TRAJTIME SOCIOLOGJIKE TË KONCEPTIT TË

GJENERATAVE

Prof. Dr. Irena NIKAJ

Departmenti i Edukimit, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë

Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë

inikaj@unkorce.edu.al

Abstract

This paper examines the relationship between social change and generations, the role played by economic, social, behavioral factors in the process of transformation of societies. This paper tries to examine today’s society, the generations that make it up, and also social groups in Albania, to construct the degree of complexity of the situation of social groups, especially young people, especially in the conditions of the Covid-19 pandemic and its medium-term and long-term consequences that it has created and will continue to display. The paper is based on quantitative and qualitative methods, review of achievements in this field of research, as well as analysis of data from trusted sources, public or media, which periodically review data related to the population, its quantitative characteristics and quality, etc. Albania’s population has shrunk, at a rate that now seems worrying, but change is slow, yet social relations, between groups, within groups have not changed, which would enable a faster economic, cultural, social and political progress of Albanian society. In the digital age many myths have fallen, and others will fall, because rapidly the generations that operate with bits and bytes, apparently have the ability to influence social development, communication, technological development, the smartest way of thinking and intelligent (smart thinking), which relies even more on digital symbols, as a new cultural resizing, both old and modern.

Key words: Cobots; Generations; Generation gap; Karl Manheim; Norbert Elias.

Hyrje

Shoqëria njerëzore, duke filluar prej Antikitetit të largët, kur njerëzit e asaj kohe ja mbërritën të ishin në gjendje të krijonin vegla pune dhe të ndiznin dhe ruanin zjarrin, është zhvilluar deri në ditët e sotme në mënyrë të jashtëzakonshme, gjithashtu edhe komunikimi ka arritur një zhvillim të aq të madh, sa mjafton të vërejmë se sot ka në përdorim më shumë telefona celularë sesa jetojnë njerëz në planet.

Janë revolucionet industrialë të epokës moderne dhe të kohës që jetojmë, të cilat kanë sjellë transformime të mëdha me ndikim të thellë në shoqëri, që nga mesi i shekullit të 18-të e deri sot, natyrisht, do të sjellin edhe përtej të sotmes. Për të kuptuar më mirë ndryshimet dhe përshtatur terminologjinë po përshkruajmë periudhat e zhvillimeve të thella industriale si vijon:

Periudha e revolucionit industrial 1.0: vlerësohet se filloi në mesin e shekullit të 18-të në Mbretërinë e Bashkuar (UK) dhe vazhdoi deri rreth viteve 30-të të shekullit të kaluar. Ndryshimi më domethënës është transformimi i bujqësisë dhe industrializimi i saj. Fillimisht u shfaq motori me avull, që rriti prodhimin dhe transformoi proceset industriale në mënyrë të pakthyeshme.

Periudha e revolucionit industrial 2.0: ky transformim fillon rreth viteve ‘30 të të shekullit XX, me ndryshime në mënyrën e prodhimit, i cili realizohej përmes prodhimit zinxhir masiv dhe automatizimit, më shumë mbizotërues në prodhimin e automobilave, ndërsa nafta dhe elektriciteti u bënë burimet e rëndësishme të energjisë, dhe telefoni dhe radio u shfaqen me një ndikim shumë të thellë në zhvillimin shoqëror.

Periudha e revolucionit industrial 3.0: transfomimi industrial në këtë periudhë ishte i lidhur me shpërthimin e dijeve shkencore, të cilat sollën zbulimet në elektronikë, krijimin e kompjuterave, të internetit, pajisjeve të lëvzshme dhe bioteknologjisë. Burimet e energjisë nga zbërthimi atomik dhe gazi u përdorën në shumë ekonomi të zhvilluara.

Periudha e revolucionit industrial 4.0: kjo periudhë është mjaft domethënëse, me shumë rëndësi për shoqërinë, sepse, sidomos, në fillim të shekullit XXI ndodhi një shtim i paparë i dijeve dhe metodave shkencore, të cilat u zbatuan me shpejtësi të madhe në ekonomi, si robotët, dronët, printimi 3D, nanoteknologjia, aplikimet kompjuterike, mbledhja e të dhënave masive, realiteti virtual, inteligjenca artificiale, midis shumë të tjerave.

Fillimi i periudhës së revolucionit industrial 5.0: janë zbuluar tashmë, në fillim të vitit 2020, shenjat e transformimit industrial, i cili shfaqet si integrim, dhe jo si përjashtim i njerëzve, të cilët punojnë bashkë me sisteme robotike dhe sistemet informatike të avancuara. Janë shfaqur robotët bashkëpunues, cobots, të cilët sipas përkufizimit të Institutit të Sigurisë dhe Shëndetit Profesional Gjerman: Janë makina komplekse, që punojnë krah për krah me njerëzit. Në zhvillimin e proceseve të punës cobots mbështesin dhe evdentojnë rolin e operatorëve humanë.1)

Zhvillimi industrial në përmasa të tilla të jashtëzakonshme ka transformuar shoqërinë dhe grupet, gjeneratat që e përbëjnë atë. Ky transfomim që po ndodh në kohën e sotme, nuk është ngjarje e veçuar në rrjedhën historike të kohës, ka ndodhur edhe në periudhat e mëparshme të trans-formimit revolucionar të prodhimit, industrisë, ekonomisë, rregullisht, por në pamjet e shoqërisë njerëzore aktuale, na duket me interes të shqyrtojmë si janë dhe si do të jenë kohezioni shoqëror, marrëdhëniet shoqërore midis grupeve, gjeneratave sociale, përgjatë trajektoreve transformuese gjigante, të shpejta, tronditëse dhe ndriçuese.

 

 

1) Institute for Occupational Safety and Health, Germany. Collaborative Robots. https://www.dguv. de/ifa/fachinfos/kollaborierende-roboter/index-2.jsp

 

 

 

1. Gjeneratat shoqërore si problem sociologjik

Përgjatë rrjedhës së ndryshimeve komplekse, shpeshherë të jashtëzakonshme për fuqinë transformuese, që kanë ndodhur në shoqëri, rol thelbësor kanë pasur dhe kanë gjeneratat shoqërore. Krahas me daljen në pah të kuptimit për rolin e tyre është pasuruar dhe konceptimi për to dhe karak-

teristikat e tyre, si dhe mënyrën e ndërveprimit, kundërshtitë, konfliktet etj.

Nisur nga shkrimet më të vjetra, sidomos me natyrë fetare, gjeneratat kanë qënë dhe janë trajtuar si substrati, lënda ndërtuese e përparimit shoqëror.

Në rrjedhën e zhvillimit të njohjes shkencore të shoqërisë ky koncept ka tërhequr vëmendje dhe trajtime të thelluara edhe në sociologji.

Studimet akademike për të rinjtë në fillim të shekullit XX, të nxitura dhe nga përpunimi i teorive në lidhje me adoleshencën, sidimos puna e psikologut Granville Stanley Hall (1846-1924), i cili pohonte se periudha e adoleshencës është një përvojë universale e stuhishme dhe plot stres, ndikuan në ridimensionimin e historisë së evolucionit të qënieve humane. Pikëpamja psikologjike për të rinjtë, si koncept dhe kuptim, u sfidua nga studiues të tjerë të fushës, midis të cilëve, Margaret Mead (1901- 1978), e cila provoi se karakteristikat e të rinjve ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Studiuesit evropianë të gjeneratave në punimet e tyre treguan se ato ndryshojnë nga koha në kohë ...

Si ka vërejtur D.I.Kertzer (1983), që të jenë sa më të vlefshme studimet sociologjike për gjeneratat, duhet të shmangen keqkuptimet që lindin nga përdorimi i koncepteve të gjeneratës, kategorisë moshore apo grup- moshave si të ngjashme apo të njëjta.

Sociologu që nisi diskutimin për gjeneratat, Karl Manheim (1893- 1947), tek eseja “Problemi sociologjik i gjeneratave” (1927),  nënvizon: së pari, nga pikëpamja teorike, rëndësinë e trajtimit sociologjik të problemit, sepse është ky trajtim që na udhëheq në kuptimin e strukturës sociale dhe përparimit intelektual. Ndërsa rëndësia praktike e trajtimit ka të bëjë me të kuptuarit e ritmeve të shpejta të ndryshimit social. Ky diskutim u ushqye, sidomos, nga kushtet e krijuara në Evropë pas Luftës I Botërore, me shfaqjen e të ashtuquajturit “brez i humbur”, i krijuar jo vetëm si term, për shkak të pasojave shkatërrimtare të luftës, të cilat ndikuan thellë në trajektoret e jetës së individëve, por edhe në perspektivën e shoqërive në të cilat ata bënin pjesë.

Së dyti, Karl Manheim trajton pikëvështrimet e ndryshme për këtë koncept, që kanë të bëjnë me traditat intelektuale në shoqëri të ndryshme dhe zhvillimin e shkencave të veçanta, dhe duke qënë një problem i gjerë, që nuk mund të zgjidhet nga një shkencë e vetme, ai duhet të zgjidhet përmes kooperimit, bashkërendimit të veprimit shkencor dhe shoqëror.

Së treti, kompleksiteti me të cilën shfaqen plakja biologjike dhe vdekja, si dhe ripërtëritja fizike e individëve në kohë, si rrjedhojë e tyre, kanë qënë objekt shqyrtimi në rrafshin teorik, për të shpjeguar vazhdimësinë e rregullimit shoqëror e të lidhur me të dhe ndryshimit shoqëror.

Teoria e gjeneratave e Manheim, megjithëse e njeh rëndësinë e ekzistencës humane si organizëm biologjik në ndryshimin social, interpretimin e bën krejtësisht sociologjik, ndryshe nga funksionalizmi, sidomos i Talcot Parsons apo Shmuel Noah Eisenstadt.

Për më tepër, Manheimi vërejti se pikëpamjet pozitiviste dhe romantiko-metafizike e shihnin jo drejt konceptin e gjeneratës duke mbivlerësuar përbërësin biologjik dhe nënvlerësuar faktorin social; sipas tij, përpjekjet për të zbuluar “ritmin e zhvillimit historik”mund të arrihet vetëm përmes kërkimit brenda fabrikës së proçeseve sociale, për ta bërë sa më transpa-rent, të dukshëm, ndikimin e këtyre proceseve në qënien dhe ndërveprimin

e gjeneratave, përderisa secili ritëm biologjik vihet në lëvizje përmes përfshirjes brenda ngjarjeve sociale.

Një autori tjetër i kohës, Jose Ortega y Gaset (1883-1955), i ndikuar

nga Manheim, ka pohuar se koncepti i gjeneratës ka në bazë pikëpamjen se njerëzit që lindin në të njëjtën kohë, rriten duke pasur të përbashkët periudhën historike që formëson botëkuptimin e tyre. Duke e vlerësuar konceptin e gjeneratës, si më të rëndësishmin në histori, Ortega y Gaset vlerëson se çdo gjeneratë ka një mision specifik, që mbetet i tillë edhe kur nuk përmbushet.

Rol me rëndësi ka edhe mendimi i Norbert Elias (1897-1990), përpunimet teorike dhe shkrimet e tij, veçanërisht: “Mbi proçesin e qytetërimit”, “Vetmia e vdekjes, “Gjendja njerëzore” (Humana Conditio) dhe “Mozart:

Sociologjia e gjeniut” janë me interes për çështjen që po shqyrtojmë. Elias konstruktoi pikëpamjen e vet sociologjike mbështetur tek metoda baco-

niane (Francis Bacon - autor i “Organonit të ri” (1620), e pars destruens dhe pars construens): edhe kritikë e sociologjisë klasike, por edhe paraqitja e alternativës më të përshtatshme teorike dhe metodologjike që duhet ndjekur. Pikëpamjet e tij sociologjike u ndikuan mjaft prej Sigmund Frojdit, Georg Simmelit, dhe më shumë prej Karl Manheimit.

Kuptimin për qytetërimin Elias e sheh të lidhur me ndryshimin e standardeve të sjelljes së klasave të larta laike duke filluar që në Evropën mes-jetare. Elias ja mbërriti të argumentojë se ndryshimet në menaxhimin e sjelljes dhe emocioneve janë të lidhura me transformimet e thella në ma-rrëdhëniet me pushtetin, veçanërisht me monopolin e dhunës, shtrëngimit dhe taksimin përmes një administrate shtetërore shumë efektive. Më tej,

Elias shpjegoi dinamikat dhe ndryshimet e grupeve shoqërore, të marrëdhënieve midis tyre, edhe kur i përkasin të njëjtë klasë shoqërore në ko-munitetet lokale, e ku një grup monopolizon burimet e fuqisë, pushtetit, e i përdor këto burime për të stigmatizuar dhe përjashtuar grupin tjetër.

Shpjegimet dhe pikëpamjet që përpunoi N. Elias në kuadër të teorisë së marrëdhënieve me fuqinë, përmes aplikimit të modelit vendas-i huaj na mundësojnë të kuptojmë si ndryshojnë marrëdhëniet e shpërndarjes së fuqisë, pushtetit midis klasave, grupeve etnike, kolonëve dhe të koloni- zuarëve, grave dhe burrave, prindërve dhe fëmijëve, orientimeve të zakonshme dhe atyre ndryshe, të tjera. Në këtë kuptim ne mendojmë se shpjegimet e Elias na ndihmojnë të kuptojmë më mirë marrëdhëniet mdis gjeneratave, ndryshimet, konfliktet, përparimin shoqëror nga një gjeneratë në tjetrën. Dallimet midis gjeneratave zakonisht lidhen me ndryshimet, dallimet midis tyre në besime dhe sjellje, por e thënë më qartë, kemi të bëjmë me dallime në mënyrën e të menduarit dhe të të vepruarit, por edhe shijeve që shfaqin përfaqësuesit e gjeneratave më reja, shumë të ndryshme nga karakteristikat në krahasim me gjeneratat më të rritura në moshë.

Ndryshimet midis gjeneratave e bëjnë të rëndësishëm diskutimin e konceptit të dallimit midis gjeneratave, i cili është përdorur, fillimisht, në vitet 60-të të shekullit të kaluar, i lidhur me zhvillimet mjaft komplekse dhe ndarjen e madhe midis prindërve dhe fëmijëve në besime dhe opinione, që u shoqërua edhe me zhvillime të lëvizjeve rinore, si kundërshtim i hapur ndaj autoritetit, të njohura si lëvizjet rinore të 1968-ës në Evropë, dhe lëvizjet për ndryshim shoqëror dhe të drejtat e grave në ShBA-të etj.

 

 

 

2. Ridimensionim i kuptimit sociologjik të gjeneratave

Në dhjetëvjeçarët që kanë kaluar, por sidomos në periudhën e tanishme, në bashkëudhëtim me pandeminë Covid-19, koncepti i gjeneratave dhe dallimet midis tyre ka rëndësi të trajtohen si kategori thelbësore, sidomos në studimet mbi të rinjtë, sepse ky trajtim ndihmon në rrokjen e ndikimit të ndryshimit social në përvojat e të rinjve.

Ndryshimet ekonomike, sociale, politike, sjellore që kanë karakterizuar shoqërinë njerëzore, sidomos, të dy viteve nën regjimin e detyruar të pandemisë të Covid-19, më 2020 dhe 2021, kanë sjellë dhe do të vazhdojnë të sjellin pasoja, të cilat ka mundësi të ndikojnë në rritjen e valëve migratore, braktisjen e shkollës, problemeve të shëndetit mendor, të thellojnë varfërinë dhe hendekun social midis të pasurve dhe të varfërve, por edhe në marrëdhëniet midis grupeve shoqërore, gjeneratave gjithashtu, në nivelin lokal, kombëtar dhe global.

Këto ndryshime, sidomos, kërcënojnë të errësojnë perspektivën e gjeneratave Y dhe Z, vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, që janë para sfidave të punësimit, edukimit, krijimit të statusit ekonomik dhe social që iu jep mundësi të kenë mjete jetese të mjaftueshme për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme, të shkollojnë fëmijët, të trajnohen dhe ritrajnohen, të argëtohen apo të bëjnë investime në pasuri të tundshme apo të patundshme.

Kjo qasje e bën të domosdoshme që, ashtu si shprehej dhe K.Manheim, të mos i shohim gjeneratat, sidomos të rinjtë si orë të kurdisura, që punojnë

brenda intervaleve biologjikë apo historikë, përkundrazi gjeneratat sociale janë fenomene që shfaqen si rrjedhojë e ndërveprimit të pjesëtarëve të tyre në kuadër të proceseve të ndryshme shoqërore, me të cilat përballen përgjatë ciklit të jetës, që janë jouniforme dhe në vende të veçanta. Ndërveprimet shoqërohen me ndryshime, të thjeshta apo komplekse në kuadër të proceseve kulturorë dhe socialë dhe gjeneratat shfaqin një vetëdije sociale, të lidhur me thellësinë e proçeseve të transformimit shoqëror.

 

 

 

3. Gjeneratat  e tranzicionit në Shqipëri

Që nga shoqëritë e hershme industriale, bashkë me rritjen e standardeve të jetës, kujdesit shëndetsor, pakësimit të vdekjeve u shfaq dukuria e tranzicionit demografik, e cila shihej e përbërë nga tre faza:

faza 1, popullsia ishte e stabilizuar nëpërmjet numrit të lartë të lindjeve dhe numrit të lartë të vdekjeve, në fazën 2 ndodhi rritja e popullsisë sepse u rrit numri i lindjeve dhe u pakësuan vdekjet, ndërsa në fazën e tretë, popullsia ruan qëndrueshmëri, stabilitet përmes numrit të ulët të lindjeve dhe të vdekjeve.

Popullsia e Shqipërisë shfaqi prirje të tilla, të ngjashme me fazat e teorisë së tranzicionit demografik përgjatë pothuaj 70 viteve, 1930-2001, pra popullsi e stabilizuar përmes numrit të lartë të lindjeve dhe të vdekjeve deri në 1945; më pas nga 1945-1990 rritje e popullsisë gati 3 herë, 1103000

banorë në 1945 dhe 3256000 në vitin 1990; ndërsa pas viteve 1990 emigracioni luajti rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e popullsisë që jetonte brenda kufijve politikë, por e ndihmuar së tepërmi nga dërgesat e emigrantëve që ndihmonin të afërmit e tyre.

Gjeneratat  që  konfigurojnë  strukturën  e  shoqërive  të  sotme,  edhe shoqërisë shqiptare janë, sipas përcaktimeve të pranuara në mjedisin shkencor, gjenerata e më të rriturve (greatest), gjenerata e qetë (silent), gjenerata e periudhës së shpërthimit të bebeve I dhe II (baby boomers),gjenerata X, gjenerata Y (millennials), gjenerata Z.

Figura 1. Gjeneratat me vitet e lindjes dhe moshën në vitin 2021

Gjatë 30 viteve të tranzicionit, shoqëria shqiptare ka jetuar proçese transformimi politik, ekonomik, social, por ajo që mund të vlerësojmë është se arsyet se përse emigrojnë shqiptarët vazhdojnë të jenë thuajse të njëjta. Në raportin e zhvillimit njerëzor 2000 për Shqipërinë arsyet e emigrimit të shqiptarëve paraqiteshin se ishin kërkesa për pagë më të lartë, për të ndihmuar familjen në vendlindje, papunësia në Shqipëri, për kushte më të mira materiale, për shkollim më cilësor personal apo të familjarëve, mungesa e shërbimeve sociale dhe të infrastrukturës, niveli i lartë i krimit dhe gjakmarrja. Le të arsyetojmë, sa nga këto arsye/shkaqe nuk ekzistojnë më; në fakt, në një mënyrë apo tjetrën, në nivel shqetësues ato janë edhe sot të pranishme në jetën e shqiptarëve, duke shtuar dhe fatkeqësitë natyrore si tërmetet e 2019 dhe pandeminë Covid-19 të viteve 2020-2021.

Figura 2. Piramida moshore në Shqipëri sipas censuseve gjatë 32 vjetëve (Monitor 2015)

Kjo lidhje në një figurë, tregon më mirë se si ka evoluar popullsia, por edhe grupmoshat dhe gjeneratat në Shqipëri. Figurat janë piramidë në vitet 1979, 1989 dhe pothuajse ende e tillë në vitin 2001, ndërsa 2011 nuk është më piramidë dhe prirja vazhdon e dëshmohet edhe në figurat e tjera, si figura 5, për shembull.

Figura 3. Jetëgjatësia e pritur në lindje (INSTAT 2021)

Figura 4. Struktura moshore e popullsisë në Shqipëri (INSTAT 2021)

Figura 5. Piramidat moshore 2021 dhe 2011 (INSTAT 2021)

E ashtuquajtura piramidë moshore e krahasuar (viti 2021 me vitin 2011) na ofron mundësinë për të kuptuar prirjet e ndryshimit të gjeneratave në Shqipëri, baza e piramidës është zvogëluar në mënyrë domethënëse, në fakt nuk është më piramidë, janë pakësuar ndjeshëm grupmoshat nga 0-24 vjeç, 40-56 vjeç dhe janë rritur grupmoshat 56-84 +, çka do të thotë plakje e popullsisë, pakësim i lindjeve, rritje e jetëgjatësisë, prani e më shumë grave sesa burrave, duke marrë parasysh që largohen mesatarisht 42 000 njerëz nga Shqipëria, ndërsa migrimi i brendshëm vërtitet rreth 25 000 në vit, në periudhën kohore 2011-2021.

Nga studimet e INSTAT dhe IOM-it 2020, emigrimi shqiptar në dhjetëvjeçarin 2011-2020 ka sjellë jo vetëm largimin e më të arsimuarve, por edhe studentëve që studiojnë jashtë Shqipërisë. Një anketim i realizuar prej këtyre institucioneve tregon se 350000 shqiptarë mbi 15 vjeç janë larguar nga Shqipëria në vitet 2011-2020, 47% e të arsimuarve me arsim të lartë, gjithashtu, janë larguar, ndërsa aktualisht 18181 studentë ndjekin studimet jashtë Shqipërisë.

E analizuar nga pikëpamja e gjeneratave, gjenerata Z është më e prirura të largohet, por tashmë largimi shfaqet si alternativë edhe për gjeneratën

Y, e cila mund të jetë e stabilizuar me punë dhe ka status ekonomik e social të kënaqshëm, e megjithatë po largohet. Sigurisht emigrimi është pasojë,

dhe shkaqet janë kompleksë, por më të rëndësishmet shohim edhe sot, ato që kanë 30 vjet që ekzistojnë dhe asnjë qeverisje e majtë apo e djathtë, ose të dyja krahët politikë nuk kanë mundur ta sjellin, perspektivën evropiane më afër, sigurinë, qeverisjen me transparencë, fund pandëshkueshmërisë, ngushtim të hendekut të pabarazisë sociale, ekonomike dhe kulturore, qeverisje mbi bazën e ligjit.

 

 

 

 

 

Përfundime

Në mbyllje, popullsia është pakësuar Shqipëri, me ritme që tani duken shqetësuese, por ndryshimi është i ngadaltë, ende marrëdhëniet shoqërore,

midis grupeve, brenda grupeve nuk kanë ndryshime, që do ta bënin të mundur një përparim më të shpejtë ekonomik, kulturor, social e politik të shoqërisë shqiptare.

Për më tepër, mendoj se mund të reflektojmë mbi mendimin e një profesionisteje në fushën e zhvillimit të fëmijës. Në pjesën e shfaqur në rrjetin social Facebook, reflektohet një shqetësim, lidhur me modelin që gjeneratat më të rritura iu ofrojnë atyre që janë duke u rritur e shoqërizuar, ose ndoshta edhe metafora e hijes mbrojtëse të munguar, modelit, shembullit, mirësisë, njerëzores etj. Zonja Gjika shkruan: Shkalla e banalitetit ka arri-

tur në ato nivele që nuk arrijmë më ta dallojmë dhe kuptojmë që është bërë mënyrë të jetuari dhe të qeni. Kudo dëgjon sharje dhe fyerje në adresë të njëri-tjetrit. Të gjithë pretendojnë që janë elitarë, por banaliteti nuk u ndahet as nga fjalët dhe as nga sjelljet. ... Asnjë i rritur nuk kujtohet se përqark

tij janë fëmijë që shikojnë e dëgjojnë se si sillen e flasin të rriturit. Asnjë nuk kujtohet për detyrën dhe misionin e vet si i rritur përballë fëmijëve.

Të gjithë lakmojnë fëmijët e huaj dhe çuditen me fëmijët e tyre që janë paedukatë. Këta të rritur harrojnë që sjellja është pasojë e modeleve dhe edukimit që u imponojmë fëmijëve.2)

Në epokën digjitale shumë mite kanë rënë, dhe të tjera do të rrëzohen, sepse me shpejtësi gjeneratat që operojnë me bits dhe bytes, me sa duket kanë aftësinë të ndikojnë zhvillimin shoqëror, komunikimin, zhvillimin teknologjik, mënyrën e të menduarit sa më të zgjuar dhe inteligjente (smart thinking), që mbështetet edhe më shumë në simbole digjitale, si një ridimensionim i ri kulturor, sa i vjetër, aq dhe modern.

 

 

2) Lira Gjika. Rrjeti social FB-24.08.2021.

Referenca:

 

1. Bordoni, C. (Edit) 2018 Nuove tappe del pensiero sociologico: Da Max Weber a Zygmunt Bauman, Bologna: ODOYA.

2. Filipi, Gj., Galanxhi, E.: Pse po plaket Shqipëria, Monitor 24 shkurt 2015.

3. INSTAT. Popullsia në Shqipëri 2021. http://www.instat.gov.al/al/statistika/

4. Kertzer,  D.I.:  1983.  Generation  as  Sociological  Problem,  Annual  Review  of Sociology, 1983, Vol 9(1983), pp125-149.

5. Manheim, K.: 1998 [1929] The Sociological Problem of Generations, Reproduced by permission of Taylor & Francis Books UK.

6. Nikaj, I. 2012. Sociologjia. Tirana: albPaper

7. Nikaj, I.: Handbook of Mobile Teaching and Learning II: Expectations from Future Technologies and E-Learning in Higher Education in Albania, Editor: Yu (Aimee) Zhang, 2015 Springer, Berlin, Heidelberg, ISBN: 978-3-642-41981-2

8. Nikaj, I: Handbook of Mobile Teaching and Learning I: Expectations from Future Technologies and E-Learning in Higher Education in Albania: Zhang Y., Cristol D. (editors). 2019 Springer, Berlin, Heidelberg. DOI https://doi.org/10.1007/978-3-642-41981-2_43-2

@ 2021 Revista Demografia  -  Botim i Shoqatës Shqiptare të Demografëve  *  Të gjitha të drejtat e rezervuara