VËSHTRIM MBI INOVACIONIN DHE

DIXHITALIZIMIN E SIPËRMARRJEVE NË

SHQIPËRI GJATË PANDEMISË COVID-19

Prof. Dr. Ingrid SHULI, Përgjegjëse e Departamentit të Kontabilitetit,

Dr. Jolta KAÇANI, Lektore në Departamentin e Kontabilitetit,

Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Abstract

Albania’s economic performance in recent years has benefited from the progress of structural reforms in strategic sectors and some major investments in renewable energy.

The domestic economy remains vulnerable to external shocks and natural disasters, such  as the 2019 earthquake and the Covid-19 pandemic. In front of the unknown caused by the Covid-19 crisis, local enterprises are driven to adapt innovation in products or services in order to operate on a part-time basis avoiding this way a full closure of operating activity. This adaptation was possible as the orientation of enterprises towards innovation and digital transformation has been on an upward trend in recent years. This paper presents an overview in the economic activity of Albanian enterprises during the Covid-19 pandemic with special focus on innovation and digital transformation. To analyze the performance of local enterprises this paper takes into account indicators generated by local institutions as well as indicators highlighting the international ranking of the country. Orientation towards product and process innovation combined with ongoing investments in human capital and digital transformation changes not only the way of doing business but also the mentality of local enterprises to enter new markets. As such, new opportunities are constantly created for sustainable growth in all segments of the private sector resulting in an increase in competitiveness of local enterprises in the regional market and beyond.

Key words: Sustainable economic development; Innovation; Digital transformation; Research and development; Human capital; Lending.

1. Tendencat kryesore të ekonomisë shqiptare për periudhën 2018-2020

Ecuria ekonomike e Shqipërisë në vitet e fundit përfitoi nga progresi i reformave strukturore në sektorët strategjikë dhe disa investime të mëdha në energjinë e rinovueshme. Sidoqoftë, pavarësisht rritjes mesatare të PBB-së prej 3.4% në 2015-2018, ekonomia mbetet e prekshme ndaj goditjeve të kërkesës së huaj dhe rreziqeve natyrore, siç është tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia Covid-19.

Ndërmarrjet e mesme dhe të vogla (NMV) përfaqësojnë më shumë se 90 % të sipërmarrjes private, të cilat operojnë në mjedis të brishtë të të bërit biznes, me qasje të kufizuar në financa, integrim të dobët të tregut dhe sofistikim të ulët të produktit. Hapësira e kufizuar fiskale që rezulton nga gjenerimi i dobët i të ardhurave dhe borxhi i lartë publik, ka penguar vendin të ngushtojë boshllëqet në infrastrukturë dhe të investojë në kapitalin njerëzor.

Shqipëria pësoi dy fenomene të njëpasnjëshme me pasoja të konsiderueshme, tërmeti në nëntor 2019 dhe pandemia Covid-19 në pranverën e 2020, të cilat ngrinë një pjesë të madhe të ekonomisë. Si pasojë e këtyre fenomeneve, shkalla e punësimit dhe Produkti i Brendshëm Bruto (PPB)

pritet të bien ndjeshëm, ndërsa balancat e jashtme dhe fiskale të përkeqësohen. Autoritetet reaguan për të balancuar krizën, duke siguruar linja garancie krediti dhe duke rritur transfertat sociale. Shtrirja e krizës do të bëhet e dukshme në 2021 pasi ekonomitë e Bashkimit Europian (BE) pritet të rimëkëmben dhe pandemia të ulet. Disa lehtësime do të arrijnë, ndërsa rifillon rindërtimi nga tërmeti.

Pavarësisht ndikimit të Covid-19, sektori bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar, i mbështetur nga lehtësimi i huamarrësve dhe nga masat e kujdesshme të marra prej Bankës Qendrore vendase. Megjithatë, rimëkëmbja e pasigurt ekonomike dhe rritja e numrit të huamarrësve, nxjerrin në pah rreziqet e mundshme në sektorin bankar. Recesioni në BE (partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe burimi i remitancave), ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, kufizimet e udhëtimit dhe masat e distancimit shoqëror, kanë ndikuar në tkurrjen e konsiderueshme të aktivitetit në sektorët kryesorë ekonomikë, përfshirë turizmin dhe prodhimin.

Rritja u ngadalësua në 2.2% në 2019 dhe pamvarësisht se vendi filloi fazën e rindërtimit, pandemia Covid-19 e detyroi atë të mbyllte sektorët kryesorë ekonomikë. Mbyllja e sipërmarrjeve zvogëloi operacionet dhe ndërsa ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtojnë prodhimin. Sezoni i turizmit, një nxitës kryesor i rritjes ka qenë jo premtues të shoqëruara gjithashtu me uljen e konsumit kombëtar dhe shtyrje e investimeve në një moment tjetër. Në lidhje me zhvillimet e ekonomisë mund të veçojmë si më poshtë:

- Krahasuar me parashikimet e rritjes të kryera në fund të vitit 2019, në të cilat supozohet se shumica e aktiviteteve ekonomike mund të rifillojnë pas hapjes së pjesëshme të aktivitetit ekonomik, rritja vjetore e PBB -së pritet të tkurret me të paktën 5% në vitin 2020;

- Në fillim të vitit 2021, masat e reçesionit dhe mbështetjes ekonomike parashikohen të zgjerojnë defiçitin fiskal në 5.4% të PBB -së në vitin 2020, duke rritur borxhin e qeverisë deri në 75.8% të PBB-së;

- Normalizimi i aktivitetit ekonomik dhe proçesi i rindërtimit për të zbutur efektet e tërmetit dhe krizës së shkaktuar nga Covid-19 pritet bazohet në reformat strukturore të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për një periudhë afatmesme;

- Për shkak se efektet sociale ekonomike të COVID-19 janë të paqarta, parashikimet shoqërohen me një nivel të lartë pasigurie.

 

 

 

2. Të dhëna të ecurisë së ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla (NMV)

Ekonomia shqiptare është e fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar, një fenomen që vërehet edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2019.

Ndërmarrjet tregtare zënë 23% të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2019, krahasuar me 23.2% të regjistruar gjatë vitit 2018.

Ndërmarrjet e mëdha me 50 ose më shumë punonjës zenë 1.2% të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe kontributi i tyre në punësim vlerësohet në 47.8% në vitin 2019. Në Bashkinë e Tiranës janë përqendruar shumica e ndërmarrjeve, ndërsa në bashkinë e Pustec numri më i vogël.

Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2019 ka rënë me 3.1%. Në zvogëlimin e numrit të ndërmarrjeve aktive, negativisht kontribuan prodhuesit e shërbimeve dhe prodhuesit e mallrave. Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (40.0%) i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (23.0%) (Tab.1)

Pavarësisht nga madhësia ose sektori, shumica e kompanive vlerësojnë se ndikimi i Covid-19 do të zgjasë deri në një vit pasi ekonomia të bëhet plotësisht funksionale. Lidhur me vlerësimin e masave mbështetëse të qeverisë, ndërmarrjet me qarkullim mbi 14 mln/lek vlerësojnë se shtyrja e pagesave të kredisë do të ketë ndikimin më pozitiv. Ndërkohë, ndërmarrjet me qarkullim deri në 14 mln/lek vlerësojnë se mbështetja financiare për punonjësit do të ketë një ndikim të madh pozitiv.

Tabela 1. Numri i sipërmarrjeve attive sipas aktivitetit ekonomik dhe numrit të punonjësve 2019

Burimi: INSTAT, Rregjistri statistikor i ndërmarrjeve, qershor 2020.

Ndërmarrjet nuk ishin të përgatitura për t’u përballur me pamundësinë e punonjësve për të qenë fizikisht të pranishëm në ambientet e punës. Si rrjedhojë 37% e ndërmarrjeve konfirmojnë se nuk kanë arritur të ndërmarrin ndonjë veprim në kohë për të adresuar këtë sfidë, ndërsa 33% kanë përdorur pushime të zakonshme dhe punë nga shtëpia (kryesisht shërbime).

Për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik, sipërmarrjet përdorën të ardhurat e grumbulluara më parë (34%) si dhe ulën kostot (32%) duke shkaktuar shkurtim të vendeve të punës ose prodhimit. Marrja e një huaje bankare konsiderohet si opsioni i tretë. Më konkretisht nga pikëpamja sektoriale, bujqësia, ndërtimi dhe tregtia konsiderojnë mbështetjen e huasë bankare. Ndërsa, industria dhe turizmi kanë në fokus uljen e kostos, shërbimet kryesisht do të përdorin të ardhurat e tyre të akumuluara.

Në një analizë më të thelluar, rezulton se sipas madhësisë, ndërmarrjet me të ardhura mbi 14 mln/lek do të zvogëlojnë kostot për të siguruar vazhdimësinë e biznesit, ndërsa ndërmarrjet me qarkullim deri në 14 mln/ lek do të synojnë të përdorin të ardhurat e grumbulluara për të siguruar

vazhdimësia e biznesit. Qeveria shqiptare ka marrë disa masa që synojnë rritjen e regjistrimit të kompanive, deklarimin më të madh të punëtorëve,

përmirësimin e mbledhjes së taksave dhe dhënien e amnistive fiskale. Për t’i lejuar bizneset të kontribuojnë më mirë në ekonomi, është e rëndë-sishme që qeveria të vazhdojë të investojë në mënyrë të konsiderueshme në formalizimin e këtyre NMV -ve, përmes përpjekjeve që shkojnë përtej

regjistrimit të thjeshtë. Këto sipërmarrje operojnë në mjedisin e të bërit biznes, i cili karakterizohet nga treguesit e mëposhtëm:

• Fillimi i një biznesi ka qenë më i lehtë në 2011 dhe është vështirësuar gjatë 2012-2014, duke arritur në vitin 2020 rangun global të 53 në raportin Doing Business;

• Ekonomia vendase operon mbi një sërë praktikash, duke e vendosur treguesin e kontratës përmbarimore në një rang të ulët ndër vite. Duke filluar nga viti 2008 - 2020, rezultatet janë luhatur nga 59.4 në 53.5, ndërsa gjatë viteve 2015-2018 ka qendruar konstante me 53.66;

• Indikatori mbi treguesin e zgjidhjes së falimentimit është rritur ndjeshëm ndër vite për të arritur pozitën në vendin e 39 gjatë vitit 2020;

• Të drejtat ligjore të huamarrësve dhe huadhënësve të përfaqësuar nga treguesi marrja e kredisë, kanë pësuar luhatje gjatë viteve. Renditja më e ulët në vitin 2020, në vendin e 48 –të;

• Indikatori treguesi i mbrojtjes së investitorëve ka përjetuar rënie të konsiderueshme ndër vite. Pozicioni më i mirë (7) i përket vitit 2015 për të rënë me 104 vende në vitin 2020;

• Indikatori mbi treguesin e pagesave të taksave, i cili regjistron kontributet e detyrueshme të sipërmarrjeve, është përkeqësuar me kalimin e viteve, për të arritur në pozicionin në vendin e 123 në vitin 2020;

• Ndërkohë, treguesi i tregtimit përtej kufijve përfaqëson një nga treguesit që ka pësuar përmirësimin më të madh në renditje, duke filluar nga vendi i 66 -të në 2010 në vendin e 25 -të gjatë vitit 2020;

• Luhatje ka pësuar dhe treguesi për marrjen e elektricitetit, ku në vitin 2014 pozicionimi ishtë ne vendin e 104. Rezultati më i mirë i arritur i përket vitit 2020 duke e pozicionuar vendin tonë në vendin e 71. Në këtë drejtim kanë ndihmuar reformat dhe investimet e konsiderueshme në sektorin energjetik dhe rrjetin e shpërndarjes.

3. Kreditimi në sipërmarrjet Shqiptare

Tabela 2. Norma mesatare e ponderuar mujore e huave të reja në euro të korporatave jofinanciare, individëve dhe institucioneve jo me qëllim fitimi që u shërbejnë individëve sipas afatit, në (%).

Burimi: Banka e Shqipërisë. Anketa e aktivitetit kredidhëns, janar 2021.

Bazuar në perceptimet e bankave tregtare, standardet e kredisë për sipërmarrjet u shtrënguan në tremujorin e fundit të vitit 2020, si në aspektin e madhësisë së sipërmarrjes ashtu edhe në qëllimin e përdorimit të kredisë. Në përputhje me to, bankat shtrënguan kushtet e kredisë për kreditë e reja të dhëna për bizneset, si në përbërës çmimi ashtu edhe në ato jo-çmimi.

Kërkesa për kredi biznesi u vlerësua të ishte më e ulët në tremujorin e katërt të vitit 2020, për shkak të rënies së kërkesës për kredi për financim investimesh dhe kredi të disbursuara për bizneset e vogla dhe të mesme.

Përkeqësimi i kushteve të ofertës së kredisë, si dhe mungesa e kërkesës për kredi nga bizneset kanë pasur si faktor të përbashkët perceptimin e rrezikut në lidhje me situatën aktuale ekonomike dhe perspektivën për të.

Standardet e kredisë për bizneset mbetën të shtrënguara në tremujorin e fundit të vitit 2020. Standarde të shtrënguara të kredisë u raportuan në të dy segmentet e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe të biznesit të madh, për të dy llojet e përdorimit të kredisë, si atë për qëllime të financimit të

investimeve dhe për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Një situatë tjetër vërehet në kreditë për individët gjatë tremujorit të fundit të vitit. Kështu, standardet e huadhënies dhe kushtet e përgjithshme të huadhënies për individët u lehtësuan në tremujorin e katërt. Sipas gjykimit të bankave, kërkesa për kredi ishte më e ulët në këtë tremujor, si rezultat i zvogëlimit të kërkesës për kredi për financimin e konsumatorit.

Kërkesa më e ulët për kredi nuk u shfaq vetëm në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme por edhe në kreditë e dhëna për financimin e investimeve. Nga ana tjetër, ky tremujor pa një kërkesë pak më të lartë për kredi nga ndërmarrjet e mëdha, si dhe për të plotësuar nevojat për likuiditet.

Në tremujorin e parë të vitit 2021, bankat vlerësojnë se kërkesa për kredi biznesi do të jetë më e ulët, veçanërisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të

mesme. Për sa i përket qëllimit të përdorimit, rënia e kërkesës për kredi pritet të jetë më e theksuar në kreditë e dhëna për financimin e investimeve.

 

 

 

4. Inovacioni në sipërmarrjet Shqiptare

Sipërmarrjet inovatore konsiderohen ato njësi që gjatë periudhës referuese paraqitën një risi të produktit/procesit të biznesit ose kishin braktisur ose inovacione të papërfunduara. Përballja me krizën e COVID-19 detyroi një pjesë të sipërmarrjeve vendase të sillnin risi në produkte apo shërbime me qëllim të operonin me kohë të pjesshme dhe të mos mbylleshin totalisht. Kjo përshtatje u mundësua pasi orientimi i sipërmarrjeve drejt inovacionit ka qenë në trend rritës gjatë viteve 2017-2019. Aktiviteti inovativ është më i lartë në ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve (me 42.2%, krahasuar me ndërmarrjet në sektorin e industrisë me 34%.

Figura 1. Sipërmarrjet aktive të përfshira në inovacion sipas aktivitetit ekonomik 2017-2019 (%)

Burimi: INSTAT. Rregjistri statistikor i ndërmarrjeve, qershor 2020.

Grupi i ndërmarrjeve të mëdha me mbi 250 punonjës ishin më aktivë në inovacion me 67.9%. Ndërsa, ndërmarrjet që së bashku zhvilluan mallra dhe shërbime të reja ose të përmirësuara rezultuan në 20.9%. Në vitin 2019, shitjet neto të ndërmarrjeve aktive në inovacion përbënin 55.8% të shitjeve totale neto, ndërsa numri i të punësuarve në këto ndërmarrje ishte 54.0%.

Këto të dhëna tregojnë që sipërmarrjet vendase tashmë e kanë kuptuar rëndësinë e inovacionit jo vetëm për t’i mbijetuar krizave të shaktuara nga

faktorë të jashtëm si: tërmeti dhe pandemia, por edhe si një instrument i domosdoshëm për të arrituar rritjen e qëndrueshme dhe për t’u zgjeruar në tregje të reja.

Tabela 3. Sipërmarrjet me inovacion në produkte dhe procese biznesi të bazuara në madhësinë e tyre 2017-2019 (%)

Burimi. INSTAT. Rregjistri statistikor i ndërmarrjeve, qershor 2020

5. Kërkimi dhe zhvillimi në sipërmarrjet shqiptare

Renditja e Shqipërisë për Indeksin e sofistikimit të biznesit (BSI) u rrit me 20 vende nga viti 2015 në 2018. Kjo rritje u shkaktua kryesisht nga rritja e dijes së punonjësvedhe rritja në% e sipërmarrjeve që ofrojnë trajnime formale. Në vitin 2019, Shqipëria përjetoi një rënie në renditje, nga vendi 98 në vendin 105. Ndërsa, në vitin 2020, renditja në BSI u rrit me 32 vende.

Kjo rritje u shkaktua kryesisht nga ndryshimi me 63 vende të Indeksit të Punëtorëve të Njohurisë (KWI) dhe rritja me 59 vende të sipërmarrjeve që ofrojnë trajnime formale në mënyrë të vazhdueshme për stafin. Përmirësimi për një vend të vogël si Shqipëria mund të arrihet me rritjen e numrit të sipërmarrjeve që ofrojnë trajnim të vazhduar për punonjësit e tyre, duke theksuar nevojën për aftësi teknike më të mira dhe më të avancuara të fuqisë punëtore vendase.

Figura 2. Niveli i njohurive në sipërmarrjet shqiptare gjatë 2015-2020

Burimi. Indeksi i Inovacionit Global

Për Indeksin e Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D), renditja e Shqipërisë ka pësuar një rënie për periudhën 2017-2020. Gjatë kësaj periudhe kohore Shqipëria pozicionohet në vendin e 121, pavarësisht rritjes së lehtë që reflektohet në shpenzimet bruto për R&D. Cilësia e institucioneve kërkimore dhe shkencore kërkon përmirësim të ndjeshëm përmes diversifikimit në qasjen e shpenzimeve të PBB -së, për të rritur pjesën e shumës së in-vestuar në R&D.

Tabela 4. Kërkimi dhe Zhvillimi në Shqipëri gjatë 2015-2020

Burimi: Indeksi i Inovacionit Global

Për periudhën 2014-2020, renditja e Shqipërisë për Indeksin e Njohurisë dhe Teknologjisë (KTOI) luhatet midis vlerave të renditjes 106 -119.

Ndryshimet që kanë pësuar vlerat e Indeksit të njohurive dhe teknologjisë, kanë qenë në përputhje me ndryshimet që kanë pësuar numri i patentave të reja të origjinës të gjeneruara sipas Indeksit të Prejardhjes dhe Traktatit të Bashkëpunimit të Patentave (PCT).

Përsa i përket kërkimit, vërehet se artikujt shkencorë dhe teknikë janë ulur. Renditja e ulët në numrin e patentave është pasojë e drejtpërdrejtë e krijimit të njohurive të pakta që po ndodh në vend, duke qenë një nga ekonomitë e renditur më ulët në nivel global. Krijimi i njohurive të reja është

një parakusht për përmirësimin e renditjes globale, zhvillimit ekonomik dhe krijimit të një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes në vend.

Tabela 5. Njohuritë dhe produktet teknologjike në Shqipëri për vitet 2015-2020

Burimi: Global Innovation Index.

Rezultatet e gatishmërisë teknologjike tregojnë aftësinë e Shqipërisë për inovacion. Nga 2014 deri në 2019, ka një gradë më të lartë në lidhje me disponueshmërinë e teknologjive më të fundit dhe përvetësimin, zhvillimin, asimilimin dhe përdorimin e njohurive dhe aftësitë teknologjike nga një firmë. Renditja më e lartë për këto dy përbërës u arrit gjatë 2017-2018, me një rang të përgjithshëm 78 për treguesin, si dhe 89 dhe 71 për secilin nga përbërësit. Pavarësisht përmirësimit në renditje, këta tregues mbeten përsëri një thirrje e fortë për zhvillimin e aftësive dhe forcimin e kapaciteteve përmes trajnimit të specializuar.

Figura 3. Gatishmëria teknologjike në Shqipëri në vitet 2015-2019

Figura 4. Sofistikimi i Biznesit në Shqipëri për vitet 2015-2019 1)

Burimi: Indeksi i Konkurrueshmërisë Globale

1) Sofistikimi i Biznesit është një nga shtyllat kryesore të matjes së performancës në Indeksin e Konkueshmërisë Globale. Për të përcaktuar shkallën e sofistikimit të sipërmarrjes në një vend të caktuar ky index vlerëson një sërë indikatorësh si: angazhimi i punonjësve të kualifikuar, trajnimi i vazhdueshëm profesional i stafit, formimi i lidhjeve të qëndrueshme të inovacionit në bashkëpunim me institucionet e edukimit, mbrojtja e pronësisë intelektuale, përputhja dhe aplikimi i teknologjisë së informacionit, niveli i investimeve të huaja direkte etj.

Përsa i përket raportit të konkueshmërisë globale, Shqipëria ka patur një përmirësim të ndjeshëm në renditjen botërore nga vendi 104 në 2014-2015 në vendin e 63 në 2019. Ky përmirësim ka ardhur si rezultat i zhvillimit të grupimit, aftësisë së zinxhirit të vlerës dhe suksesit për të përmirësuar procesin e prodhimit. Ndërkohë, për sofistikimin e procesit të prodhimit, ka patur një përmirësim të lehtë në renditje gjatë vitit 2018 krahasuar me vitin 2014.

Renditja shumë e ulët në operacionet e zinxhirit të vlerës tregon qartë nevojën për strukturim më të mirë të brendshëm, ri-inxhinierim të procesit dhe inovacion në ofrimin e shërbimeve në sipërmarrjet shqiptare. Në këtë mënyrë sipërmarrjet vendase mund të bëhen ofrues të besuar të mallrave

dhe shërbimeve në zinxhirët e vlerave rajonale dhe përtej saj.

Të gjithë indikatorët e përmendur me lart tregojnë që pandemia e Covid-19 rriti ndërgjegjësimin mbi efikasitetin e përdorimit të shërbimeve online dhe investimit në teknologji. Kështu, 75% e sipërmarrjeve deklarojnë se kanë përdorur shërbime online (kryesisht shërbime, turizëm dhe Industri); ndërsa 81% e tyre e konfirmojnë këtë, ata do të vazhdojnë të përdorin përsëri shërbimet online.

Kjo është një prirje që do të vërehet e do të ndiqet nga të gjithë sektorët.

Për më tepër, pandemia i orientoi sipërmarrjet vendase drejt investimeve online, të cilat do të vazhdojnë dhe më tej. Një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrjeve janë duke orientuar investimet e tyre në shërbimet online, veçanërisht në teknologjitë e reja, menaxhimin e rrezikut dhe forcimin e

kanaleve të shitjes me pakicë. Në të ardhmen, një analizë e mëtejshme mund të bëhet në lidhje me llojet e shërbimeve online që përdoren më shumë nga biznesi.

Transformimi dixhital jo vetëm që ndryshon mënyrën e të bërit biznes në ditët e sotme, por krijon vazhdimisht mundësi të reja për rritje dhe prosperitet për të gjitha segmentet e sektorit publik dhe privat. Transformimi dixhital u mundëson sipërmarrjeve të konsolidohen në treg dhe të orientojnë strategjitë e tyre drejt zgjerimit të tregut dhe duke rritur konkurrencën e tyre.

Sidoqoftë, transformimi dixhital përfshin shumë më tepër sesa integrimin e plotë të teknologjive dixhitale. Transformimi dixhital ka të bëjë me transformimin e mentalitetit të sipërmarrjeve në atë mënyrë që përdorimi i mjeteve dhe aftësive dixhitale të shtojë vlerë dhe të krijojë një avantazh

konkurrues.

Për më tepër, përdorimi i teknologjisë, njerëzve dhe proçeseve për të çuar përpara biznesin është bërë i mundur në këtë periudhë. Një transformim dixhital mund të përfshijë fusha të tilla si: marketingu dixhital, dixhitalizimi dhe automatizimi i proçeseve të biznesit, modelet e biznesit, kanalet e shitjes, prokurimet dixhitale, të dhëna të mëdha dhe proçese të tjera të ngjashme që lidhen me transformimin shumëdimensional të ndërmarrjeve. Është  e rëndësishme që të gjithë së bashku, përfshirë bizneset, institucionet publike, donatorët dhe aktorë të tjerë të kontribuojnë në këtë sfidë të rimëkëmbjes ekonomike të bizneseve, me qëllim krijimin e një mjedisi më të mirë për të bërë biznes dhe rritjen e konkurrencës së bizneseve shqiptare.

 

 

 

 

 

 

Përfundime dhe rekomandime

Për të ndihmuar në rimëkëmbjen ekonomike përmes transformimit dixhital dhe për të lehtësuar dëmet ekonomike që ka shkaktuar pandemia, nga kjo analizë e shkurtër nxjerrim disa përfundime e rekomandime si vijon:

Fokusimi në dixhitalizimin e administratës publike lidhet me progresin e dixhitalizimit të një vendi sipas trendit të zhvillimit të kapitalit njerëzor, përdorimit të shërbimeve të internetit, dhe ofrimit të shërbimeve publike dixhitale. Përsa i përket sipërmarrjeve ky lidhet me zvogëlimin e burokracisë veçanërisht në shërbimet me operacionet e sipërmarrjes si proçedurat import-export, ngritjen e platformave funksionale ku partnerët e huaj dhe vendas ndërtojnë ura bashkëpunimi, reduktimin e dokumentacionit për regjistrimin e filialeve të sipërmarrjeve të huaja etj.

Financimi i ndërmarrjeve për dixhitalizimin e proçeseve të tyre të biznesit dhe rritjen e aktiviteteve të biznesit përmes tregtisë elektronike.

Ngritja e skemave mbështetëse financiare për sipërmarrjet vendase me qëllim zhvillimin, aplikimin e teknologjisë bashkëkohore në industrinë prodhuese me fokus të vecantë tek makineritë apo shërbimet ku të ngrihen sistemet që shërbimet të ofrohen brenda dhe jashtë territorit të vendit.

Përvec skemave të grantit, bashkëpunimi me bankat e nivelit të dytë për të ofruar kredi të buta me qëllim nxitjen e investimeve për të rritur shkallën

e dixhitalizimit në vend;

Koordinimi ndërinstitucional dhe përgatitja e një plani konkret të punës lidhur me Axhendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Ekonomisë dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Synimi kryesor i axhendës është ngritja e infrastrukturës së përbashkët dixhitale për të mundësuar ofrimin e shërbimeve online edhe në rajonet ku mungon aksesi në telekomunikacion apo dhe në ofrimin e shërbimit të internetit, hartimi i programeve të përbashka në fushën teknologjisë së informacionit si në nivel universitar, por dhe në atë profesional. Këto programe mundësojnë sipërmarrjet qofshin të vogla, të mesme apo biznes i madh të punësojnë personel, i cili do të mundësojë transformimin e operacioneve nga manuale në ato dixhitale.

Mbështetja e ekspertizës dixhitale aktuale në favor të transformimit dixhital të sektorit privat dhe rritja e ekspertizës së dixhitalizimit. Hartimi i bashkëpunimeve dhe projekteve afatgjata të binjakëzimit për dixhitalizimin e sipërmarrjeve në përputhje me praktikat më të mira në tregun europian. Për të patur histori suksesi në vend mund të përzgjidhen sipërmarrje pilot, të cilat do të transformojnë modelin e tyre të biznesit nëpërmjet dixhitalizimit të proceseve të mundësuara nga mbështetja e vazhdueshme e sipërmarrjeve që janë pararendës të transformimeve dixhitale në zinxhin e vlerës.

Miratimi i paketave ligjore që mbështesin dixhitalizimin e institucioneve publike dhe te sektorit privat. Në këtë drejtim është i rëndësishëm detyrimi ligjor per monitorimin periodik te pajtueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në administratën publike, sipas direktivave të Bashkimit Europian. Në lidhje me sipërmarrjen është i nevojshëm rishikimi i paketës ligjore për forcimin e sigurisë kibernetike në sipërmarrjet vendase me qëllim ofrimin sa më të sigurtë të shërbimeve të tyre online.

Literatura:

 

1.   Banka Botërore. Anketa e Ndërmarrjeve 2018- vazhdim i raundit për Covid-19.

2.   Banka Botërore, Anketa e Ndërmarrjeve Shqipëri 2020.

3.   Banka Botërore, Covid-19 dhe kapitali njerëzor, Vjeshtë 2020.

4.   Banka Botërore, Dokument Pune i Politikave, 2020.

5.   Banka Botërore.Raporti i rregullt ekonomik i Ballkanit Perëndimor, një rimëkëmbje e pasigurt. Vjeshtë 2020.

6.   Banka Botërore, Vlerësimi i skemës së garancisë së kredisë në Shqipëri, 2020.

7.   Banka e Shqipërisë .Anketa e Aktivitetit të Kredisë, janar 2021.

8.   Banka e Shqipërisë.Treguesit e anketës së besimit të bznesit dhe klientit, janar 2021.

9.   Business Albania. Efektet e Covid-19 në ndërmarrjet shqiptare, 2020.

10. BERZH .Raporti i tranzicionit i 2020-21.

11. FMN.Raporti për vendin Nr. 20/118 - prill 2020.

12. Fondacioni  Friedrich  Ebert. Forca  e  Punës  gjatë  Pandemisë,  krizave  dhe mundësive, nëntor 2020.

13. Indeksi i Konkurrueshmërisë Globale 2020.

14. INSTAT. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit, dhjetor 2020.

15. INSTAT. Anketa e Fuqisë Punëtore, dhjetor 2020.

16. INSTAT. Popullsia shqiptare, janar 2020.

17. INSTAT. Regjistri statistikor i ndërmarrjeve, qershor 2020.

18. INSTAT. Rritja ekonomike tremujore, dhjetor 2020.

19. INSTAT. Statistikat e pagave, dhjetor 2020.

20. Këshilli i Investimeve i Shqipërisë. Gjetjet kryesore të efektit të Covid-19 në bizneset, qershor 2020.

21. Kombet e Bashkuara. Indeksi i Zhvillimit Njerëzor 2014-2020.

22. Kombet e Bashkuara. Shqipëria Plani i Rimëkëmbjes dhe reagimit socio-ekonomik Covid-19.

23. Konrad Adenauer Stiftung. Ndikimi i Covid-19 në transformimin dixhital, dhjetor 2020.

24. OECD. Kriza Covid-19 në Shqipëri, janar 2021.

25. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, kufiri i tjetër: Zhvillimi njerëzor dhe Antropoceni, 2020.

@ 2021 Revista Demografia  -  Botim i Shoqatës Shqiptare të Demografëve  *  Të gjitha të drejtat e rezervuara