gjithnjë e më shumë terren, popullsia

e botës do të vazhdojë të rritet me shpejtësi deri në momentin që pasoja e pashmangshme e mbipopullimit të ketë përfunduar.

Le të shohim shkurt se si ka ndikuar varfëria e skajshme në numrin e madh të anëtarëve në një familje. Prindërit që jetojnë në varfëri të skajshme

kanë nevojë për shumë fëmijë pikërisht për arsyet që u përmenden më sipër, d.m.th. për të punuar dhe për të mos mbetur pa fëmijë, nëse disa sëmuren dhe vdesin. Pikërisht në vendet me vdekshmërinë më të lartë të fëmijëve:

Somali, Çad, Mali dhe Nigeri shënohet lindshmëria më e lartë, me pesë deri në tetë fëmijë për çdo grua. Kur prindërit janë të sigurt që fëmijët e tyre do të mbijetojnë, kur fëmijët nuk u nevojiten më për të punuar dhe kur gratë janë të arsimuara dhe kanë njohuri dhe mundësi për përdorimin e kontraceptivëve, pavarësisht besimit dhe veçorive kulturore, si gratë ashtu edhe burrat parapëlqejnë të kenë më pak fëmijë që të mund t’i shkollojnë

dhe edukojnë.

Çdo brez i mbajtur në varfëri të skajshme do të prodhojë një numër më të madh pasardhësish. E vetmja mënyrë e provuar për të mbajtur nën kontroll rritjen e popullsisë është të zhdukim varfërinë e skajshme dhe ta përmirësojmë cilësinë e jetesës së njerëzve duke përfshirë arsimimin dhe aplikimin e masave mbrojtëse ndaj shtatzënisë së padëshiruar, si përdorimin e kontraceptivëve etj. Pjesa më e madhe e prindërve në mbarë botën po zgjedhin të lindin më pak fëmijë. Kjo prirje është përhapur në të gjithë botën dhe ka ulur ngado vdekshmërinë e fëmijëve.

Këto masa do të bëjnë që të realizohet sa më shpejt tranzicioni demografik për çdo vend të veçantë, si dhe në shkallë botërore, duke i kaluar vendet në ekuilibra të rinj e modernë të popullsisë si dhe kalimin në ekuilibër të popullsisë botërore duke na e “larguar frikën” nga rritja e pareshtur e popullsisë së botës. Kështu do të luftohet koncepti që “popullsia e botës vetëm rritet e rritet pareshtur”, perceptim i cili krijohet nga grafiku i një vije të drejtë, që siç e ka përcaktuar dr. Hans Rosling, është ”grafiku më i frikshëm që kam parë ndonjëherë”,3) duke e quajtur atë thellësisht të gabuar.

 

 

3) Hans Rosling, libri “Forca e faktit”, botim Prishtinë -Tiranë, 2019, faqe 90.

Literatura:

1. Sheri, Fiqri - Popullsia e botës. Botim i albPAPER, Tiranë, 2006.

2. Telo, Ilia- Demografia-Tiranë, 2008.

3. Hans Rosling libri ”Forca e faktit”, botim Prishtinë -Tiranë, 2019.

4. Dumani B.; Stringa A. Elemente të demografisë, Tiranë, 1997.

5. Koçi, Nevruz - Demografia, Tiranë, 2008.

6. World Population Ageing 2007, Unitet National New York, 2007.

7. Hana L.& Telo I. Tranzicioni në Shqipëri: Arritje dhe sfida. Tiranë, 2005.

8. Telo, Ilia - Moshimi, shteti dhe shoqëria. Tiranë, 2016.

9. Rezultatet e censusit të popullsisë dhe banesave 2011. Botim Instat, Tiranë, 2012.

10. Rezultatet e studimit për prognozimin e popullsisë së Shqipërisë për vitet 2011-2060.

11. Revista - “Demografia”, vitet 1998-2023, botim i Shoqatës së Demografëve të Shqipërisë.

12. UNFPA - State of World population - 2022.

13. UNDP - National Human Development Report - 2022.

14. Vjetarë statistikorë të OKB-së, EUROSTAT-it, INSTAT-it etj.