DISA VEÇORI TË ECURISË TË PENSIONEVE

TË INVALIDITETIT NË KUADRIN E SKEMËS

PUBLIKE TË SIGURIMEVE SHOQËRORE NË

VENDIN TONË

Prof. Assoc. Dr. Hasan HOXHA

Abstract

The disability pensions constitute their important part of the public scheme of the social insurance in our country. They presented features according to number, progress and some problems in relations with the part of the old age pensions. These are treated in the first chapter of this article, while in the continuing, is analysing the disability pensions progress in the framework of the law nr.7703, date 11.05.1993 of the social insurance till the end of the year 2020. With intention to study better trends and features of the development of the disability pensions, the period from year 1994 is diveded and studed through three phases: (1994-2004); (2005-2014) and third, (2015-2020).For which of these phases, in addition to the quantitative growth of disability pensions, have come out and some factors that are impacted in the fluctutation development of this group, form one to another phase. In the third chapter, based in the analyse, are suggested some legal improvements, that enabled disabled contributors in the health view, to be part of the benefits in the public scheme. Likewise, are suggested some legal improvements, that impacted in the growth of the average level of the disability pensions, as well as in their monthly incomes.

Key words: Disability pensions; Social insurance; Without the ability to work; Health evaluation; Monthly pension level; Monthly incomes.

1. Vështrim i përgjithshëm

Skema publike e sigurimeve shoqërore në realizimin e misionit të saj, për fushën e mbulimit,për synimet që zgjerojnë dhe përsosin pjesët brenda saj,mënyrës së trajtimit të grupeve të interesit dhe përmasave në shtim të vazhdueshëm të tyre,si dhe  për shumë cilësime të tjera, mbetet objekt i analizave dhe studimeve të shumëanshme. Krahas trajtimeve komplekse, kur pjesët e skemës shihen me të veçantat e tyre, analizat dhe gjykimi

sigurisht që zbresin në kategori të ndryshme të popullsisë, apo në grupe të veçanta si për kontribuesit ashtu dhe për përfituesit prej saj. Në pjesën e përfitimeve, nëse misioni i përgjithshëm i skemës publike është  të përfshijë në trajtime me përfitime një pjesë sa më të gjerë të popullsisë, e cila në një moment të caktuar nuk është në gjendje të krijojë të ardhura, të sigurojë burime jetese për vete e për familjen, sigurisht që kjo “paaftësi” ka një përthyerje sa i përket moshës apo në faza të ndryshme të jetës. Për shumicën e popullsisë, sidomos për disa kategori të saj, ndërprerja e aftësisë për punë e krijuar të ardhura, apo reduktimi i saj, ndodh për shkak të moshës, për një tjetër grup do ta cilësoja, kjo ndodh për shkak të një sëmundje, të një aksidenti a tjetër arsye, rrjedhojë e të cilave humbin apo reduktohen aftësitë për punë të personave deri në atë moment ekonomikisht aktivë.

Nga ky këndvështrim, në koherencë edhe me përmbajtjen e misionit të skemës, meriton vëmendje të veçantë fusha e invaliditetit pasi këtu përmbajtja humane e skemës është më e thellë dhe shpesh aftësia për punë mungon fare, sigurimi i burimeve të jetesës bëhet krejtësisht i pamundur ndërkohë që, për disa arsye të tjera,edhe nevojat për funksionimin e jetës individuale dhe familjare, paraqiten më të shtuara. Për këto arsye, këtë pjesë të skemës do ta vlerësoja për një mbështetje më të plotë e më të shtuar me fonde pensionale. Pensioni i pleqërisë merret në një moshë kur ke realizuar vite të caktuara pune apo kontributive, ndërsa pensioni i invaliditetit përftohet në momentin që problemi shfaqet, gjithnjë në një moshë relativisht më të vogël.

Pension i plotë i pleqërisë, me plotësimin e moshës ligjore, përfitohet me më shumë vite pune apo kontributive, ndërsa pensioni i invaliditetit, në të gjitha rastet, jo vetëm për shkak të formulës së llogaritjes por, më shumë për shkak të momentit kohor kur ai vjen, merret më me pak vite të tilla, shpesh me minimume të kësaj pjese, jo pa ndikime këto në masën e pensionit; pensioni i pleqërisë është dhe jepet për kontributin shumëvjeçar të personit që ky i fundit të jetojë ekonomikisht i sigurtë pra, në një farë mënyre më shumë i shërben vetë individit ndërkohë që pensioni i invaliditetit vërtetë përftohet nga individi por, për arsye të moshës relativisht më të vogël, ai i shërben jo vetëm atij por është shumë i nevojshëm edhe për familjen, për mirërritjen dhe edukimin e fëmijve.1)

Pensioni i pleqërisë merret dhe është pa kthim, ndërsa ai i invaliditetit për një pjesë të personave është i kthyeshëm për shkak të riaftësimit të tyre

shëndetësor dhe rikthimit në punë apo në veprimtari të tjera të dobishme.

Krahasuar me pensionet e pleqërisë, numri i invalidëve mund të shtohet në periudha të caktuara më shpejt por, ndërkohë edhe paksimi i numrit të tyre si rregull, ndodh në një përqindje më të madhe, sa për shkak të riaftësimit shëndetësor, po aq, në mos më shumë, edhe për shkak të koe- ficientit më të lartë të vdekshmërisë së kësaj pjese vunerabël të shoqërisë.

Individët në marrëdhënie të gjatë pune, ata që kontribuojnë për pensionin e pleqërisë, mund të gjejnë hapësira për të përmirësuar pagat, sidomos

në vitet e fundit të punës, ndërsa për invalidët kjo mundësi nuk ekziston, sepse për to pagat janë arkivuar me kohë, ndërkaq edhe llogaritjet e masës së pensionit.

Nga ana tjetër, invalidët si grup tërësor interesi, për shkak të disa ndikimeve në formulën e llogaritjes së pensionit, të një prapambetje relative në kohë, sa i përket rivlerësimit të koefiçientëve për bazën e vlerësuar, lidhja korelative midis kontributeve nga njera anë dhe përfitimeve në anën tjetër paraqitet më e dobët.2) Ndaj, edhe për këtë shkak, masa mesatare e pensioneve të invalidëve vazhdon të qëndrojë në nivele më të ulëta, ndërsa

brenda këtij grupi, edhe luhatjet e masës së tyre ndaj një niveli të caktuar janë më të pakta, pasi lëvizin gjithnjë në një interval më të ngushtë.

Skema publike e sigurimeve shoqërore duke qenë solidare, duke u ndërtuar me të tilla parime, doemos edhe me përmbajtjen humane në brendinë e saj, nuk shpërndan përfitime vetëm mbi bazën e madhësisë së kontributeve. Për një varg arsyesh, ajo zbaton tashmë edhe parimin e rish- përndarjes së fondeve. Në një dokument të ILO-s theksohet se: “Sigurimi shoqëror është një nevojë shoqërore dhe ekonomike për të luftuar varfërinëdhe përjashtimin shoqëror si dhe për të promovuar zhvillime dhe shanse të barabarta.”3) Ndaj, pikërisht tek pjesa e invaliditetit, ka më shumë nevoja për rishpërndarje më të studiuar e më të favorshme të fondeve pensionale.

 

 

1) Në strukturën moshorë të invalidëve të punës që trajtohen me pensione, mesatarisht rreth 70% prej tyre i përkasin moshës 41-60 vjeç, ndërsa moshës 41-50 vjeç afro 30%.

2) Me kriteret dhe formulën e llogaritjes së pensionit, lidhja midis kontributeve të depozituara dhe përfitimeve është më e dobët në periudhat e para, ndërsa me kalimin e viteve ajo sa e vjen e bëhet më e fortë, qoftë dhe vetëm për shkakun e rritjes së ndikimit të bazës së vlerësuar.

3) Materiali i Konventës mbi Standartet Minimale të Sigurimeve Shoqërore… Sesioni 101, Gjenevë, 2012.

 

 

 

 

2. Pensionet e invaliditetit, ecuria dhe disa prirje në zhvillimin e tyre

Zhvillimi i skemës publike të sigurimeve shoqërore pas vitit 1990 rezulton me përmasa numerike të shtuara. E përbashkëta e skemës publike është rritja vëllimore në dy anët e bilancit të saj,në kontribute e përfitime, shtimi i profileve të rinj, si dhe zgjerimi në degë të ndryshme si në kontribute ashtu dhe në krahun e përfitimit. Nuk mund të mos vihet në dukje se për këto lloj zhvillimesh ka ndihmuar konceptimi integral i skemës dhe miratimi i ligjit të sigurimeve shoqërore si dhe i legjislacionit tjetër i kësaj fushe në pajtim me konventat europiane e botërore.

Nga ana tjetër, rritja e përmasave të skemës,me shtimin e pandërprerë të numrit të përfituesve, për shkak të veprimit të shumë faktorëve është shoqëruar edhe me ndryshime në strukturën e tyre. Sigurisht që kësaj prirjeje i është nënshtruar edhe fusha e pensioneve të invaliditetit. Numri i këtyre të fundit, në këto gati 30 vite është rritur ndjeshëm, madje me ritme më të larta se pensionet e pleqërisë. Shtimi i numrit të pensioneve të invaliditetit ndër vite e periudha, krahasuar me ato të pleqërisë duket qartë edhe në Tabelën 1.4) Ndërsa dinamikën e shtesës për pensionet e invaliditetit në përgjithësi dhe veçmas për pensionet urbane të invaliditetit dhe ato rurale, e pasqyron edhe grafiku përkatës. (Grafiku1).

Të dhënat krahasuese të pensioneve të invaliditetit midis viteve të marra në analizë, që janë përfaqësuese për tre faza zhvillimi, flasin për ndryshime që mund t’i përmbledhim si vijon:5)

i) Gjatë fazës së parë, që përfshin vitet 1994-2004, numri mesatar vjetor i pensioneve të invaliditetit ka qenë rreth 30 mijë. Ndryshe, në vitin 2004 ky numër ishte pak më shumë se 31 mijë, ndërkohë që në vitin 1994 ishin 26.5 mijë pensione invaliditeti. Pra, në të gjithë vitet e fazës së parë fusha e pensioneve të invaliditetit karakterizohet nga një lloj qëndrueshmërie, me një rritje të vogël të numrit të tyre. Kështu, për periudhën mëse 10 vjeçare (1994-2004), numri i pensioneve të kësaj natyre është rritur me rreth 5 mijë, ose rritje mesatare vjetore me rreth 2%.

Tabela 1. Numri i invalidëve krahasuar me numrin e përgjithshëm të pensionistëve, në tre vite që i përkasin tre periudhave 6)

Burimi: Raportet vjetore të ISSH-së për vitet përkatëse.

Grafiku 1

5) Të dhënat për vitet 1994, 2004, 2014 dhe 2020 janë sipas gjendjes më 31.12 të vitit përkatës.

6) Janë zgjedhur këto vite sepse secili prej tyre përmbyll një fazë të caktuar të fushës së pensioneve të invaliditetit. Për zhvillimet sasiore por dhe cilësore, periudhën prej fillimit të zbatimit të ligjit 7703 të Sigurimeve Shoqërore e deri në vitin 2020, e kemi ndarë në tre faza: 1994-2004; 2005-2014; dhe 2015-2020.

Nëse do t’i analizonim dy pjesët përbërse  të pensioneve të invaliditetit, pra, pensionet urbane dhe ato rurale, do të sillnim zhvillime ndryshe, po ashtu edhe disa specifika. Nëse në vitin 1994 ishin rreth 4700 pensione rurale invaliditeti, në vitin 2004 ky numër ka zbritur në rreth 3600 të tilla.

Rënia reflekton daljen nga skema pensionale të një pjese prej invalidëve, për shkak të mos rikomisionimit por,edhe nga koefiçienti i lartë i vdeksh-

mërisë së këtij grupi.

Nga ana tjetër, në këto vite, mosplotësimi i kriterit ligjor, pra mungesa e qënies në marrëdhënie pune të tyre në momentin e shfaqjes së sëmundjes

apo të atij të komisionimit është shoqëruar më një numër më të pakët të invalidëve të trajtuar me pension invaliditeti. Kjo ka ndodhur edhe për shkak se në zonat rurale, mundësia e punësimit të forcave aktive të punës ka qenë gjithnjë e më vogël ndërkohë që, edhe largimi në emigracion apo migrimi drejt qyteteve dhe zonave urbane përfshiu një pjesë jo të pakët të forcave aktive të punës.

Ndryshe ka ndodhur me pensionet urbane të invaliditetit. Gjatë periudhës 1994-2004, ato janë shtuar,edhe pse rritja është relativisht e vogël:

diferenca midis dy viteve ekstreme 2004 – 1994 del rreth 6000 pensione invaliditeti. Pavarësisht përmasave, kjo shtesë në sektorin urban spjegohet

me nivelin relativisht më të lartë të zënies me punë, për shkak të ritmeve më të shpejta të zhvillimit të ekonomisë së tregut, për hapjen dhe zgjerimin

e bizneseve të ndryshme në sektorë të tillë si tregtia, shërbimet, ndërtimi etj., të cilët punësuan me siguracione një pjesë të fuqisë punëtore. Kësisoj,

përballja potenciale me kriterin ligjor përkatës e invalidëve në sektorin urban, krahasuar me ata ruralë ka rezultuar me shanse relativisht më të htuara për të qenë përfitues të pensionit të invaliditetit, pas shfaqjes së sëmundjes apo komisionimit përkatës.

Gjithësesi, pengesë kryesore për shtimin numerik të pensioneve të invaliditetit  në të dy sektorët (urban dhe rural), kanë qenë kryesisht kriteret ligjore të përfitimit të tyre. Të drejtën për tu trajtuar me pensione invaliditeti e kishin vetëm ata persona të cilët sëmundja apo momenti i komisionimit i zinte në mardhënie pune apo me statusin e të siguruarit për llogari të sigurimeve shoqërore. Kështu parashihej në nenin 35 të ligjit 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

ii) Në vitin 2005 dhe vit mbas viti, deri në fund të vitit 2014 (që përbën dhe fazën e dytë), numri i pensioneve të invaliditetit ka ardhur në rritje të shpejtë. Dhe, nëse në vitin 2004, numri i pensioneve të invaliditetit ishte rreth 32 mijë, në fund të vitit 2014 numri përkatës i pensioneve të kësaj fushe arriti në afro 69 mijë. Pra, ky grup i pensioneve brenda periudhës 10 vjeçare u shtua me rreth 37 mijë,ose me një shtesë mesatare vjetore prej rreth 3700 pensione, e barabartë me më shumë se 11% për çdo vit. Veçoria e kësaj periudhe qëndron edhe në faktin se për çdo vit janë deklaruar dhe caktuar mesatarisht afro 6000 pensione të reja invaliditeti. Ndërsa diferenca prej rreth 2500 pensionesh, midis pensioneve të reja të caktuara dhe shtesës vjetore është rrjedhojë e humbjes të së drejtës nga rikomisionimi për një pjesë syresh, si dhe nga mbyllja e pensioneve për pjesën tjetër, rrjedhojë e humbjes së jetës të përfituesve invalidë.

Edhe këtë fazë zhvillimi, nëse e shohim sipas dy pjesëve përbërëse (pensione urbane invaliditetit dhe pensione rurale), të dyja këto janë shtuar it pas viti, pak a shumë me ritëm të njëjtë. Në fund të fazës së dytë (2004), krahasuar me fillimin e saj 1994), pensionet urbane dhe rurale të invali-ditetit janë shtuar përkatësisht 2.2 dhe 2.1 herë. Arsyet e kësaj shtese që tashmë pritej janë pothuajse të njëjta: çlirimi në fillim të kësaj faze (viti 2005) nga barriera ligjore deri atëherë për të qenë në marrëdhënie pune në momentin e komisionimit nga stuktura përkatëse, si dhe e drejta për t’u përfshirë në rikomisionim edhe të atyre individëve të cilët, nga ky moment e përpara, dispononin një kërkesë të refuzuar për shkak të mosplotësimit

të kritereve ligjore.7) Ndërkaq, gjatë kësaj faze, për shkak të ritmeve disa herë të larta të shtesës së pensioneve të invaliditetit, krahasuar më tërësinë

e pensioneve pësoi rritje të dukshme edhe pesha specifike e tyre në tërësinë e përgjithshme të pensioneve, duke arritur në nivelin rreth 12 për qind.

Kapërcimi sasior që përfshiu fushën e pensioneve të invaliditetit gjatë fazës së dytë është shoqëruar edhe me disa specifika. Më së pari, shtimi i numrit  të invalidëve ka përfshirë pothuajse të gjithë pjesët përbëse të kësaj fushe,megjithëse disa prej tyre kanë ulje në ritme. Nga një analizë profesionale të bërë nga ekspertë të ISSH-së, në fund të vitit 2012 (pra gati në përfundim të fazës së dytë), krahasuar me vitin 2005, reflektohen ndryshimet si në ritme ashtu dhe në strukturën disa planëshe të pensioneve të invaliditetit. Kështu, në raport me skemën e sigurimeve shoqërore, invalidët rezultojnë me ulje në strukturë për punëmarrësit (nga 29 në 17.6%), për bujkun privat nga 19.3 në15.8%, me ulje gjithashtu për punëdhënësit,për personat fizik, si dhe për ata të sigurimit vullnetar. Ndërsa brenda kësaj periudhe, vit pas viti u shtua numri dhe u rrit pesha specifike e invalidëve vetëm me burimin “të pasiguruarit” e momentit, të cilët gjatë fazës së parë (1994-2004), nuk e patën këtë të drejtë për shkak të ligjit në fuqi. Kësisoj, në vitin 2012, rreth 55% e pensioneve të reja të invaliditetit ishin me burim nga kontigjenti i të pasiguruarve.8)

 

 

7) Ligji nr.9277, datë 21.4.2005, ndryshoi nenin 35 në ligjin 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, duke hequr kushtin që në momentin e komisionimit invalidët duhet të ishin në mardhënie pune pra, me pagesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

8) Materiali analizë i arkivuar në ISSH, viti 2013.

 

 

Potencialisht, përmes këtij statusi të ri pra, të pasiguruarit e deridjeshëm shtuan gradualisht peshën e tyre specifike, jo vetëm për rastet e reja por dhe në tërësinë e pensioneve të invaliditetit.

Ndërkaq, në dinamikën, strukturën dhe në numrin e pensioneve të invaliditetit duhet nënvizuar se janë edhe disa faktorë të tjerë, përveç efekteve të ndryshimit të nenit 35 të ligjit bazë të sigurimeve shoqërore. Sepse po nga ndryshimet ligjore të prillit të vitit 2005 (neni 37/1), u përftua e drejta edhe për pension të reduktuar. Rrjedhojë e këtij ndryshimi ligjor, numri i pensioneve të invaliditetit u shtua si mesatare e krejt fazës së dytë me mbi 7 mijë raste. Nga ana tjetër, pensionin e pjesshëm, në vitet e fundit të fazës së dytë,e përfitonin gati 10 mijë persona, rreth 65% e të cilëve rezultonin

jo kontribues të momentit. Edhe pse kjo pjesë e kohës së invalidizimit, për efekt të pensionit të ardhshëm të pleqërisë u njihej vjetërsi pune, ndërsa

kontributet për ta subvencionohen nga buxheti i shtetit.

Krahas faktorëve të mësipërm, duhet thënë se shtimin e numrit të invalidëve, në një farë mënyre e ka stimuluar edhe niveli i periudhës minimale të sigurimit, në funksion të pensionit plotë të invaliditetit, e cila gjithësesi është më e vogël krahasuar me kuotën për pension të plotë të pleqërisë. Po kështu, rritja e moshës mesatare të popullatës, rritja e nivelit të kulturës shëndetësore, zhvillimi i shkencës mjekësore me aparatura dhe metoda që zbulonin sëmundjet në fazat e hershme janë faktorë, të cilët me ligjësitë e tyre të zhvillimit kanë ushtruar ndikim, disa për shtimin e numrit të invalidëve, të tjerë në drejtimin e kundërt, pra për pakësimin e tyre.

iii) Faza e tretë (vitet 2015-2020), i përket periudhës së fillimit të zbatimit të reformës së fundit në fushën e sigurimeve shoqërore, në veçanti të atyre të pensioneve. Gjatë kësaj periudhe, siç shihet nga të dhënat e tabelës 1 dhe grafikut përkatës, vërehet një frenim në shtimin e numrit të pensioneve të invaliditetit. Vitet e kësaj periudhe bartin një gjendje stanjacioni në numrin e përgjithshëm të pensioneve të kësaj fushe. Në vitin 2020,krahasuar me 2014, numri i pensioneve të invaliditetit është shtuar më pak se 1 mijë, ose vetëm 1.3%. Madje, edhe kjo rritje ka ndodhur vetëm për pensionet urbane të invaliditetit, pasi për ato rurale vërehet një pakësim i ndjeshëm, rreth 13%, midis dy viteve ekstreme të periudhës.

 Në pakësimin relativ të pensioneve rurale të invaliditetit nuk ka ndikuar vetëm zvogëlimi i numrit të popullsisë rurale apo rënia e numrit të përgjithshëm të pensioneve rurale të pleqërisë. Ashtu si dhe në fazat e tjera, kryesore edhe në këtë prapambetje relative ka rezultuar mundësia më e vogël e punësimit me siguracione të popullsisë me banim në territorin e fshatit. Nga disa përllogaritje, rreth 60% të efektit frenues në ritmet e shtimit të pensioneve të invaliditetit gjatë periudhës 2015-2020, ka ardhur nga mosplotësimi i kriterit të ri ligjor: “për të patur një vit punë apo kontribute në pesë vitet e fundit”. Ky efekt mund të ishte edhe më i thellë nëse për një pjesë të invalidëve të komisionuar,sidomos në vitet e para të kësaj faze, nuk do të merrej e mirëqenë koha e fillimit të invaliditetit e para vitit 2015, kur një kërkesë e tillë ligjore nuk ekzistonte.

Nga ana tjetër, dy vitet e fundit të kësaj faze, kryesisht gjatë vitit 2020, si rrjedhojë e pandemisë të Covid-19 është vënë re një lloj frenimi të kërke-

save për t’u shpallur invalidë, janë regjistruar vonesa në komisionime për të caktuar statuset përkatëse etj. Nuk ka qenë pa ndikim edhe koefiçienti

më i lartë i vdekjeve në këtë grup interesi, për shkak të efektit Covid-19.

Me këtë të fundit madje, shpjegohet edhe një pjesë jo e vogël e rënies së numrit të pensioneve të invaliditetit në vitin 2020 (69.648 invalidë), kraha-

suar me vitin 2019 (70.501). Ndërkaq, në këto vite, po me të njëjtat arsye shpjegohet rënia më e thellë e pensioneve rurale të invaliditetit.

Faza e tretë e zhvillimeve në pensionet e invaliditetit mund të konsiderohet me një status të mesëm, kur krahasohet me fazën e parë dhe të dytë. Ndërsa në fazën e parë kërkohej ligjërisht të ishe i siguruar në momentin e komisionimit,në fazën e dytë, siç e analizuam, kjo kërkesë ligjore u hoq ndërkohë që, në fazën e tretë pra, me fillimin e zbatimit të reformës së fundit, për të përfituar pensionin e invaliditetit, krahas ndryshimeve në formulën e llogaritjes u shtua kërkesa për të patur së paku një vit punë me siguracion ose kontribute në pesë vitet e fundit, nga momenti i shfaqjes së sëmundjes apo i komisionimit nga struktura përkatëse.9)

 

 9) Ligji 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me nenin 21, të ligjit 104/2014, datë 31.07.2014.

 

 

 

3. Përmirësimet ligjore, për një vlerësim më të mirë të fushës së invaliditetit

Brenda skemës publike,fusha e invaliditetit “rrethohet” nga shumë probleme të natyrës shëndetësore, të procedurës në hapat e vërtetimit të paaftësisë, në vlerësimin e saj nga komisionet e specializuara të të gjithë niveleve, në plotësimin e kushteve ligjore për të përfituar një masë të caktuar pensioni,  cila edhe kjo jo rrallë shoqërohet me probleme në evidencimin dhe përfshirjen në llogaritje të të gjithë viteve të punës apo të atyre kontributive etj. Por, me përfundimin e procedurës dhe krejt këtyre proçeseve, si të aplikimit ashtu dhe llogaritjes, invalidëve në trajtim u intereson:

- sa rezulton masa e pensionit, ndërsa për institucionin dhe studiuesit ka rëndësi edhe pozicioni i këtij pensioni si dhe i të ardhurave të invaliditetit në mesataren e përgjithshme të këtyre dy treguesve;

- si ecën riaftësimi shëndetësor i invalidëve, për atë pjesë që mund të rehabilitohen; sa i drejtë është proçesi i komisionimit shëndetësor etj.

Në vite dhe periudha të ndryshme kohore kjo pjesë e skemës ka njohur zhvillime, rritje dhe përmirësime. Mirëpo çështja shtrohet se a i jepet vendi

i duhur e dinjitoz këtij grupi kontribuesish në skemën publike të sigurimeve shoqërore, a qëndron trajtimi financiar i invalidëve në përputhje edhe me përmbajtjen humane të skemës publike? Me gjithë përpjekjet për të zgjeruar dhe ngritur vertikalisht përfitimet  në fushën e  invaliditetit, të dhënat tregojnë se përsëri invalidëve të punës nuk u sigurohet mbulim i plotë nga pikëpamja e gjerësisë, nuk marrin vlerësimin e duhur në këndvështrimin e trajtimit financiar. Një përfundim i tillë, logjikisht vjen nga luhatjet e shumta të numrit të personave në nevojë, të atij numri që herë nuk trajtohet me përfitime, herë tjetër i marrin ato (pensionet e invaliditet, shënimi imi-H.H), për shkakun e vetëm të ndryshimeve të ligjit.10) Prandaj, për të parë se si ndryshimet ligjore kanë ndikuar në përmasën e këtij grupi përfituesish, do të sjellim përmes dy tabelave (2 dhe 3), po ashtu dhe grafikisht (2 dhe 3), vendin që zenë pensionet e invaliditetit në tërësinë e pensioneve, si dhe masën mesatare mujore të pensionit të invaliditetit, krahasuar me të njëjtin tregues për pensionet e pleqërisë.11)

 

 

10) Nuk po flasim për gjetjen e “saktë” të këtij numri, as për trajtime, potencialisht, të çdo njerit prej tyre.

11) Ka dhe ndonjë tjetër faktor që vepron në përmasën relative të këtij grupi të pensioneve.

Tabela 2. Pensionet e invaliditetit kundrejt pensioneve gjithsej, 1995-2020

                                                                                                                                                                                                       Në%

Burimi: Raportet vjetore të ISSH-së, sipas viteve. Përpunuar nga autori.

Nga të dhënat e tabelës del se në vitin 1994 ato përfaqësonin 5.6% të totalit të pensioneve dhe për krejt vitet e fazës së parë mesatarisht pothuajse po kaq, në vitin 2008 niveli relativ i tyre arriti në afro 9% dhe për disa vite radhazi nga fundi i fazës së dytë, mesatarisht në afro 12%. Ndërsa në vitin 2020, pesha e pensioneve të invaliditetit zbriti në 10.4 përqind dhe, mesatarisht po kaq në gjithë vitet e kësaj faze. Dukshëm shfaqet luhatja e pensioneve të invaliditetit ndaj pensioneve gjithsej, nga në më pak se 6% në fazën e parë, në afro 12% në fazën e dytë, ndërsa në fazën e tretë, në vazhdim, niveli relativ i pensioneve të invaliditetit në tërësinë e pensioneve është mesatarisht 10.5%, pra i zvogëluar në përmasa (Grafiku 2).

Numri i vogël i pensioneve të invaliditetit në fazën e parë, ndryshimet gjithashtu të pakëta në vitet e kësaj faze dhe rënia e tyre në fazën e tretë, më shumë janë rrjedhojë e ndryshimeve në kriteret ligjore të përfitimit se sa nga arsye të gjendjes reale shëndetësore të personave të invalidizuar. Në

vitin 2005 u hoq kushti i qënies me statusin e të siguruarit në momentin e shfaqjes së sëmundjes, së bashku me kushtin për të realizuar periudhën

minimale të sigurimit, prandaj në fazën e dytë u vërejt një shtim i përvitshëm i pensioneve të invaliditetit, duke arritur në fund të kësaj faze 12 për qind kundrejt tërësisë së pensioneve. Prej këtej shihet se, në fazën e parë dhe më pak në fazën e tretë, një numër jo i pakët i invalidëve shëndetësorë

nuk janë trajtuar financiarisht nga skema publike e pensioneve. Në këtë proçes, për disa shkaqe që i kemi sjellë  edhe në çështjen e dytë, më shumë

të penalizuar rezultojnë të jenë invalidët e sektorit rural.

Grafiku 2

Nëse llogaritim vetëm numrin e pensioneve të invaliditetit në fund të fazës së dytë, krahasuar me vitin e fundit të fazës së parë rezultojnë të jenë mijëra individë që për disa vite radhazi nuk janë trajtuar me pensione invaliditeti. Po kështu, edhe gjatë fazës së tretë e në vazhdim, rënia relative

e numrit dhe e peshës së tyre në tërësinë e pensioneve, sipas disa përllogaritjeve edhe nga komisioni i ekspertizës mjekësore, tregon se invalidët

shëndetësorë të patrajtuar me pensione, vetëm nga shkaku i ndryshimit të fundit të kriterit ligjor (2014), arrijnë në qindra vetë çdo vit.

Zhvillime të tilla, sipas gjykimit tim nuk konsiderohen aspak normale, pasi me asnjë lloj shkaku nuk justifikohet përjashtimi mekanik i këtij kontigjenti inavalidësh. Argumenti pse ata nuk kanë një vit punë me siguracion në pesë vitet e fundi, nga momenti i shfaqjes së sëmundjes, nuk mund të ketë vlerë aq sa të invalidizuarit e kësaj kategorie të mos trajtohen financiarisht nga skema publike, aq më tepër në momentet më të vështira për jetën dhe ekonominë e tyre familjare.

Përkundrazi, numri i invalidëve që mund të trajtojë skema publike nga njëra anë, duhet të jetë për të gjithë kontribuesit potencialë të skemës, ndërsa në anën tjetër, sa më pranë plotësimit të nevojave të tyre, në kompesim të të ardhurave të munguara nga ndërprerja e punës. E kundërta, të paktën në këto dy tregues nuk duhen të jenë produkt i ndryshimeve ligjore që, herë stimulojnë herë vendosin kufizime, herë bëjnë lëshime herë shndërrohen në pengesë në vendosjen e kritereve. Kur sëmundja shfaqet dhe vërtetohet me statusin e tyre shëndetësor, numri dhe përfshirja e të sëmurve në pensione pas kësaj është dhe duhet të jetë në vartësi të faktorëve të tjerë.

Nëse ndryshimi i fundit ligjor është vendosur për të nxitur punësimin e njerëzve, nuk është kjo një nga mënyrat efikase për këtë qëllim. Aq më tepër, kur personat që aplikojnë për pensionin e invaliditetit i kanë vitet kontributive. Prandaj,jam i mendimit që kushti ligjor i deritanishëm lipset të abrogohet, për t’i dhënë mundësi trajtimit financiar nga skema publike këtij kontigjenti të invalidizuar nga ana shëndetësore. Krahas këtij përmirësimi, i cili lipset të jetë afatgjatë dhe, mbase edhe me prapaveprim, gjykoj se ndjehet nevoja edhe për të tjera përmirësime ligjore si: në fushën e zgjerimit të numrit të punësuarve me kontribute të paguara, sidomos duke institucionalizuar format e kontrollit dhe penalitetet që mënjanojnë punën e zezë; rishikimin e tarifave për kontributet shëndetësore, sidomos duke përgjysmuar këtë tarifë për punëmarrësit edhe në sektorin privat, për t’ia kaluar gjysmën tjetër punëdhënësve etj.

Treguesi tjetër me rëndësi që mund të shërbente për të njohur pozicionin vlerësues të invalidëve nga skema publike është niveli i trajtimit mujor financiar të tyre. Për arsye që njihen, kryesisht nga rritja apo indeksimet, sigurisht që ky tregues ka pësuar shtim nga njëra fazë në tjetrën.

Në vitin 2020 për shembull, masa mesatare mujore e pensionëve urbane të invaliditetit rezulton 14.4 mijë lekë ndërsa në vitin 2016 ishte 12.8 mijë

dhe, në vitin 2010 afro 11 mijë lekë në muaj. Nga ana tjetër, dallon niveli relativisht i ulët i masës mujore të pensioneve rurale të invaliditetit, i cili për të njëjta vite është vetëm rreth 50% të nivelit të pensioneve urbane të të njëjtit lloji. Gjithashtu, të njëjtat raporte si në pensione, pothuajse ruhen edhe në  të ardhurat mujore për invalidët e punës sipas viteve e fazave.12)

Kësisoj, ky tregues mesatar është vetëm rreth 10% më i lartë se pensionet mujore, me luhatje të vogël ndër vite. Ndërkohë, masa e të ardhurave që shton pensionet mujore të invalidëve, në vitet e fazës së tretë është zvogëluar, për shkak se janë tkurrur llojet e kompesimeve dhe përfitimeve për invalidët, përtej pensionit mujor.

Zhvillimet komplekse si më sipër, për pensionet urbane dhe rurale të invaliditetit, si dhe të ardhurat mujore që mesatarisht i shtohen këtij pensioni,shprehin vetëm nivelin mesatar mujor të tyre. Sepse në anën tjetër, vlerësimi financiar nga skema publike për kategorinë e invalidëve të punës mund të vështrohet edhe në disa drejtime të tjera. Me vlerë mund të qe ai në raport me nevojat, të cilat mund t’i përmbante treguesi i minimumit

jetik që më së pari duhej përllogaritur dhe pastaj përditësuar. Gjithësesi, në mungesë të kësaj qasjeje, referencë për vlerësimet financiare të pensioneve të invaliditetit mund të shërbente edhe krahasimi i tyre me pensionet e pleqërisë, si dhe me të ardhurat e tyre mujore. Niveli dhe raportet midis tyre shihen të qarta në të dhënat e tabelës së mëposhtme, si dhe në grafikët përkatës:

Nga analiza e të dhënave, mund të evidencojmë disa dukuri:

i) Masa mesatare mujore e pensioneve të invaliditetit rezulton të jetë relativisht e ulët. Aktualisht, vetëm afro 14.4 mijë lekë në muaj për pensionet urbane, ndërsa për ato rurale pak më shumë se gjysma e kategorisë urbane.

 

12) Në të ardhurat mujore të invalidëve, veç pensionit, përfshihet edhe kompesimi i energjisë elektrike etj.

ii) Ndër vite e sipas fazave, vërehen ritme shtese të ulëta të masës financiare të pensioneve të invaliditetit. Në vitin 2020, krahasuar me vitin 2014 përshembull, masa financiare mesatare mujore për pensionet urbane është shtuar vetëm 12.4%, ndërsa për ato rurale 34.7%.

iii) Shtesa e të ardhurave mesatare mujore për invalidët urbanë dhe ruralë të punës, në të dy vitet ekstreme të kësaj faze (2020 - 2014), rezulton të ketë ecur thuajse me të njëjtat ritme.

Dukuria kryesore që e bën të dallueshëm fushën e pensioneve të invaliditetit është jo vetëm niveli relativisht i ulët i tyre brenda llojit, por veçanërisht niveli më i ulët i tyre në krahasim me pensionet e pleqërisë.

Kësisoj, pensionet urbane të invaliditetit, për vitet në secilën prej fazave rezultojnë sa 85-91% të masës mesatare mujore të pensioneve të pleqërisë,

ndërsa akoma më të ulëta rezultojnë pensionet rurale të invaliditetit kundrejt atyre të pleqërisë.

Mbështetur në analizën e të dhënave shumëvjecare; në përcaktimin e disa prej faktoreve që sjellin nivelin relativisht të ulët të pensioneve të kësaj fushe; mbështetur në strategjinë dy-dimensionale që rekomandohet në rezolutën e Konventës Europiane të vitit 2011 që “progresivisht (Strategjia -shënimi imi, H.H) siguron nivele më të larta të sigurimeve shoqërore tek sa më shumë njerëz që të jetë e mundur..”,13) për këto dhe për të tjera arsye i përmbahem mendimit se kjo situatë duhet ndryshuar përmes disa ndërhyrjeve ligjore:

Së pari, gjykoj se formula që përcakton nivelin e kërkuar të viteve të punës mund të ndryshojë e të përmirësohet në favor të invalidëve. Mund të kthehet përsëri si më parë (mosha minus 20 pjestim për dy, ose mosha minus 20 shumëzuar me tre të pestat. Apo edhe të tjera variante). Përmes këtij ndryshimi, patjetër  do të shtohej numri i invalidëve për marrjen e pensionit të  plotë, të tjerë do të shtonin masën, për shkak të afrimit me kushtet për pensionin e plotë. Ndërsa çdo hapësirë tjetër që parashihet në legjislacion, qoftë edhe neni përkatës i ligjit që përcakton se “Shuma e përgjithshme e pensionit (të invaliditetit), nuk mund të jetë më e vogël se 75% e pagës minimale në shkallë vendi” 14) ndihmon por nuk mund t’i japë masën e nevojshme mesatare mujore tërësisë së pensioneve të invaliditetit, pasi numri i invalidëve që plotësojnë kushtin e pensionit të plotë është i pakët dhe, akoma më i pakët është ai numër, i cili, edhe pse me pension të plotë, arrin të plotësojë këtë kufi të pagës neto në shkallë vendi.

Së dyti, për t’i ardhur në ndihmë invalidëve që kanë nevojë për kujdesje të vazhdueshme të një personi tjetër (neni 38 i ligjit), si dhe për të ndihmuar edhe më shumë invalidët me fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, apo deri në 25 vjeç, kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë, në të dy këto profile mund të shihet mundësia për një vlerësim financiar më të lartë, si duke rritur  kuotat, ashtu përmes një tavani më të lartë. Sepse në rastin e shtesës, për shembull 5% mbi pensionin bazë për një fëmijë në ngarkim, jo në pak raste rezultojnë të ardhura gati të papërfillshme, për shkak të masës së ulët të pensionit bazë.

Së treti, një numër i caktuar invalidësh,para pak vitesh u hoqën nga skema e trajtimit më pensione sociale, për shkak se rezultonin me kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore, edhe pse me pak vite pune. Pastrimi i skemës së invalidëve të lindur, po themi nga kategoria e atyre me kon-

tribute në skemë, për mendimin tonë ishte një sipërmarrje e nevojshme.

Mirëpo kthimi i tyre në skemën publike të sigurimeve shoqërore përmes komisionimit mjekësor, solli një ulje të pensioneve apo të të ardhurave mujore të tyre, shpesh drastike, sidomos për ata me pak vite pune apo kontributive, deri në dhjetë të tilla. Në këto kushte, sikurse kam shkruar edhe më parë, gjykoj se duhet të vendoset një nivel dysheme i pensionit të invalididitetit, jo më pak se masa mujore e të ardhurave që marrin invalidët “pa kontribute” që trajtohen nga Shërbimi Social Shtetëror.15)

Krahas me përmirësimet ligjore, në fushën e invaliditetit ndjehet nevoja edhe për disa lehtësime proçeduriale që kanë të bëjnë me zgjatjen e studiuar dhe me kritere të afateve të rikomisionimit, në vijimësi me kritere mjekësore të përditësuara, e më të asimilueshme për vendimarrjen; me unifikim të proedurave, sidomos për disa drejtori rajonale, çka do ta bënte më të fortë lidhjen midis gjendjes shëndetësore të invalidëve dhe përfitimeve financiare të tyre; me marrëdhëniet më të qarta të invalidëve me punësimin e deklaruar të tyre, për të shmangur kështu “përplasjet” sociale, kur një pjesë syresh ndërpresin punën apo për gjendjet debitore etj.

 

 

13) Strategjia e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, kapitulli “Sigurime shoqërore për të gjithë”.

14) Ligji 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, neni 36.

15) Gazeta Shqipëtare, viti 2019, Intervistë për disa çështje të fushës së pensioneve.

 

 

 

 

 

 

Përfundime

Pensionet e invaliditetit përbëjnë një pjesë me rëndësi të skemës pub-like të sigurimeve shoqërore. Invalidët e punës aktualisht janë gati 70 mijë vetë, ose rreth 10 për qind e numrit të përgjithshëm të përfituesve të skemës. Ecuria e kësaj pjese ka përvijuar ndër vite dhe sipas fazave, disa dukuri të veçanta në përmasat sasiore të zhvillimit. Kështu, në fazën e parë (1994-2004), pensionet e invaliditetit kanë lëvizur sipas viteve në in-tervalin 26-32 mijë, me një shtesë vjetore rreth 500 të tilla. Në fazën e dytë (2005-2014), numri i pensioneve të invaliditetit është shtuar mesatarisht

në çdo vit me rreth 3 mijë. Ndërsa në fazën e tretë (2015-2020) nuk shënohet ndonjë shtesë dhe numri i  pensioneve qëndron në nivelin e viteve të fundit të fazës së dytë.

Arsyet e luhatjeve të tilla, në numër dhe në peshën e tyre ndaj tërësisë së pensioneve janë më shumë të natyrës ligjore, rrjedhojë ndryshimeve në

kriteret e përfshirjes së invalidëve në trajtime financiare nga skema publike. Pikërisht, me ndryshimin ligjor të vitit 2005, që hoqi barrierën e të qenurit të siguruar për t’u trajtuar me pension invaliditeti, apo përfitimin edhe të pensionit të reduktuar të këtij lloji, shpjegohet shtesa e shpejtë e numrit të pensioneve të invaliditetit, duke arritur në mëse dyfishimin e tyre në fund të kësaj faze, pra në fund të vitit 2014. Po kështu, edhe qëndrueshmëria e numrit të pensioneve të invaliditetit apo stopimi në peshën e tyre specifike, për vitet 2015-2020, kryesore në shkaqe kanë kushtin e vënë në ligjin e ndryshuar në vitin 2014, për të patur një vit punë ose kontribute në pesë vitet e fundit nga momenti i shfaqjes së sëmundjes.

Ligji dhe kriteret e vëna në të kanë kufizuar numrin e pensioneve, sidomos në fazën e parë, por edhe në të tretën,në këtë aktualen, kanë lënë jashtë trajtimit me pensione nga skema publike ndër vite mijëra persona, edhe pse me statusin e invalidit nga ana shëndetësore. Kjo situatë shihet qartë jo vetëm nga krahasimi i numrit të pensioneve midis fazave, por dhe nga pesha e sotme ndaj tërësisë së pensioneve në nivelet e palëvizshme, rreth 10%. Prandaj, për të realizuar një përfshirje më të gjerë të invalidëve të punës në skemë, sigurisht të atyre me kontribute, do të ishte e arsyeshme

ndryshimi në pikën 2 të nenit 35 të ligjit, që kushtëzon përfitimin e pen-sionit me kushtin për të patur së paku 12 muaj sigurim shoqëror në pesë vitet e fundit.

Nga ana tjetër, nisur nga niveli relativisht i ulët i masës mesatare të pensionit të invalidëve në raport me ato të pleqërisë, ndërkohë që duhet të jetë ndryshe, kjo do të kërkonte përsëri ndryshime në formulën e llogaritjes së periudhës së punës për të përfituar pensionin e plotë. Kuota më e ulët e viteve të punës apo atyre kontributive për pensionin e plotë (duke e shumëzuar për shembull me 3/5 diferencën e moshës me numrin 20), do të ndikonte në shtimin e arsyeshëm të masës mesatare të pensionit të invaliditetit. Ashtu siç mund të ishin më të larta kuotat favorizuese në dy nenet e tjera (nenet 38 dhe 39) të ligjit bazë të sigurimeve shoqërore. Ndërkohë që, për invalidët e punës, të cilët për shkak të viteve të pakëta të kontributive rezultojnë në llogaritje me pensione minimale, do të ishte e arsyeshme të vendosej ligjërisht një nivel dysheme, që mund të jetë jo më pak se masa

mujore e të ardhurave që jep Shërbimi Social Shtetëror për invalidët e lindur apo, për ata pa asnjë histori pune.

Literatura:

 

1.   Ligji  nr.7703,  datë  11.05.1993  “Për  Sigurimet  Shoqërore  në  Republikën  e Shqipërisë”.

2.   Ligji nr.9277, datë 11.4.2005 “Për disa ndryshime në ligjin 7703 Për Sigurimet Shoqërore…”

3.   Ligje dhe akte të tjera nënligjore për sigurimet shoqërore, pas viteve 1990.

4.   Raporte vjetore, botime të ISSH-së, për vitet 1994-2020.

5.   ILO, “Drejtimi i Sigurimeve Shoqërore”, Budapest 2005.

6.   Materiale të Konventës mbi Standartet Minimale të Sigurimeve Shoqërore, Sesioni 101, Gjenevë, 2012.

7.   Strategjia e Organizimit Ndërkombëtar të Punës, “Sigurime Shoqërore për të Gjithë”, material në internet.

8.   Shtojca: “Konventa mbi standartet minimale të sigurimeve shoqërore”, 1952 (Nr.102).

9.   Revista “Demografia”, nr.2, 2016; nr.1, 2020.

10. Gazeta Shqiptare, viti 2018 dhe 2019, shkrime të autorit për sigurimet shoqërore.

 

@ 2021 Revista Demografia  -  Botim i Shoqatës Shqiptare të Demografëve  *  Të gjitha të drejtat e rezervuara